Kolona zanore e filmit “Stalingrad” është vetëm një nga krijimet e tij me nam të përbotshëm. Ka bërë emër si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të muzikës së filmit në Gjermani.
I lindur më 1950 në Weil am Rhein, aty ku piqen kufijtë e Gjermanisë me Zvicrën dhe Francën, Enjott Schneider është artist me interesime të gjera për muzikën.
Një karrierë që filloi në fëmijëri me violinë, piano, trumbetë e organo, ecejaket e tij në rrugën e muzikës kanë prekur sa të kënduarit, po aq edhe të dirigjuarit dhe të krijuarit e muzikës.
Studimet për muzikë i mbaroi në “Freiburg Musikhochschule”, aty ku mbrojti doktoraturën edhe për linguistikë. Ka ligjëruar për muzikologjinë në po të njëjtin universitet, derisa u caktua si profesor në “Hochschule für Musik” në Munich.
Shkrimet e tij mbi muzikën përfshijnë monografi kompozitorësh, librin “Pop Music” e artikuj që trajtojnë sociologjinë e muzikës dhe muzikën e filmit. Gjatë viteve ’80, Schneider arriti të bëhej një prej kompozitorëve më të mirë gjermanë sa u përket kompozimeve për filma.
Kolonat zanore për seri televizive si “Weißblaue Geschichten” (1991), “Marienhof” (1992) dhe “Vater wider Willen” (1998) kanë po të njëjtin reputacion sa edhe kompozimet e tij për filma si “Herbstmilch” (1988), “Stalingrad” (1992), “Schlafes Bruder” (1995), “Stauffenberg” (2004) dhe “Die Flucht” (2007).
Në vitin 2019, Orkestra e Filarmonisë së Kosovës kishte dhënë premierën shqiptare të veprës së tij “L'angelica farfalle”. Këtë javë, kompozitori gjerman ka vendosur ta vizitojë Prishtinën. Sërish një vepër e tij do të jepet premierë. “Altai – Traces to Infinity” (Kaleidoskop për violinë, pikolo trumbetë dhe orkestër) është vepra që shpërfaq melodi nga bukuritë e Kazakistanit. Në të, Schneideri ka shpalosur mrekullimin e tij me malet Altai që, sipas fjalëve të tij, janë një mrekulli unike e natyrës.
Në një intervistë për “Kohën Ditore”, kompozitori 70-vjeçar ka zbuluar shumëçka nga krijimtaria e tij e gjerë. I mahnitur me mikpritjen që ndeshi mes miqsh në Prishtinë, Schneideri ka thënë që shteti do të duhej t’i kushtonte rëndësi kulturës. “Investimi i mirë i parave nuk është vetëm në ekonomi, por edhe në kulturë. Ajo i bën bashkë njerëzit e kështu në Prishtinë do të vinin njerëz nga të gjitha pjesët e botës”, ka thënë ai.
KD: Vitin e kaluar, vepra juaj kompozicionale “L’Angelica Farfalla” ka pasur premierën e vet shqiptare gjatë një koncerti të organizuar nga Filarmonia e Kosovës. Si ishte ndjenja kur një pjesëz e juaja u performua para publikut të një vendi të vogël?
Schneider: Mendoj se ishte një lloj suksesi ngase si kompozitor modern unë ndonjëherë kompozoj edhe për audiencën. Është një stil goxha avangard, por po aq është edhe muzikë intelektuale. Nuk kompozoj për trurin apo të menduarit intelektual sa për zemrën.
KD: Kanë mbetur pak ditë kur një tjetër vepër e juaja do të performohet në koncertin e së dielës në Prishtinë. Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Schneider: Është një vepër me melodi të njohura folklorike nga e kaluara e popullit kazak. Plani origjinal ishte që koncerti me muzikë popullore kazake të jepej premierë në Kazakistan. Por, aty ndodhi një ndryshim politik dhe soloviolinisti i atjeshëm nuk u lejua të luajë.
Ishte një ndjenjë e veçantë të përdorje melodi lindore e kazake. Ma merr mendja se edhe këtu në Prishtinë do ta kemi po të njëjtën ndjesi. Madje, vetë drejtori i Filarmonisë, Baki Jashari, kur e dëgjoi melodinë e vërejti se ajo ishte fare e përngjashme me ato në Ballkan. Nga këndvështrimi gjerman, Kazakistani dhe Ballkani nuk janë aq larg kur bëhet fjalë për mendësinë e tyre: që të dytë konsiderohen Lindje. Prishtina është një vend i mirë për të dhënë premierën botërore të kësaj vepre...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)