Shqipëria ndezi skenën e “Eurovisionit” me këngën “Zjerm”, performuar nga Shkodra Elektronike.
Grupi u ngjit në skenë i 12-i.
Performanca u shoqërua me efekte vizuale dinamike dhe ritme elektronike karakteristike, duke u pritur me entuziazëm nga fansat e festivalit.

Pas Shqipërisë, do të performojnë edhe tri shtete para se të hapet votimi për finalistë.
“Shkodra elektronike” u themelua më 2019 dhe repertori i tyre kryesisht përfshin rikrijime e ripërpunimeve të perlave të këngës shqiptare. Kishin filluar si grup projekti në vitin 2019 dhe në këtë kohë ata performuan në shumë ngjarje të rëndësishme italiane dhe shqiptare. E para ishte me rastin e hapjes së Pavijonit Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias më 2019. Më tej kishin vazhduar të thellojnë zhanrin e tyre me hapjen e ekspozitës personale në Tiranë të artistit Adrian Paci, e në edicionin e katërt të Festivalit “Zā Fest” e të tjera. Në vitin 2020 filluan të publikojnë këngët e para. Kënga origjinale “Ku e gjeta vendin” ishte fituese e çmimit special në “Festivalin Lule Borë" e më tej kishin nxjerrë edhe të tjera një vit më pas si “Synin si qershia” e “Turtulleshë”.
Në edicionin e kaluar, me votat e publikut, të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision” e pati Besa Kokëdhima me këngën me titull “Zemër n’dorë”. Ndërsa fitues i edicionit kishte dalë Mal Retkoceri me këngën “Çmendur”. Në finale ishin interpretuar 22 këngë.
