Një mur i antikitetit të vonë, që ka qenë një nga fortifikimet më të hershme, i cili më pas është prishur dhe përdorur si themel për muret e mesjetës në Kalanë e Gjirokastrës, fshihte skeletin e një mashkulli dhe të një kali. Pozicioni i skeletit ngre hipoteza për një formë të pazakontë varrimi me funksion ritual apo simbolik
Në fazën përmbyllëse të gërmimeve arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës, janë identifikuar mbetjet skeletore të një mashkulli, të pozicionuar brenda një muri të periudhës së antikitetit të vonë, së bashku me skeletin e një kali të zbuluar në afërsi. Sipas arkeologëve, struktura ku është kryer zbulimi i përket një faze më të hershme fortifikimi rreth shekullit VI të erës sonë, e cila më pas është dëmtuar dhe ripërdorur si bazament për ndërtimet mesjetare.
Sipas mediave të Shqipëri, Pamela Llapaj, drejtuesja e gërmimeve ka sqaruar se është gjetur një mur i antikitetit të vonë, që ka qenë një nga fortifikimet më të hershme, i cili më pas është prishur dhe përdorur si themel për muret e mesjetës më pas.
“Përveç gjetjeve të qeramikës, kemi pasur edhe një skelet njeriu të vendosur brenda në mur dhe një skelet kali. Pozicioni i skeletit ngre hipoteza për një formë të pazakontë varrimi, ndoshta me funksion ritual apo simbolik, tipik për figura ushtarake të kohës”, citohet të ketë thënë ajo. Gërmimet kanë hapur shtigje të reja me artefakte që nuk zbardhin dëshmi vetëm për Kalanë e Gjirokastrës.
“Për momentin gërmimet mbyllen, por janë shumë interesante sepse po gjejmë themele më të hershme dhe faza jetese dhe fortifikimi për të cilat nuk dihet asgjë”, citohet të ketë thënë Llapaj. Me të dhëna të sakta, autoritetet do të dalin pas hulumtimeve dhe analizave të materialeve arkeologjike.
“Ndoshta studimet e mëvonshme do të sjellin më shumë informacion për këto periudha të panjohura të historisë sonë”, ka shtuar ajo.
Ky zbulim pason punën e mëparshme të arkeologut Damian Komata, i cili kishte identifikuar një pjesë muri brenda galerisë së Kalasë.
Edhe pse konkluzionet përfundimtare do të varen nga analizat e mëtejshme antropologjike dhe stratigrafike, vetë fakti që një individ, ndoshta luftëtar, dhe kali i tij janë gjetur në këtë pozicion, e pasuron mozaikun historik të zonës dhe nxit pyetje të reja mbi zakonet dhe praktikën funerale të kohës.
Gjetjet e këtij sezoni pritet të kontribuojnë në ndriçimin e një periudhe disi të errët e ende pak të njohur të historisë.
Sipas shënimeve të deritanishme Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe kulturore të Shqipërisë. Kalaja është ndërtuar në shekullin XIII si një fortifikim i hershëm dhe ka pësuar zgjerime të rëndësishme gjatë periudhave osmane dhe të Ali Pashë Tepelenës në shekullin XIX. Ajo është e pozicionuar mbi një kodër që dominon qytetin dhe Luginën e Drinos, duke ofruar pamje mbresëlënëse.
“Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. “Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pasur dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Nga Kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit osman-shqiptar të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur”, shkruhet në shënimet për të. E, sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672, “kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme, krejt prej guri të gdhendur.
“Në mes të kalasë ndodhej një rrugë e gjerë me drejtim lindje-perëndim, në të dy anët e së cilës ndodheshin 200 shtëpi. Ajo kishte dy porta hekuri me nga tri palë dyer dhe një hendek 100 hapa të gjatë dhe 200 hapa të gjerë midis namasgjahut dhe fortesës. Ndërsa të tri anët e tjera nuk kishin nevojë për hendek pasi janë përrenj natyrorë”, shkruan ai. Në vitin 1417, Kalaja u pushtua nga turqit pas një rrethimi të gjatë. Me kalimin e viteve, ajo filloi të luajë gradualisht rolin e një kështjelle për qëndrimin e sunduesit dhe garnizonit të qytetit. Në vitin 1812, Kalaja e Gjirokastrës u pushtua nga Ali Pashë Tepelena, i cili filloi rindërtimin e saj.