Kulturë

Teatri “arnon” hapësirat e improvizuara në Pallat të Rinisë

Teatri Kombëtar i Kosovës për muajt janar dhe shkurt ka qenë në “pauzë” sa i përket repertorit. Kështu do ta ketë edhe pjesën më të madhe të marsit. Shkak qe renovimi i Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, si skutë që e shfrytëzon shkaku i mbylljes së ndërtesës së institucionit për ta restauruar.

Intervenimi në Amfiteatër është ndërmarrë si hap për të bërë pak përmirësime sa u përket ambienteve ku ulet publiku e po ashtu edhe në suva. Janë krijuar mundësi për funksionim më të mirë të elementeve përcjellëse të shfaqjeve. Për Ministrinë e Kulturës krejt kjo nuk është lajm i vogël.

“Ka përfunduar rinovimi i Amfiteatrit të Pallatit të Rinisë. Artistët e Teatrit Kombëtar të Kosovës tani kanë një hapësirë të dinjitetshme për të ushtruar dhe dhënë shfaqjet”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së. Sipas këtij institucioni, ky rinovim do të sjellë ambient më të përshtatshëm për performancat artistike dhe të ofrojë eksperiencë më të mirë për të gjithë ata që e frekuentojnë teatrin. Pak a shumë të njëjtën gjë e ka thënë në një postim në rrjete sociale edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të TKK-së, Kushtrim Sheremeti, brenda asaj hapësire të kufizuar për të punuar është bërë një sallë shumë më komode.

“Shpresojmë që ajo hapësirë të ngelet gjithnjë skenë kamertale teatrore”, ka thënë ai. Tashmë aty janë vendosur karriget e sallës së ndërtesës së Teatrit, kurse ato ekzistueset janë paketuar e dërguar në depot e Pallatit të Rinisë. Janë gjithsej 201 ulëse për publikun.

“Kemi shtuar edhe ndriçim, edhe mikseta të reja. Pavarësisht kufizime të skenës për shfaqje të mëdha tashmë kemi komoditet më të madh për produksione më të mëdha. Punët e mëdha kanë përfunduar e tash kanë mbetur edhe disa detaje. E kemi synim që sivjet edhe te gardëroba të ndërhyjmë”, ka thënë Sheremeti. Deri më 19 mars nuk do të ketë repertor të rregullt. Atë ditë planifikohet të jepet premiera e shfaqjes “Kamarja e turpit” me tekst të Ismail Kadaresë e regji të Kushtrim Koliqit.

Rinovimi i Amfiteatrit, që kishte nisur muajin e kaluar, sipas kontratës parashihte heqjen e dyshemesë ekzistuese dhe vendosja e një të reje, furnizimi me perde, ndriçim, heqja e tepisonit aty dhe zëvendësimi me një të ri. Largimi i konstruksionit dhe i instalimit elektrik në pjesën e skenës, ngjyrosja e mureve dhe tavaneve, ishin po ashtu në listë. Në kontratë përfshihet gjithashtu furnizimi me lap-topë dhe të tjera mjete teknike për audio e pjesën vizuale në skenë.

Njëkohësisht edhe hapësirat e ushtrimeve të “Shotës” ishin në renovim. Me më pak punë kishte te ndërhyrjet në sallat e ushtrimeve të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve. Intervenimet atje fokusoheshin kryesisht në dysheme. Parketi konsiderohej i dëmtuar dhe i papërshtatshëm për ushtrimet që mban “Shota”. Punimet janë kryer dhe aty tash ushtrojnë “Shota” dhe Baleti Kombëtar i Kosovës. Baleti po sikurse teatri është pa shtëpi pasi shfrytëzonin të njëjtën ndërtesë. Baleti muajin e kaluar ka mbajtur prova për shfaqjen “Rebounds. A Basketballet”, nën koreografi të gjermanëve Friederike Lampert dhe Jochen Roller. Ishin njoftuar se salla e ushtrimeve të “Shotës” – e inauguruar pas rinovimit më shumë se një dekadë më parë – do të jetë në rinovim për dy javë. Kishin para vetes dy opsione: ndërprerjen e provave dhe dështimin e shfaqjes ose gjetjen e një hapësire. I kanë kërkuar hapësirë një ndërmarrësi privat. Dhe aty kanë punuar deri para premierës.

Nëpërmjet një kontrate Amfiteatri i Pallatit të Rinisë dhe dy sallat e ushtrimeve të “Shotës” me punimet kapin shifrën e 146 mijë eurove.

Në anën tjetër, ndërtesa e mbyllur e Teatrit Kombëtar të Kosovës nëpërmjet shpikjes së MKRS-së se ajo paraqet rrezik mbetet në gjendje të njëjtë. Ende nuk ka të miratuar projekt të detajuar për të restauruar këtë monument. Për afat të nisjes së punimeve as që bëhet fjalë.

Image
Intervenimi në Amfiteatër është ndërmarrë si hap për të bërë pak përmirësime sa u përket ambienteve ku ulet publiku e po ashtu edhe në suva. Janë krijuar mundësi për funksionim më të mirë të elementeve përcjellëse të shfaqjeve...