Kulturë

“Siparantum” i bashkohet thirrjes globale për mbrojtjen e natyrës

Prishtinë, 13 dhjetor – I madh e i vogël pjesë e korit “Siparantum”, nëpërmjet këngës “World On Our Shoulder”, po kërkonin që të veprohet në mbrojte të natyrës. Sebep është bërë degradimi mjedisor i cili po thellon krizën klimatike. “World On Our Shoulder” apo në shqip “Bota në shpatullat tona” është titulluar kënga që po bashkon mbi 100 kore nga vendet të ndryshme të botës. Në mesin e tyre është edhe kori kosovar. Secili në versionin e vet po e sjell këngën e cila është edhe zemra e projektit “Resolution 2020”.

Me pamje nga Gryka e Rugovës, ku shihet Lumbardhi duke rrjedhur, fillon videoklipi i korit nga Peja, i lansuar të enjten. Aty shihen edhe Ura Tibetiane, për t’u zhvendosur në parkun e qytetit “Karagaç” e te Stacioni i Trenave në Pejë.

Anëtarët e korit duke promovuar bukuritë e këtij qyteti kërkojnë që ato të mbrohen. Por thirrja e tyre nuk ndalet vetëm në qytetin perëndimor të Kosovës. Sipas tyre, njëlloj duhet të veprohet edhe në çdo vend tjetër: të mbrohet mjedisi.

Këtë kauzë e përthekojnë me këngën e kompozuar nga Robin Howl, Violet Skies dhe Holly Fletcher në “Decca – Universal Music”. Dua Basha, Klea Dina, Enisa Mujaj, Mevlud Rrahimaj, Matej Karaqi, Zana Berisha, Fatmir Bajraktari, Rizah Jahaj dhe Erjona Rama janë solistët që së bashku me anëtarët e tjerë të korit i kanë dhënë zë këtij kompozimi.

“World On Our Shoulder” po këndohet në versione të ndryshme nga disa kore që i janë bashkuar projektit.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)