Çmimet vjetore për art dhe kulturë janë rikoncepturar duke zgjeruar fushat e duke rritur vlerat monetare, por prej sivjet nuk do të ketë emra çmimesh siç qe krijuar traditë për dekada me radhë. Në ceremoni si këto, tash e tutje nuk do të përmenden Katrina Josipi, Bekim Fehmiu, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Ibrahim Rugova, Muslim Mulliqi a Niketë Dardani. Ministria nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për këtë rikonceptim që rithemelon çmime pa emra personalitetesh
Ministria e Kulturës ka rikonceptuar krejt çmimet vjetore që ndan për art dhe kulturë. Kush më gjatë e kush më shkurt, krejt çmimet kanë krijuar traditë dhe janë njohur edhe për shkak të emrave që kanë bartur, emra të artistëve me nam në historinë e artit vendor e ndërkombëtar.
Por prej sivjet, asnjë çmim s’ka emër të veçantë, përderisa disa prej tyre janë rikonceptuar edhe sa u përket kategorive, duke mos pasur më vend të dytë e të tretë, por vetëm një çmim. Kurse sa i përket vlerës monetare, ajo është rritur për të gjitha çmimet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe konkursin e sivjetmë për çmimet vjetore në fushën e artit e kulturës, Ministria e Kulturës ka nisur së aplikuari aktin e ri nënligjor, Rregulloren për çmimet vjetore të artit dhe kulturës. Çmimi për dramë origjinale shqipe më s’do ta ketë emrin e aktores Katarina Josipi, ai për vepër jetësore në kinematografi s’do ta ketë emrin e Bekim Fehmiut, ai për letërsi atë të Azem Shkrelit, e ai për muzikë atë të Niketë Dardanit. Asnjë çmim vjetor për letërsi s’do ta ketë emrin që ka bartur deri vjet: për prozë “Anton Pashku”, për poezi “Ali Podrimja”, për letërsi për fëmijë “Vehbi Kikaj”, për kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” dhe për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”.
Rregullorja e re, e miratuar vjet nga asokohe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përcakton nëntë kategori çmimesh: çmimet në fushën e letërsisë, ato në fushën e arteve skenike, në fushën e kinematografisë, në fushën e muzikës, të artit pamor, në fushën e vallëzimit, në fushën e arkitekturës, çmimi vjetor për përfaqësim ndërkombëtar dhe ai për krijuesit dhe performuesit e rinj.
Te letërsia, nënkategoritë e çmimit nuk janë prekur në përmbajtje. E te çmimet e dramës ka ndryshuar “loja”. Pos traditës së emrit, s’do të ketë më vend të parë, të dytë e të tretë. Do të ketë veç një çmim dhe ai hyn në kategorinë e çmimeve në fushën e arteve skenike. Çmimi vjetor për dramën origjinale shqipe mban këtë titull. Në këtë kategori hyjnë edhe Çmimi vjetor për shfaqjen më të mirë, ai për regjinë më të mirë, për aktrimin më të mirë dhe ai për kreativitet teatror. Për shfaqjen me sukses më të madh ndërkombëtar, s’ka më çmim të veçantë.
Te çmimet për kinematografi, pos largimit të emrit te Çmimi kombëtar për arritje jetësore që e mbante “Bekim Fehmiu”, është shuar edhe nënkategoria e Çmimit vjetor për kreativitet kinematografik. Te çmimet e muzikës mungon vetëm emri “Niketë Dardani”, kurse te çmimet në artet pamore, pos heqjes së emrit të Muslim Mulliqit, janë shtuar edhe nënkategoritë për Çmimin vjetor për fotografi, ai për dizajn dhe multimedia dhe Çmimi vjetor për ekspozitën më të mirë, që i ndahet artistit dhe kuratorit.
Kategori më vete tash janë çmimet në fushën e vallëzimit. Në këtë kategori do të ketë Çmim kombëtar për arritje jetësore në fushën e vallëzimit dhe më pas Çmim vjetor për koreografinë më të mirë të valleve folklorike, Çmim vjetor për koreografinë më të mirë të vallëzimit bashkëkohor dhe Çmim vjetor për valltarin ose valltaren, apo balerinin ose balerinën më të mirë.
Sivjet risi është edhe Çmimi kombëtar për arritje jetësore në fushën e arkitekturës.
Çmimi vjetor për përfaqësim ndërkombëtar tash është kategori më vete dhe laureatët mund të jenë individët, grupet, institucionet ose formacionet që kanë arritur sukses të shquar në paraqitjet ndërkombëtare brenda vitit të fundit kalendarik. Sipas Rregullores së re, ky çmim nderon laureatët e çmimeve prestigjioze ndërkombëtare apo arritjeve të jashtëzakonshme të shënuara në skenën ndërkombëtare të artit, të cilat kanë kontribuuar në promovimin e kulturës dhe artit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sivjet po ashtu risi është edhe Çmimi vjetor për krijuesit dhe performuesit e rinj, me të cilin vlerësohen individët ose grupet artistike në fillimet e karrierës së tyre që kanë shfaqur aftësi të jashtëzakonshme dhe arritje të dukshme në fushën e artit që i përkasin, duke premtuar potencial serioz për zhvillim artistik në të ardhmen.
Nominimet për të gjitha kategoritë e çmimeve mund të bëhen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, institucionet qendrore të kulturës, institucionet lokale të kulturës, institucionet akademike dhe shkencore, asociacionet profesionale të artit dhe kulturës, organizatat joqeveritare dhe ndërmarrjet që veprojnë në kuadër të skenës së pavarur kulturore, individë nga skena e pavarur e kulturës dhe vetë krijuesit dhe performuesit.
Sa i përket vlerës monetare, ajo është dyfishuar. Për çmimin kombëtar për arritje jetësore shpërblimi është 10 mijë euro, kurse për çmimin vjetor 5 mijë euro.
KOHA ka pyetur Ministrinë e Kulturës se përse janë rikonceptuar çmimet në formatin e tanishëm, përse është humbur tradita e emrave që kanë bartur çmimet dhe po ashtu përse te Çmimi për dramë origjinale shqipe s’do të ketë vend të dytë e të tretë. Por MKRS-ja nuk është përgjigjur. Thirrja për propozime është e hapur deri më 12 prill.
Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili ka qenë udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës prej vitit 2008 deri më 2011, ka thënë se është thellësisht dëshpërues lajmi që MKRS-ja sivjet ka shuar konkursin për dramë shqipe “Katarina Josipi”.
“Ky konkurs i rëndësishëm, me një histori e traditë të gjatë, i themeluar në vitet ‘70, dhe i rinisur në vitin 2009, ka luajtur rol themelor në mirëmbajtjen, zhvillimin dhe stimulimin e dramaturgjisë kombëtare. Për më tepër, ai ka qenë një ndër organizmat e rralla që ka bartur emrin e një gruaje krijuese. Përse duhet të shuhet kështu një traditë kaq e gjatë, përse dikujt mund t’i pengojë emri i një gruaje krijuese? Është e pafalshme dhe mendoj që ky nuk është starti më i mirë dhe më i dinjitetshëm për ministren e re të Kulturës”, ka thënë ai. Rekomandimi i tij, duke shpresuar se i bashkohen krijuesit e tjerë, është që ai çmim të kthehet. Sipas Nezirajt, Ministria mund ta riformatizojnë çmimin, por duke ia ruajtur historinë dhe emrin.
“Ndërkohë, e kuptova që, MKRS paska hapur një konkurs të përgjithshëm, ku paska futur në një thes të gjitha çmimet, duke përfshirë edhe një çmim për ‘Dramën Origjinale Shqipe’. Por, askund në thirrje nuk shpjegohen kriteret. Pra, a bëhet fjalë për dramën më të mirë të inskenuar në sezonin e kaluar, apo për drama të reja të shkruara, e çka nënkuptojnë me termin ‘dramë origjinale’ etj.”, ka thënë ai. Neziraj ka shtuar se mendon që ky është një veprim i ngutshëm, jo mirë i menduar, së paku për sa i përket kësaj kategorie të çmimeve.
Milazim Salihu, i cili ka udhëhequr me kinemanë “ABC” dhe tash drejton një rrjet kinemash private, njëherësh mik i aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu, ka thënë se veprimi i Ministrisë së Kulturës për largim emrash nga çmimet është jonormal.
“Nuk është normale pasi një Bekim Fehmiu e ka e gjithë shqiptaria. Edhe për emrat e tjerë ka menduar dikush që i ka vënë. Nuk mund të nisë historia tash. Po e shohim çfarë po bëhet edhe me dekorata që po i jepen gjithkujt. Largimi i emrave është marre. Edhe ashtu njerëzit kanë mbetur në harresë. Tash le t’i largojnë edhe emrat e personaliteteve nga çmimet”, ka thënë ai.
Udhëheqësi artistik aktual i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se beson thellë që të vdekurit duhet të nderohen gjithmonë, pa përjashtim, dhe kurrsesi të përdoren në mënyra që, pa dashje, i vënë në pozitë të diskutueshme apo i ekspozojnë ndaj krahasimeve të padrejta.
“Kur një çmim mban emrin e një artisti, ai emër fillon të lakohet çdo vit, në çdo vendim jurie, në çdo debat publik. Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e përzgjedhjes, me pakënaqësitë, me polemikat. Dhe kështu, pa e kuptuar, ne fillojmë ta përdorim figurën e tij si instrument, jo si vlerë. Pikërisht për këtë arsye, qëndrimi im personal është i qartë: çmimet vjetore nuk duhet të mbajnë mbiemra e as emra”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, artistët që nuk janë më mes nesh duhet të respektohen me forma të tjera, si me monografi, arkiva, rikthim të veprave të tyre, me studim e kujtesë institucionale të dinjitetshme.
“Por jo përmes një çmimi që çdo vit e vendos emrin e tyre në një proces konkurrues, shpesh të debatueshëm. Më kujtohet edhe tendenca që çmimi për regjisorin më të mirë të emërtohej me emrin e Bekim Lumit. Qëllimi ka qenë i mirë, por historia na ka treguar që kjo qasje është e gabueshme. Sepse të vdekurit duhet t’i lëmë të qetë. Nëse nuk dimë, e jam i bindur që shpesh nuk dimë, t’i nderojmë siç duhet të gjallët, atëherë së paku mos t’i përdorim të vdekurit në forma që mund t’i dëmtojnë. Respekti i vërtetë nuk është në emërtim. Respekti është në mënyrën si e ruajmë dhe e trajtojmë trashëgiminë e tyre”, ka thënë ai.
Ministria e Kulturës në vitin 2017 e themeloi çmimin ndërkombëtar “Letërsia shqipe”. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, qe laureati i parë. Prej atëherë e deri në marsin e vitit të kaluar, një çmim si ky u harrua krejtësisht. U rikthye kur u nderua shkrimtari Rexhep Qosja.