Grupi KOHA sot do t’i ndajë shpërblimet “Rexhai Surroi” për letërsi dhe gazetari të shkruar. Ceremonia do të mbahet në Prishtinë nga ora 13:00.
Ky do të jetë edicioni i 18-të i shpërblimeve tradicionale për gazetari të shkruar dhe letërsi.
Vitin e kaluar çmimi për gazetari të shkruar u nda në dysh mes Dafina Halilit dhe Uran Haxhës. Halili u shpërblye për tekstin “Ngacmimi seksual kalon pa u dënuar në Universitetin e Prishtinës” e Haxha për tekstin “Djersa e përçmuar e bujqve”.
Shpërblimin “Rexhai Surroi” për letërsi e ka marrë Jetlira Avdiaj për romanin në dorëshkrim, “Toka e babës”. Me po këtë roman të botuar nga Botimet KOHA, Avdiaj ka marrë Çmimin e autores së vitit në Panairin e Librit në Prishtinë.
Për gazetari të shkruar fituesi do të marrë 1000 euro, ndërsa për letërsi 1500 euro si dhe botimi i garantuar i veprës nga Shtëpia Botuese “Botimet KOHA” për veprat e pabotuara.