Në skenë Luana Bajramin e kanë prezantuar si aktore nga Kosova, përderisa kjo arritje përtej një alamet çmimi është edhe një frymëzim për talentet e një vendi të vogël që para pak më shumë se çerek shekulli është përballur me luftë e tentim të spastrimit etnik. Prej së dielës, “Two People Exchanging Saliva” me Luana Bajramin si “Malaise” hyn te filmat më të vlerësuar të Akademisë Amerikane me “Oscar” për kategorinë “Best Live Action Short”
Shenjat e një ylli të ri në ngritje në botën e kinematografisë Luana Bajrami i ka dhënë qysh në hapat e parë si aktore e si regjisore. E lindur në Kosovë dhe e rritur në Francë, Bajrami të dielën mbrëma është bërë shqiptarja e parë që ka prekur skenën çmimeve më prestigjioze që njeh bota e filmit, “Oscars”. Filmi ku ajo ka rol qendror ka marrë trofeun e madh për kategorinë “Best Live Action Short”. Në skenë atë e kanë prezantuar si aktore nga Kosova, përderisa kjo arritje përtej një alamet çmimi është edhe një frymëzim për talentet e një vendi të vogël që para pak më shumë se çerek shekulli është përballur me luftë e tentim të spastrimit etnik. Prej së dielës, “Two People Exchanging Saliva” me Luana Bajramin si “Malaise” hyn te filmat më të vlerësuar të Akademisë Amerikane.
Kur është thirrur titulli i filmit, midis atyre që ia kanë mësyrë skenës së teatrit “Dolby” ku është mbajtur ceremonia e edicionit të 98-të të “Oscars” në Los Angeles, ka qenë edhe aktorja nga Kosova e cila, të shtunën – një ditë para ceremonisë – ka mbushur 25 vjeç.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Luana Bajrami nga Kosova” është prezantimi që asaj ia ka bërë ekipi i filmit midis emocioneve të marrjes së Çmimit. E Bajrami është përqafuar me kolegët në skenë, duke manifestuar arritjen e madhe. Në mbrëmjen kur krejt bota ka pasur sytë kah Los Angeles, Bajrami ka dërguar atje edhe emrin e vendit ku është lindur. E filmi ku luan dhe është shpërblyer, tashmë do të shikohet edhe më shumë. Aty Bajrami si Malaise është një e re që nis të punojë në një butik prestigjioz në Paris. Bashkëprodhimi midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive” e sjell Bajramin si personazh ku kryqëzohet shumëçka. Në filmin bardhezi, me skenar dhe regji të dyshes Alexandre Singh dhe Natalie Musteata, imagjinohet një Paris distopik ku shuplakat në fytyrë kanë zëvendësuar paranë dhe puthjet janë të ndaluara, madje të dënueshme me vdekje. Kur një grua e re, Malaise (Luana Bajrami), fillon punën në një butik magjepsës, ajo krijon shpejt një lidhje me një kliente të pasur, Angine, duke ndezur zilinë e mbikëqyrëses së saj. Një komedi e errët mbi tërheqjen dhe rivalitetin, e zhvilluar në një sfond të çuditshëm dhune të stilizuar, filmi u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Telluride të SHBA-së dhe mori Çmimin e Madh të Jurisë në “AFI Fest”, i organizuar nga Instituti Amerikan i Filmit. Producente ekzekutive të projektit janë Julianne Moore dhe Isabelle Huppert. Në 36 minuta Bajrami vjen si një vajzë lozonjare brenda mundësive që ka brenda konceptit të filmit. Portreti i saj plotëson errësirën që mbulon atë Paris imagjinar me tendencën që si e re të lëvizë pak kufijtë e rregullave. Është një dramë e vështirë edhe për tu imagjinuar dhe Bajrami i përshtatet si karakter kryesor. Të dielën mbrëma filmi ka marrë vlerësimin më të madh në glob. E fakti që aty është edhe Bajrami ka bërë që jehona e Çmimit të prekë edhe Kosovën.
Aktori Afrim Muçaj, i cili është angazhuar në dy filma ku Bajrami qe regjisore. Të hënën ai ka thënë se që atëherë ishte e qartë se kemi të bëjmë me një artiste shumë të veçantë.
“Ajo ka një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj punës dhe një ndjeshmëri të rrallë artistike. Suksesi i saj në skenën ndërkombëtare dhe arritja që të jetë shqiptarja e parë e lidhur me një moment kaq të madh si Academy Awards është një moment historik, jo vetëm për të, por edhe për gjithë ne në Kosovë”, ka thënë Muçaj. Sipas tij, suksesi i Bajramit është dëshmi e madhe.
“Është një dëshmi e fuqishme se talenti nga vendi ynë mund të arrijë majat më të larta të kinemasë botërore kur bashkohen puna, guximi dhe vizioni artistik. Për ata që e kanë parë nga afër rrugëtimin e saj, ky sukses është plotësisht i merituar dhe një krenari e madhe”, ka thënë ai.
Për Qendrën Kinematografike të Kosovës, lajmi për Bajramin është dëshmi e fortë për talentet nga shteti më i ri në Evropë.
“Një moment i veçantë krenarie për kinemanë kosovare është pjesëmarrja e aktores Luàna Bajrami, e cila është pjesë e kastit të këtij projekti fitues. Pas sukseseve të vazhdueshme në skenën ndërkombëtare të filmit, Bajrami vazhdon të përfaqësojë me dinjitet talentin e artistëve kosovarë në industrinë botërore të kinemasë”, shkruhet në reagimin e QKK-së. E për Qendrën Kombëtare të Filmit në Shqipëri, ky vlerësim i Akademisë Amerikane nuk është vetëm një triumf personal i Bajramit, por një dëshmi e fuqisë dhe talentit të pashtershëm që artistët tanë po tregojnë në skenat më prestigjioze të botës.
“Ky moment shënon një gur themeli për filmin shqiptar dhe na mbush me shpresë për rrugëtimin tonë të përbashkët drejt majave të artit botëror”, shkruhet në reagimin e këtij institucioni.
Të hënën Bajrami është përgëzuar edhe nga udhëheqësit shtetërorë të Kosovës.
“Jemi krenarë me këtë arritje të madhe të Luanës, aktores së patrembur, të lindur në Kosovë e cila përfaqëson më të mirën e të rinjve tanë: talentin, vendosmërinë dhe besimin për t’i ndjekur edhe ëndrrat më të mëdha”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale.

Përgëzime për Bajramin ka pasur edhe ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci.
“Java nisi me një lajm të jashtëzakonshëm. Aktorja jonë, Luana Bajrami, shkëlqeu në ceremoninë më prestigjioze të kinematografisë botërore, Oscar, ku filmi ‘Tëo People Exchanging Saliva’, me regji të Alexandre Singh dhe Natalie Musteata, u shpall ‘Filmi më i mirë i shkurtër’”, ka thënë ajo nëpërmjet rrjeteve sociale.
Nëpërmjet filmave të saj si “Luaneshat e kodrës”, Luana Bajrami e çoi Kosovën në festivalet më me nam sikurse Festivali i Filmit në Cannes më 2021. Në Festivalin e Filmit në Venecie, Bajrami shkoi si aktore në “Heppening” të Audrey Diwan që mori “Luanin e Artë” më 2021, e aty u rikthye një vit më pas me filmin e saj “Bota jonë” një rrëfim për realitetet e ashpra të jetës në Kosovën e pasluftës dhe dëshirën e zjarrtë të të rinjve për t’i kapërcyer ato vështirësi.
Në vjeshtën e vitit 2023 Bajrami do të vinte në Kosovë në “Prishtina International Film Festival” pasi filmi ku luan ajo, “Toka brenda meje”, kishte premierën kosovare. Bajrami asokohe 22-vjeçare si njëra prej aktoreve e regjisoreve më premtuese nga Kosova, në një intervistë për KOHËN kishte përshkruar rrugëtimin e saj, filmat që ka realizuar, temat që e ngacmojnë dhe qëllimet që synon t’i realizojë nëpërmjet artit.
“Besoj se njëra punë e zhvillon tjetrën”, kishte thënë ajo derisa fliste se ku planifikon të fokusohet më shumë në regji apo aktrim. Do të thoshte se Kosova është një burim inspirimi dhe historitë lokale duhet të shfaqen gjithandej botës, pasi mund të përjetohen edhe në vende të tjera ku shoqëritë përballen me telashe të njëjta.
“Është me rëndësi për mua të jap inspirim dhe të eksploroj tematikën e rinisë, por më gjerësisht tematikën e njeriut. Kjo është esenca ime për momentin, sepse besoj se evoluon edhe gjatë procesit të artistit”, kishte thënë ajo.
Planifikonte që të vazhdojë të punojë fort dhe pohonte se ka për qëllim ta inspirojë rininë. Dhe këtë po e arrin si askush tjetër. Si pjesë e filmave që tash kanë hyrë edhe në listën e “Oscars”.