Pak vite pas krijimit të shtetit shqiptar, albanologjia hungareze kishte plazmuar një prej veprave më kapitale për historinë shqiptare. Dy vëllimet e “Kërkimeve iliro-shqiptare” të Lajos Thallóczyt do të bëheshin referencë shumëvjeçare për studiues shqiptarë e të huaj, shkruan sot Koha Ditore.
Një shekull më vonë, Akademia e Shkencave e Hungarisë sërish ka vënë llupën e saj mbi historinë e shqiptarëve duke dritësuar momente ku ndërkëmbehen fatet e dy popujve. Gjithçka nisi në “kohërat e vështira” kur Skënderbeu e Huniadi shestuan një aleancë antiosmane e vazhdoi edhe në kontekste të tjera: feudalë, gjeneralë e klerikë shqiptarë kishin bërë emër në tokat hungareze.
Shekuj më vonë, intelektualë e politikanë hungarezë do të viheshin në mbrojtje të idesë së një Shqipërie të pavarur. Kërkues në Institutin e Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Hungarisë, Krisztián Csaplár-Degovics prej vitesh vazhdon interesimin mbi historinë bashkëkohore shqiptare. Së fundmi, albanologu 43-vjeçar, si redaktor, ka sjellë përmbledhjen më të re të studiuesve hungarezë mbi historinë shqiptare.
Libri ka një titull disi të pazakontë “These were hard times for Skanderbeg, but he had an ally, the Hungarian Hunyadi” (Ato ishin kohë të vështira për Skënderbeun, por ai kishte një aleat, hungarezin Huniad), që në të vërtetë është huazim nga një fjalim i Fan Nolit në Kongresin Shqiptar të Trestës.
Në bisedën për “Kohën Ditore”, Csaplár-Degovics ka folur për idenë e një botimi të tillë, kontributet e kolegëve të tij dhe prospektet e studimeve albanologjike në Hungari. Ndonëse është i specializuar për historinë bashkëkohore, ai ka komentuar edhe çështje të ndjeshme që sprovojnë historiografinë shqiptare.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)