Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Teatri – hapësira e domosdoshme e thyerjes së heshtjes për krizën mjedisore

Paneli “Një vështrim krahas

Paneli “Një vështrim krahasues: Çështja e ekologjisë në skenë në kontekste të ndryshme” ka shtruar pyetjet mbi mënyrën se si teatri mund të flasë për mjedisin përmes formave të ndryshme artistike, si dhe rolin e tij në sfidimin e realitetit dhe thyerjen e heshtjes shoqërore

Se të gjithë janë vonë në raport me krizën mjedisore, ka qenë konstatim i përbashkët në panelin “Çështja e ekologjisë në skenë në kontekste të ndryshme” në kuadër të festivalit “Polip”, se duhet reaguar është thirrje e kahershme, por që edhe teatri ta bëjë këtë, është vlerësuar e domosdoshme. Meqë njeriu nuk ndahet dot nga natyra, sipas panelistëve, teatri dhe arti në përgjithësi nuk mund t’i bashkohen heshtjes shoqërore për tema si këto

Çështjet ekologjike ende trajtohen rrallë në teatër, por arti skenik shihet gjithnjë e më shumë si hapësirë që mund të sfidojë heshtjen shoqërore ndaj krizës mjedisore, të reflektojë ndryshimet klimatike dhe të krijojë forma të reja raporti midis skenës dhe publikut. Këto ishin disa prej përfundimeve kryesore të panelit të diskutimit “Një vështrim krahasues: Çështja e ekologjisë në skenë në kontekste të ndryshme”, organizuar të premten në kuadër të festivalit “Polip”, në “Hani i 2 Robertëve” në Prishtinë. Diskutimi ka mbledhur artistë e studiues nga vendi e skena ndërkombëtare për të reflektuar mbi mënyrat se si teatri përballet me krizën ekologjike dhe mjedisore në kontekste të ndryshme kulturore.

Paneli ka hapur pyetjet mbi mënyrën se si teatri mund të flasë për mjedisin përmes formave të ndryshme artistike, si dhe rolin e tij në sfidimin e realitetit dhe thyerjen e heshtjes shoqërore. Në panelin e udhëhequr nga gazetari Uran Haxha, kanë marrë pjesë artistja austriake Lisa Horvath, kritiku e dramaturgu serb, Borisav Matiq, dhe regjisori Besim Ugzmajli. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në nisje, Haxha ka theksuar mungesën e trajtimit të temave ekologjike në media dhe në teatër.

“Kjo trajtohet pak edhe në teatër, nëse jo në media, aq më pak në teatër. Teatri ka folur vazhdimisht për luftën, për pushtetin, për identitetin, për konfliktet shoqërore. Rrallë për ajrin e ndotur, për peizazhet që po zhduken”, ka thënë ai.

Në përgjigje të pyetjes së tij nëse teatri mund ta përfaqësojë botën ku jetojmë dhe njëkohësisht të sfidojë heshtjen ndaj çështjeve ekologjike, artistja Lisa Horvath ka folur për qasjen e saj artistike të mbështetur në teoritë post-humaniste dhe për nevojën që njeriu të mos shihet i ndarë nga natyra.

“Mendoj se është një temë shumë e madhe dhe një temë vërtet komplekse gjithashtu, kështu që mendoj se nuk ka vetëm një mënyrë për ta trajtuar këtë temë. Mendoj se kjo është edhe arsyeja pse është e rëndësishme që ka kaq shumë, sidomos në këtë festival, në këtë projekt evropian, kaq shumë këndvështrime të ndryshme për këtë çështje të krizës apo problemeve mjedisore. Qasja me të cilën po merrem në këtë projekt dhe gjithashtu në projektin e mëparshëm në të cilin po punoja ishte të hulumtoja shumë në drejtim të teorive post-humaniste”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se njerëzit e keqkuptojnë ndarjen midis njerëzimit dhe natyrës.

“Mendoj se kjo është një perspektivë që unë dhe ne si ekip përpiqemi ta paraqesim në skenë edhe duke përdorur formën e teatrit si një lloj pasqyre për këtë pyetje, sepse këtu zakonisht ke një skenë dhe ke një audiencë dhe pastaj ka një ndarje dhe zakonisht si audiencë mendon mirë, se nuk je pjesë e asaj që po ndodh në skenë, dhe kjo është gjithashtu diçka që ne përpiqemi ta hapim në pjesën tonë se ndoshta nuk është më aq e qartë se kush është në sfond, kush është në plan të parë, kush po shikon dhe kush po aktron”, u shpreh ajo.

Regjisori Besim Ugzmajli ka ndarë reflektimin e tij personal mbi ndryshimet e pakthyeshme që ka parë në ambientin ku është rritur, duke e lidhur përvojën personale me degradimin ekologjik dhe urban. I është referuar filmit të tij “Pesë stinët e fëmijërisë sime” të cilat e ilustrojnë këtë ndryshim.

“Fakti që mua më është dashur të bëj një moshë mbi 36 vjeç për të parë që gjithçka që lidhet me fëmijërinë time, përkatësisht me ambientin ku jam rritur e zhvilluar, ka pësuar ndryshim të pakthyeshëm, ka qenë shumë e dhimbshme që aq vonë më është kujtuar ky aspekt. Aq rrallë merremi me to. Jam kthyer të merrem, jo drejtpërdrejt me ambientin, por si kujtim, pasi filmi flet për pesë ambiente që kanë ndryshuar rrënjësisht e që kanë qenë shumë të rëndësishme në formimin tim si njeri, e mandej si artist”, ka thënë ai.

Ka treguar se si papritmas kishte reflektuar mbi gjithë këto ndryshime përreth ambientit në të cilin jeton.

“Në një moment kam parë që lumi në lagjen time, aty ku jemi larë dhe kemi peshkuar, është tharë komplet, kam filluar të mendoj se çfarë tjetër që ka pasur shumë rëndësi, nuk ekziston më. Kam parë që ambienti ku kam qenë si fëmijë është shkatërruar plotësisht. Shtëpia ku jam rritur është rrënuar plotësisht për aspekte që lidhen edhe me aspektin ekologjik, shkolla ku kam shkuar për herë të parë në klasë të parë ka qenë totalisht e shkatërruar prej një investimi kriminal të kompanive të ndërtimit të cilat kanë menduar se nëse shkolla shkatërrohet, shumë shpejt bëhen ndërtime”, ka thënë Ugzmajli në panel.

Dramaturgu serb Borisav Matiq ka folur për vonesën e përgjithshme të institucioneve dhe shoqërive në trajtimin e krizës klimatike, duke theksuar se edhe vendet e vogla kanë përgjegjësi dhe mundësi për të vepruar.

“Ne jemi të gjithë vonë. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të bëjmë sa më shumë që mundemi tani për të punuar në ndryshimet klimatike dhe krizat klimatike. Pasi jemi vende të vogla qe e kemi mendimin se nuk mund të bëjmë shumë në këtë çështje, kjo nuk është e vërtetë. Është mendim i gabuar, sepse një pjesë e madhe e këtyre hapësirave në veri të Serbisë dhe në Kroaci do të bëhen shkretëtira pas disa dekadash. Realiteti dhe diskursi po injorohet sidomos nga institucionet kulturore. Zakonisht skena e pavarur kulturore merret me tema të tilla”, ka thënë ai.

Matiq ka përmendur aktivitetin e teatrit të pavarur “Bitef” në Beograd si shembull të skenës së pavarur kulturore që trajton temat ekologjike përmes eko-performancave dhe projekteve artistike me pjesëmarrje të artistëve nga rajoni. Ai ka treguar se aktiviteti i festivalit kishte hasur në kundërshtime të mëdha në Serbi dhe jashtë saj, të cilat kishin çuar edhe në ndalim.

“Kujtdo që i bëhet vonë! Çka për çështjen e ambientit?”, është tema e “Polipit” të sivjetmë, të 16-tit me radhë. E, ajo vjen edhe si dëshmi se teatrit i bëhet vonë edhe për tema si këto. Ose së paku, si thirrje për ta thyer heshtjen.