Kulturë

“Shtëpi” me pyetjet e dilemat e artistëve të rinj që ia mësynë Parisit

sht

“Takohemi në fushën e luleve të çrregulluara (glitching)” është titulli i veprës së Renea Begollit. Instalacioni me video, pikturë e skulpturë fragmenton peizazhet, duke sjellë lule nëpërmjet materialeve të reja dhe të ricikluara. Një pjesë të mirë të hapësirës ajo e lulëzon me veprat e saj plot ngjyra

Në hapësirën e institucionit shtetëror të artit vizual, veprat e Renea Begollit, Kreshnik Arifit dhe Lumturie Krasniqit janë veprat me të cilat tre artistët kanë marrë biletë për pjesëmarrje në rezidencën tremujore në kryeqytetin francez. Ata do të jenë pjesë e programit të “Cité Internationale des Arts” nga 3 marsi deri më 28 maj të vitit të ardhshëm për të krijuar art e për ta shijuar atë. Apo edhe thjesht, siç thonë nga GKK-ja, si kohë për të reflektuar

Në shtator, Galeria Kombëtare e Kosovës hapi thirrjen për artistë që do të merrnin pjesë në një rezidencë artistike në Paris, me synimin e ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe të krijojë hapësira të reja për zhvillimin e skenës artistike. Nëpërmjet programit “Shtëpi” edhe debutoi me rezidencë në bashkëpunim me “Cité Internationale des Arts” – një prej programeve më të rëndësishme të rezidencave artistike në Francë. Artistë nga Kosova kanë qenë edhe më herët në këtë rezidencë në Francë. Tash, puna e tre artistëve laureatë të edicionit të parë të programit të GKK-së është ekspozuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës si dëshmi e praktikave të tyre. 

Në hapësirën e institucionit shtetëror të artit vizual, veprat e Renea Begollit, Kreshnik Arifit dhe Lumturie Krasniqit janë veprat me të cilat tre artistët kanë marrë biletë për pjesëmarrje në rezidencën tremujore në kryeqytetin francez. Ata do të jenë pjesë e programit të “Cité…” nga 3 marsi deri më 28 maj të vitit të ardhshëm për të krijuar art e për ta shijuar atë. Apo edhe thjesht, siç thonë nga GKK-ja, si kohë për të reflektuar. 

Juria profesionale e përbërë nga ekipi i programit francez të rezidencave “Cité…”, e ka bërë përzgjedhjen e artistëve përfitues. E ekspozita është kuruar nga kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj. Ajo ka thënë se treshja e artistëve është zgjedhur si rrjedhojë e konsistencës së praktikës së tyre. 

“Kemi pasur një numër të konsiderueshëm të aplikimeve, prej artistëve më të rinj tek ata që janë më të zhvilluar në karrierën dhe praktikën e tyre. Arsyeja pse janë zgjedhur Kreshniku, Renea dhe Lumturia ka qenë konsistenca e praktikës dhe zhvillimit të praktikës së tyre për propozimin që e kanë dërguar për punën që kanë vendosur ta prodhojnë për ekspozitën në Galerinë Kombëtare të Kosovës, por edhe motivi i tyre për zhvillimin e hulumtimit dhe kahen që kanë dashur t’ia japin qëndrimit të tyre në Paris”, është shprehur ajo. 

Ka thënë se të tre artistët kanë vazhdimësi në praktikën e tyre. Sa u përket tematikave të veprave, ka thënë se secila vepër merret me idenë e ndërprerjes dhe se prandaj hapësira e Galerisë është ndarë në tresh duke mos komunikuar veprat me njëra-tjetrën. 

“Secila vepër merret me idenë e ndërprerjes, apo çrregullimit, që është prej praktikës se Reneas, e cila e fillon hulumtimin e saj nëpërmjet një bime dhe çrregullimet që përjeton gjatë rritjes dhe zhvillimit në ambient. Atë bimë e ka si pikënisje për ndryshimet ekologjike apo atë që ajo e quan ‘glitch’ nga teoria të cilën e ka bazuar veprën e saj”, ka thënë ajo derisa për veprën e Lumturie Krasniqit ka shpjeguar se disa pjesë të veprës iluminojnë pjesën dërrmuese. 

“Më pas e kemi veprën e Lumturisë, e cila merret me çarjet që vihen në pah përmes dritës, e njëjta dritë që i iluminon pjesën tjetër të veprave të saj në hapësirë. Përveç që është intriguese për shkak të teknikës që ajo e përdor për prodhimin e këtyre veprave, flet edhe për balancin se çka është e dukshme dhe e padukshme në ambientin në të cilin jetojmë”, ka thënë ajo. 

“Kënga e parë” e artistit Arifi si projekt audio-vizual sjell tingujt e pastrukturuar të Luleradhiqes dhe ninullës në një peizazh livadhi ku përplasen këta tinguj

Për punën e Kreshnik Arifit ka konsideruar se e ballafaqon zërin e lilës duke e gërshetuar me ninullë. 

“Puna e Kreshnikut i merr dy aspekte të ndryshme, e cila është zëri i pakontrolluar që është ai që vjen prej ‘pipilisë’. Një praktikë të cilën shumica prej nesh e kemi provuar pasi që e marrim vesh që mund të nxjerrësh tingull prej saj. Ai e ballafaqon atë zë dhe e gërsheton me një ninullë dhe pastaj këto të dyja janë të kompozuara në një video të cilën e ka realizuar”, ka vlerësuar kuratorja Halilaj. 

“Kënga e parë” e artistit Arifi si projekt audio-vizual sjell tingujt e pastrukturuar të Luleradhiqes dhe ninullës në një peizazh livadhi ku përplasen këta tinguj. 

Autori i veprës ka thënë se po këta tinguj të kësaj lule janë akt i lirisë së shprehjes. 

“Momenti kur për herë të parë kemi nxjerrë tinguj të pastrukturuar prej trupit të një lule, si akt për mua ka qenë akt i lirisë së shprehjes, të pandikuar akoma prej strukturave komunikative. Në sfond dëgjohet këndimi i një ninulle që përkon me dëgjimin e parë të gjuhës. Arsyeja e përdorimit dhe vendosjes së këtyre dy karaktereve tingullore të bllokuara në këtë peizazh është të përshkruhen atributet që gjuha jep dhe ia trashëgon qenies së njeriut në fillim të jetës, bashkë me kontekstet histori që sjell prapa”, është shprehur ai. 

Luleradhiqja, sipas imazheve, shkëputet nga baza e saj në videon statike dhe është përherë në lëvizje.

Sipas Kreshnik Arifit, ajo mundohet t’i qaset publikut me tingujt e saj duke kërkuar përherë komunikimin. 

“Në punën time ekziston gjithmonë zinxhiri midis dëshirës për të krijuar një mënyrë të re komunikative, në të njëjtën kohë duke qenë gjuha si tip pengese për të vazhduar përpara e të cilës nuk mund t’i bësh zgjidhje lehtë. Andaj gjëja kryesore në vepër është kjo ‘pipili’ duke soditur në këtë peizazh, e blliokuar dhe që gjatë kohës mundohet t’i qaset publikut me tingujt të cilët ka potencial t’i prodhojë, duke kërkuar komunikim deri vjen koha të këndohet ninulla e cila e ndërpret dhe e kthen prapa”, ka thënë ai më tej. 

“Takohemi në fushën e luleve të çrregulluara (glitching)” është titulli i veprës së Renea Begollit. Instalacioni me video, pikturë e skulpturë fragmenton peizazhet duke sjellë lule nëpërmjet materialeve të reja dhe të ricikluara. Një pjesë të mirë të hapësirës ajo e lulëzon me veprat e saj plot ngjyra. 

Begolli ka bërë me dije se vepra është frymëzuar nga lulet e egra dhe rezistenca e tyre brenda ekologjisë. 

“Trajton më shumë idenë e ekologjisë dhe lidhjes së saj me trupin, gjithashtu dhe një ide të ‘glitch-it’ apo rezistencës digjitale. Si vepër është vazhdimësi e praktikës sime të mëhershme që trajton idenë e trupit dhe lidhjes së saj me natyrën. Për këtë vepër jam inspiruar më shumë në lulet e egra dhe mënyrën sesi ato brenda ekologjisë e krijojnë një formë të rezistencës. Është bërë një lloj paralele me ‘glitch-in’ në sisteme digjitale”, ka shpjeguar artistja duke bërë me dije se ka kombinim të teknikave të cilat i ka përdorur për të ndërtuar veprën e saj.

Ka bërë me dije se po këtë vepër do ta zhvillojë më tej në rezidencën artistike në Paris pasi, siç ka treguar, ajo çfarë është prezantuar të premten në hapje të ekspozitës është veç fillimi i punës. 

“Si vepër veçse është fillimi çfarë po prezantohet këtu. Është vazhdimësi e praktikës sime, por hulumtimi artistik do të jetë mbi këtë temë. Planifikoj që punën më të madhe ta bëj gjatë rezidencës në Paris. Në një formë, ky është fillimi i hulumtimit tim që pres që do të jetë shumë më i detajuar si nga aspekti teorik ashtu edhe nga praktika. Gjatë kësaj periudhe tremujore do të punoj të thellohem më shumë në temën dhe praktikën time”, ka thënë Begolli më tej. 

Si konstelacion i formave të përsëritura, por kurrë identike, është definicioni i pikturave të Lumturie Krasniqit me titull “Existence Misplaced”. Të punuara me ngjyra vaji në pëlhurë, për to mund të krijohen perceptime të ndryshme. Por e gjithë esenca e koncepti i veprës është në atë ndriçimin i cili zbulon, por dhe zhduk format e saj. Dy vepra që kanë më të theksuara objektet e tyre bëhen shkas për iluminimin e të tjerave në dhomën me burimin e vetëm të dritës prej tyre. 

“Ideja është që ndriçimi që vjen nga këto dy konstelacione kryesore bëhet edhe ndriçim i zbulimit, por edhe i zhdukjes së veprave të tjera pasi që në këtë dhomë nuk ka ndryshim ekstra dhe format e tjera është problem të shihen plotësisht. Vepra e vë në pikëpyetje ekzistencën e kohës lineare, se a janë këto kujtime të së njëjtës qenie, a janë fragmente të së ardhmes apo janë fragmente të së njëjtës qenie që ekziston paralelisht”, ka thënë artistja Krasniqi. 

Si konstelacion i formave të përsëritura por kurrë identike, është definicioni i pikturave të Lumturie Krasniqit me titull “Existence Misplaced”
 

Ka thënë se seria e veprave të saj të ekspozuara sillet rreth një forme që përsëritet vazhdimisht, por se asnjëherë nuk është identike. 

“Është seri e pikturave me të cilën jam duke eksperimentuar dhe mund të them që jam duke e çuar në një fazë tjetër të punës sime. Duke lëvizur prej punës paraprake ndër vite që e kam bërë, tash kam filluar të eksperimentojë edhe me ndriçim, me transparencë. Në këtë ekspozitë i kam sjellë dy konstalacione kryesore të veprave të cilat janë të iluminuara me ndriçim nga brenda. Gjithmonë duke dashur të ruajë idenë e pikturës si medium tradicional, por të eksperimentoj rreth saj dhe të provojë mjete të ndryshme për ta vazhduar eksperimentimin tim në pikturë”, është shprehur ajo.

“Shtëpi” është emërtuar programi i rezidencave për artistë të të gjitha disiplinave që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, e që synon të bëhet tradicionalë. Renea Begolli, Kreshnik Arifi dhe Lumturie Krasniqi janë laureatët e edicionit të parë që do të zhvillojnë shkathtësitë e tyre në qytetin e rrethuar me veprat historike e artit botëror.