Projektbuxheti për vitin 2026 për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë synon forcimin e turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e kapaciteteve krijuese dhe sportive në vend.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka thënë se buxheti total i MTKS-së për vitin e ardhshëm parashikohet në 7.4 miliardë lekë rreth 76.5 milionë, që është rritje prej 20% krahasuar me vitin 2025.
“Ky projektbuxhet reflekton prioritetet tona strategjike për zhvillim afatgjatë dhe rritjen e ndikimit kulturor, ekonomik dhe social në vend. Investimi më i madh i dedikohet kulturës, por edhe turizmi, sporti dhe politikat rinore marrin fonde të konsiderueshme për zhvillim dhe përmirësim të kapaciteteve”, ka thënë Gonxhja.
Sipas ministrit, shpërndarja e fondeve për sektorët kryesorë parashikon për kulturën 4.95 miliardë lekë (rreth 51.2 milionë euro), që përbën 67 për qind të buxhetit të Ministrisë, ose 19.4 për qind më shumë financim krahasuar me vitin 2025.
Për sektorin e turizmit projektbuxheti 2026 parasheh një fond prej 919 milionë lekësh ( rreth 9,5 milionë euro), në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.
Për sportin janë paraparë 834,6 milionë lekë (rreth 8,62 milionë euro), me një rritje 32 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe për mbështetjen e rinisë do të financohen 285,8 milionë lekë (rreth 2,96 milionë €).
Ndërsa për shpenzimet e brendshme të ministrisë, projektbuxheti parashikon:
21,5 milionë euro për paga dhe sigurime e 27,3 milionë euro për shpenzime operative. Për investime kapitale janë 27,5 milionë euro.
Buxheti i Kosovës për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për sivjet është 86,3 milionë euro.