Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Të zhbëhet, të shpërbëhet, të zhduket“ paralajmërohet si lojë kufijsh identiteti

Imazhi me të cilin është paralajmëruar ekspozita: “Të zhbëhet, të shpërbëhet, të zhduket“ e Laureta Hajrullahut (Foto: GKK)

Imazhi me të cilin është paralajmëruar ekspozita: “Të zhbëhet, të shpërbëhet, të zhduket“ e Laureta Hajrullahut (Foto: GKK)

Që në titull – “të zhbëhet, të shpërbëhet, të zhduket“ – ekspozita tingëllon komplekse dhe e tillë është. Në fund kuptohet se qasja e Laureta Hajrullahut është një ftesë për qëmtim. “Një përpjekje për ta parë botën më gjerësisht”, siç shkruhet në fjalinë e fundit të paralajmërimit të ekspozitës së saj në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të zhvendosur në atë që dikur quhej Galeria e Ministrisë së Kulturës – “Qafa”. Është ekspozita e parë e GKK-së për këtë vit. Në instalacionin e saj ajo fut në hapësirën ekspozuese dy “gurë” monumentalë dhe vepron përmes absurditetit dhe humorit. Në një kontekst janë gurë kufijsh, asi që shënjojnë territore. Por Hajrullahu, nëpërmjet qasjes së saj, zbërthen edhe kufij identitetesh në epokë teknologjie. Kuruar nga Michalina Sablik, në ekspozitën e saj, artistja vendos në qendër dy objekte të përmasave të mëdha, që ngjasojnë me gurë të pikseluar mbi sipërfaqet e të cilëve shfaqen projeksione holografike. 

“Për shekuj me radhë, gurët kanë shënuar kufijtë e fushave dhe të territoreve. Si material i qëndrueshëm, ata kanë simbolizuar përhershmërinë e rendit dhe të ligjit, pasi vendosej në vend, guri do të garantonte që një kufi do të mbetej i pandryshuar për vite me radhë. Përmes këtij veprimi, ajo nxjerr në pah jo vetëm çështjen e kufirit si diferencë, por edhe statusin e objekteve të pajetë në videolojëra”, shkruhet në komunikatën për media me të cilën paralajmërohet ekspozita, e cila do të hapet të mërkurën e javës që vjen. Aty shpjegohet se “pyetjet mbi privatësinë, gjininë dhe identitetin online janë thelbësore në punën e saj, ashtu sikurse edhe çështjet që lidhen me një të ardhme post-internet, në të cilën kufijtë janë gjithnjë e më të lëvizshëm”. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Artistja vë në pikëpyetje vetë idenë e parimeve dhe kufijve të fiksuar, duke zbuluar normalizimin e tyre përballë një realiteti fluid dhe të ndërlikuar, të strukturuar më pak nga vija të forta ndarëse, e më shumë nga membrana dhe sisteme gjysmë të përshkueshme”, shkruhet në koncept. Bazuar në paralajmërim, është zor e parashikueshme së çfarë e pret shikuesin në ekspozitën e artistes së lindur më 1997, krijimtaria e së cilës është shpalosur në “Bienalen Manifesta 14”, “Zona Sztuki Aktualnej”, Bazament Art Space në Tiranë, FORUM STADTPARK në Graz, “Tallinn Art Hall”, “Art Quarter” në Budapest, e të tjera. Kuratorja Michalina Sablik e lindur më 1993, sipas biografisë është historiane e artit, kuratore e ekspozitave dhe programeve publike, duke eksploruar artin si mjet kritik dhe spekulativ, politikat e narrativave surreale dhe post-identitare, e cila që prej vitit 2018 ka organizuar mbi 30 ekspozita në institucione kryesore të Polonisë dhe jashtë saj. Është emri i duhur për ekspozitën e Laureta Hajrullahut, e cila shquhet për qasjen ndaj artit si “mjet kritik dhe spekulativ”. Ekspozita “të zhbëhet, të shpërbëhet, të zhduket“, është dëshmia e radhës. “Përmes këtij veprimi, ajo nxjerr në pah jo vetëm çështjen e kufirit si diferencë, por edhe statusin e objekteve të pajetë në videolojëra. Duke vepruar kështu, ajo tregon fenomenin e ndërtimit të roleve të objekteve të pajeta, të cilat marrin rolin e mjeteve, objekteve të përditshme ose elementeve të peizazhit. Ky fenomen, krahas një vëzhgimi tinëzar, përbën një manifestim të ‘estetikës tërheqëse’: kufizimin e qëllimshëm të pranisë, largimi nga ekspozimi”, shkruhet në komunikatë. Ajo kthehet nga interneti i fëmijërisë, “një hapësirë që premtonte liri, nënkultura, identitete queer dhe avatarë të papërmbajtur. Për të dhe për bashkëmoshatarët e saj, rrjeti ishte një vend arratie, ndërtim botësh (worlding), krijimi i realiteteve alternative në të cilat kufiri mes online dhe jetës reale mbetej i qartë”. Sot, ai është i paqartë dhe dalja prej tij nuk është e kollajtë. Në këtë kontekst, ekspozita e saj është një alarm. “Sot, vektori i ikjes shpesh është kthyer mbrapsht. Ne kërkojmë strehim nga konsumimi i detyruar i lajmeve (doomscrolling), nga përmbytja e përmbajtjeve të pavlera të gjeneruara nga AI (AI slop), nga ndjenja e mbikëqyrjes së përhershme. Artistja propozon strategjinë e ‘zhbërjes’ (undo) si një gjest rezistence kundër forcave që rrafshojnë kompleksitetin dhe i shndërrojnë përdoruesit në pika të dhënash ose imazhe të idealizuara”, shkruhet në shpjegim. Por Laureta Hajrullahu hap një shteg, sepse ajo kërkon ato që i quan “koalicione të reja spekulative”, brenda të cilave mund të shfaqet një “inteligjencë alternative dhe një solidaritet i shpërndarë nëpër trupa, makina dhe objekte. “Një tërheqje nga performanca e identiteteve të veçanta dhe një përpjekje për ta parë botën më gjerësisht”, është ftesa e saj. 

Galeria Kombëtare e Kosovës, në janar, 2026-n e paralajmëroi si kapitull të ri që do të shënohet edhe me rikthimin në objektin e rinovuar, me projekt prej 1.4 milion eurosh, ku përfshihet edhe zgjerimi i hapësirave të punës dhe atyre për fundus. Ekspozita retrospektive e akademik Xhevdet Xhafës dhe ajo personale e Doruntina Kastratit qenë kumtuar si kryefjalë e programit të institucionit për këtë vit përderisa pjesa tjetër e programit do të zërë vend në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, e cila prej vitit të kaluar është shndërruar në një zgjatim të GKK-së. Gjithsej planifikohen dhjetë ekspozita dhe nis pikërisht me “Të zhbëhet, të shpërbëhet, të zhduket”. Në program sivjet rikthehet edicioni i 15-të i ekspozitës ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”, e bashkëkuruar nga May Makki dhe Ana Janevski. Në “Qafa”, pos Laureta Hajrullahut, për herë të parë në këtë institucion, me ekspozita personale do të prezantohen edhe: Bora Baboçi, Albe Hamiti, Anita Muçolli dhe Stephanie Rizaj. Po ashtu do të mbahet edhe edicioni i dytë i programit “Shtëpi” në bashkëpunim me Cité Internationale des Arts.