Filmi i Kosovës, “Zgjoi”, tashmë ka nisur ta mbushë me data agjendën për këtë muaj. Deri të hënën i është konfirmuar pjesëmarrja në nëntë festivale gjersa është në pritje edhe të konfirmimeve për shfaqje të tjera. Prej vendeve të ndryshme evropiane e deri në SHBA, Australi e në Azi, janë stacionet e radhës. Për producentin e filmit, Yll Uka, çdo shfaqje e filmit është e rëndësishme për çmimet e mëdha në kinematografi
Për shumicën e filmave që i hyjnë garës për ndonjë çmim në “Oscars”, festivalet janë të rëndësishme për një trofe të mundshëm. Tash e sa vjet pothuajse të gjithë filmat fitues tashmë ishin shpërblyer në një nga festivalet e kategorisë A. Sezoni i vjeshtës është koha e duhur për të rrëmbyer vëmendjen kur dihet se listat për kandidatë bëhen zakonisht në fillim të dhjetorit. Prandaj, çdo zhurmë rreth filmit është një shenjë e mirë. Mirëpo, duhet pasur në mendje se vlerësimet më pas mund të rrisin krahët ose të shkëpusin shanset për të dalë përtej një filmi që zë vend nëpër kinema lokale.
Filmat që marrin çmime dhe vlerësime gjatë festivaleve që mbahen në vjeshtë, e shtrojnë me kujdes suksesin drejt çmimit “Oscar”, natyrisht nëse nuk vlerësohen në shfaqje të dobëta nga kritika. Ka filma që hiqen nga diskutimet e “Academy Awards” pikërisht për shkak të shfaqjeve të dobëta në festivale kryesore. Megjithatë, këtë fat nuk shihet ta ketë kandidati i Kosovës për “Oscar”.
“Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit e nisi mbarë me tre çmime qysh në premierë botërore në shkurt – Çmimin e jurisë, atë për regjinë më të mirë dhe Çmimin e audiencës – në “Sundance Film Festival”. Që nga ajo kohë aty ku nuk u shpërblye, mori kritika pozitive. Tash “sezoni i vjeshtës” që konsiderohet edhe koha më e mirë për promovim, e gjen në nëntë festivale ndërkombëtare.
Të martën shfaqet në kuadër të edicionit të 29-të të “Filmfest Hamburg”, që në Gjermani është i treti më i madh në këtë pasi atij të Berlinit e Münichut. Edicioni i sivjetmë i tij i mbajtur në formatin hibrid do të përfundojë më 9 tetor.
Një ditë më vonë, më 6 tetor nis “Busan International Film Festival”, ku është edhe filmi i Kosovës. Festivali i kategorisë B që mbahet në Busan të Koresë së Jugut, që këtë vit përfundon edicionin e 26-të më 15 tetor, është një nga festivalet më të mëdha në Azi. Dita e shtatë e këtij muaji e gjen “Zgjoin” – në të cilin luajnë aktorët Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi – në “CineEast” në Festivalin e Filmit në Berlin që bën bashkë filma nga Evropa Lindore dhe ajo e Mesme.
Të premten, nis “Warsaw Film Festival” që mbahet në kryeqytetin e Polonisë. “Zgjoi”, rrëfim që shpalos plagët e thella që lufta e fundit vragoi mbi fate njerëzish, duke shërbyer njëkohësisht si frymëzim për mbijetesë, është pjesë e programit të këtij festivali që do të shpaloset deri më 17 tetor. Këtë vit shënohet edicionin e 37-të dhe Festivali hyn me mesin e atyre që janë pjesë e kategorisë A.
Filmi shpalos rrëfimin e Fahrije Hotit dhe grave nga Krusha e Madhe. Është po ashtu pjesë e edicionit të 18-të të “Rome International Film Festival”, që mbahet prej 14 deri më 24 tetor. Katër ditë para përfundimit të këtij festivali nis edicionin i 36-të i “Unabhängige FilmFest Osnabrück” një nga më të vjetrit në Saxony të Gjermanisë, që është po ashtu adresë e filmit me skenar të Doruntina Bashës.
Drama e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës, e të cilat luftojnë kundër patriarkatit po ashtu është pjesë e “The Brisbane International Film Festival” që mbahen në qytetin Brisbane në Australi. Edicioni i 27-të i këtij festivali, që do të nisë më 21 tetor, përfundon ditën e fundit të këtij muaji.
Një ditë para tij, më 30 tetor, do të përfundojë edicionin e tij të sivjetmë edhe festivali spanjoll, “Valladolid International Film Festival”. “Zgjoi” po ashtu është pjesë e këtij festivali që rrugëtimin e tij e nisi në vitin 1956.
Filmi debutues i metrazhit të gjatë, i regjisores Basholli që tregon rrëfimin e një gruaje që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera, do të jetë pjesë edhe e “Virginia Film Festival”. Festivali që mbahet në Charlottesville të SHBA-së edicionin e tij të 34-të do ta shpalosë prej 27 deri më 31 tetor.
Producenti i filmit, Yll Uka, ka thënë se atyre tashmë u janë konfirmuar datat për këto festivale, por që presin edhe konfirmime të tjera mes tyre edhe festivale të kategorisë A. Kështu bekimi që mund të marrë ky film gjatë kësaj stine veçse ka filluar.
“Kemi pasur fatin që muajt e fundit kemi pasur shumë prezencë në festivale shumë të mëdha anembanë globit. Do të kemi një prezencë të tillë në tetor e në muajt e ardhshëm”, ka thënë Uka, i cili ka bërë të ditur datat që tashmë u janë konfirmuar. Ka shtuar se janë duke punuar edhe për distribuim nëpër kinema dhe se aktualisht diçka e tillë është bërë e mundshme në Zvicër. Atje, prej 7 tetorit do të jetë i qasshëm në më shumë se dhjetë kinema zvicerane.
“Çdo shfaqje e filmit në kinema, por veçanërisht në festivale, është shumë e rëndësishme për garën për ‘Oscars’ dhe çmimet e tjera si ‘BAFTA’, ‘EFA’, ‘Gothams Awards’ e të tjerë”, ka thënë Uka.
“Zgjoi”, po ashtu, është përzgjedhur nga “European Film Awards”, që ndryshe njihet si ‘Oscari’ i Evropës, si një nga kandidatët për nominim për çmimet prestigjioze evropiane të kësaj akademie. Premiera kombëtare e filmit u dha më 24 gusht në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të edicionit të 13-të të “PriFest”. Tashmë është konfirmuar se filmi shpejt do të nisë edhe shfaqjen nëpër kinematë e vendit.