Në hapësirat ikonike të “Hamburger Bahnhof”, një ansambël i Filharmonisë së Kosovës dhe artistët e përfshirë kanë sjellë para publikut ndërkombëtar interpretimin e operës së artistit të njohur botërisht duke e kthyer veprën në përvojë që ndërthur muzikën, teatrin dhe instalacionin artistik. Versioni koncertal në Berlin shënon edhe mbylljen e ekspozitës së Petrit Halilajt, e cila që prej hapjes ka vendosur në qendër operën e tij të parë, të ndërtuar mbi mite, histori nga vendet ku ka kaluar fëmijërinë dhe kujtesë kolektive
Legjendat, mitet e fabulat e artistit Petrit Halilaj në operën bashkëkohore “Syrigana” kanë shpalosur rrëfimin edhe në kryeqytetin gjerman ku është shfaqur në version koncertal. Në “Hamburger Bahnhof”, një prej institucioneve më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë, interpretimi është dhënë në kuadër të ekspozitës “An Opera Out of Time”, që përbën versionin muzeal të operës “Syrigana” dhe njëherësh kapitullin qendror të ekspozitës personale të Halilajt në këtë institucion prestigjioz.
Në hapësirat ikonike të “Hamburger Bahnhof”, një ansambël i Filharmonisë së Kosovës dhe artistët e përfshirë kanë sjellë para publikut ndërkombëtar interpretimin e operës së artistit të njohur botërisht duke e kthyer veprën në përvojë që ndërthur muzikën, teatrin dhe instalacionin artistik. Versioni koncertal në Berlin shënon edhe mbylljen e ekspozitës së Halilajt, e cila që prej hapjes ka vendosur në qendër operën e tij të parë, të ndërtuar mbi mite, histori nga vendet ku ka kaluar fëmijërinë dhe kujtesë kolektive.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoUshtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se rikthimi në Berlin përbën moment të rëndësishëm në rrugëtimin e veprës.
“Jemi shumë të lumtur që po përmbyllet me sukses një projekt që nisi vitin e kaluar. Premiera e ‘Syriganes’ u dha në qershor të vitit të kaluar, ndërsa tani po rikthehemi në Berlin për të shënuar mbylljen e ekspozitës së Petrit Halilajt, pjesë integrale e së cilës është edhe kjo vepër”, ka thënë Selimaj në një përgjigje për KOHËN.
Opera bashkëkohore “Syrigana” u dha premierë më 29 qershor të vitit të kaluar në Syriganë të Skenderajt dhe bazohet në legjendat e asaj ane, se Adami dhe Eva u ndalën aty derisa bënë xhiro gjithandej globit duke kërkuar njerëz, të cilët ia dolën t’i hasnin veç kur mbërritën në Runik të Skenderajt. Rrjedha e legjendës çon në kodër të Syriganës – fshat fqinj me Runikun – ku banorët lokalë do t’i martonin Adamin dhe Evën. Dyshja jo nëpërmjet legjendës, por në lojë operistike martohen në Syriganë.
Në këtë projekt muzikor, përmbajtja me referenca biblike është dialogu me libretin, i cili bie në kundërshtim me këndimin e dy sopranove: Urta Haziraj dhe Nina Guo. Ndryshe nga premiera në Syriganë kur Orkestra ishte dirigjuar nga Gregory Charette, në Berlin është udhëhequr nga Marco Crispo, të dytë dirigjentë me të cilët Filharmonia punon shpesh kohëve të fundit.
Megjithëkëtë, zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka bërë me dije se koncepti muzikor nuk ka ndryshuar, por janë bërë ndryshime në aspektin vizual.
“Koncepti artistik ka mbetur besnik ndaj vizionit të prezantuar në premierë, duke ruajtur tërësinë e tij estetike dhe dramaturgjike. Megjithatë, janë bërë disa përshtatje, veçanërisht në aspektin vizual, për t’iu përgjigjur specifikave të hapësirës së Hamburger Bahnhof. Krijimi i kukullave dhe i të gjithë elementëve skenikë ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe konsideroj se të gjitha komponentët e veprës kanë funksionuar në harmoni me njëra-tjetrën”, ka treguar Selimaj.
Ka thënë se tashmë vepra ka potencialin të vazhdojë rrugëtimin ndërkombëtar.
“Katër shfaqjet në Berlin përbëjnë një përmbyllje të rëndësishme të asaj që mund ta quajmë cikli i parë i jetës së ‘Syrigana’. Besoj se vepra tashmë ka fituar identitetin e saj artistik dhe ka potencialin të vazhdojë rrugëtimin e vet edhe në skena të tjera në të ardhmen”, ka konsideruar ai.
Edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Saranda Bogujevci, e ka cilësuar prezantimin në Berlin si një dëshmi të fuqisë së artit vendor për të depërtuar në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.
“Pas prezantimit të parë verën e kaluar në Syriganë, opera mori sonte një formë të re në Berlin, duke e shndërruar hapësirën e ekspozitës në një përjetim të veçantë mes muzikës, instalacionit dhe teatrit. Përmes gjuhës së tij unike artistike, Petrit Halilaj vazhdon të ndërtojë ura mes kujtesës sonë kolektive dhe skenave më të rëndësishme ndërkombëtare, duke e kthyer përvojën dhe imagjinatën në art që tejkalon kufijtë”, ka shkruar Bogujevci e cila ka qenë e pranishme në ngjarje.
Rrëfimi i “Syriganës” nis me Adamin dhe Evën të sjellë artistikisht me kostumet e gjelit dhe dhelprës, që zbërthejnë dashurinë e forcën. Drama qendrore fokuson përjashtimin nga Kopshti i Edenit pasi shijojnë frutën e ndaluar. Në kërkim të një vendi ku dashuria e tyre mund të lulëzojë, vendosin të qëndrojnë në Syriganë, ku martohen me këngë popullore vendore nga grupi “Don’t listen to your neighbours”.
Në premierë qe bërë e ditur se do të rikonstruktoheshin rekuizitat për këtë ekspozitë në “Hamburger Bahnhof” si instalacion i krijuar enkas për hapësirën ku u paraqit. Ekspozita u mbyll të dielën.
“Hamburger Bahnhof” është një prej muzeve më të rëndësishëm të artit bashkëkohor në Gjermani. I vendosur në një ish-stacion hekurudhor historik të Berlinit, institucioni është shndërruar në një qendër të rëndësishme për ekspozita, instalacione dhe projekte multidisiplinare të artistëve me ndikim ndërkombëtar. Ekspozita e Halilajt aty është cilësuar si ekspozita e tij e parë e madhe institucionale në Berlin dhe përfshin instalacione, skulptura e rrëfime që trajtojnë luftën, mërgimin, identitetin dhe lirinë kulturore.

Halilaj në fund të prillit në Berlin shpalosi edhe një rrëfim tjetër. Në lexim të parë është “Çajtore”. Intervenimi e ka bërë edhe “Gaytore”. Brenda është një Kosovë në miniaturë. Titulli i ekspozitës është kompleks: “Kujt i përket toka derisa pikturohet era?” Historia e zanafilla e saj, po ashtu: Kur në Drenicë po përgatitej për operën “Syrigana”, një kontejneri rekuizitash iu vu flaka. Në të u lanë shenjat e nacionalizmit serb. Petrit Halilaj heshti deri në fundprill. Kontejnerin e shkrumbuar e shndërroi në vepër arti, atij i dha tjetër jetë duke denoncuar krimin, por duke i dhënë tjetër kuptim. Dëshmoi pafuqinë e nacionalizmit për ta prishur parajsën e tij – Kosovën. Aty ka edhe vepra që gjatë luftës, e ëma e tij ia groposi. Por “Çajtorja” në Berlin, s’është vetëm historia e tij.
“Një pjesë e madhe e skenografisë së ‘Kopshtit të Edenit’ u shkatërrua nga zjarri, nga lulet skulpturore dhe dardhat, deri tek okarinat dhe rekuizitat si helikopterët dhe qilimat”, shkruhet në sqarimin e ekspozitës në Berlin. Dardhat tash janë në ekspozitë si lidhje me Dardaninë, Kosovën e antikitetit. Copëzat e mëdha të kontejnerit të shpërndara për efekt vizual shoqërohen edhe nga zogj të zinj me shumë simbolika. E dardha vjen si etimologji e Dardanisë e shtjellim i rrëfimeve historike, folklorit dhe besimeve popullore. Ekspozita përmban edhe shumë vepra të tjera me dhjetëra simbolika.
“Në atë kontejner ishin pjesë të një parajse që po e ndërtonim: dardhat, lulet, elementet e skenës, gjurmët e një ëndrre kolektive. Pas djegies, aty mbetën edhe mesazhe urrejtjeje të shkruara me sprej, ndër to ‘kill you’ dhe shenja që lidhet me katër C-të/kryqin serb, që shpesh interpretohet përmes frazës ‘Samo sloga Srbina spašava’ – ‘Vetëm uniteti i shpëton serbët’. Ky simbol është pjesë e heraldikës dhe identitetit nacional serb, por në kontekstin e luftërave të viteve 1990 dhe të dhunës në hapësirat e ish-Jugosllavisë është përdorur shpesh edhe si shenjë nacionaliste dhe kërcënuese”, ka thënë Halilaj. Ka sqaruar se kur një shenjë e tillë shfaqet mbi një kontejner të djegur në Drenicë, bashkë me fjalët “kill you”, ajo nuk mund të lexohet vetëm si dekor apo si rastësi. Sipas tij, ajo bëhet pjesë e një historie më të gjatë të frikësimit, urrejtjes dhe tentativës për të ndalur kulturën.
Përtej kësaj, opera “Syrigana” e lë në pikëpyetje mbijetesën e dashurisë midis Evës dhe Adamit nga burimi në Syriganë, për Syriganën, rrëfimi veçse ka nisur të fluturojë në skenën ndërkombëtare. Ashtu siç Halilaj ia del të çojë veprat e frymëzuara nga vendlindja e tij në hapësirat më prestigjioze artistike.