Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rrëfimet e folkloristëve – kujtesë e çmueshme në betejë për të vërtetën

Sesioni i folklorit, të enjten në ditën e katërt të “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Sesioni i folklorit, të enjten në ditën e katërt të “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Pesha e folklorit dhe e rrëfimeve personale si trashëgimi shpirtërore, është e çmueshme si kujtesë e material studimor por si histori gojore, betejën për vërtetësi të informatës e ka pothuajse të humbur. Ky ka qenë njëri prej konstatimeve në ditën e katër të edicionit të 17-të të “Javës së Albanologjisë”, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, që i është kushtuar folklorit e ku janë shpalosur kumtesat në temën bosht “Trashëgimia kulturore si kujtesë: këngët, rrëfimet, fotografitë”

Këngët, rrëfimet dhe fotografitë janë ndër burimet nëpërmjet të cilave vilet tradita dhe trashëgimia e një populli. Në ditën e katërt të “Javës së Albanologjisë” në Institutin Albanologjik të Prishtinës janë mbledhur studiuesit dhe mbledhësit e folklorit.

Nën temën “Trashëgimia kulturore si kujtesë: këngët, rrëfimet, fotografitë”, studiuesit kanë paraqitur kërkimet dhe perspektivat e tyre në raport me temën bosht. Dëshmi të traditave të ndryshme në disa pjesë të territorit ballkanas të banuar me shqiptarë, janë shpalosur në seancat e sesionit të folklorit. 
Këshilltarja shkencore e IAP-së, Arbnora Dushi, nëpërmjet kumtesës “Rrëfimi personal gojor: trashëgimi dhe kujtesë”, kësaj radhe është ndalur te elaborimi i rrëfimit personal. Sipas saj, zhvillimet e vrullshme politike nëpër të cilat kalon shoqëria kanë dëshmuar se janë burim i frytshëm për zhvillimin e disa zhanreve të folklorit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ka thënë se lëvizjet e shoqërisë dhe zhvillimet në terren, të cilat kanë shënuar kthesat e shoqërisë në historinë e popujve, e kanë afektuar drejtpërdrejt individin dhe kalimi nëpër përvoja të pazakonshme shoqërore e ka pasuruar dhe ngacmuar imagjinatën e tij. Ka treguar se kjo e ka shtyrë individin të rrëfejë për ato përvoja, të shprehë përjetimet e veta nëpërmjet kulturës gojore.

“Përderisa qasja e folkloristëve ndaj rrëfimeve personale është e orientuar kah forma, zhanri, struktura dhe bota personale e rrëfimtarit, ajo e historianëve gjurmon fakticitetin që del nga këto rrëfime. Por, nëse historia paraqet kujtesën e organizuar të shoqërisë, historia gojore përbën kujtesën e paorganizuar të asaj shoqërie, prandaj është e vështirë të kërkohet besim në informatën që del nga një kujtesë e paorganizuar”, ka thënë Dushi.

Sipas saj, derisa historianët i shërbejnë kujtesës kolektive dhe sjellin dëshmi të argumentuara duke iu referuar burimeve faktike, folkloristët dhe historianët gojorë shërbehen me kujtesën individuale dhe burim kryesor e kanë memorien e individit, tek e cila kërkesa për vërtetësi të informatës është betejë pothuajse e humbur.

Ka përmendur studiuesin Paul Thompson, i cili sipas saj tashmë është emër i njohur në fushën e historisë gojore. Ka treguar se në përpjekjen e tij për të sjellë risi në studimet e kësaj fushe ai pyet: “T’u besojmë apo jo rrëfimeve personale?”
“Dhe përgjigjen e pyetjes së vet e gjen midis faktit historik dhe mitit kulturor, apo midis kujtesës dhe historisë, dhe thotë se duhet t’u besojmë të dyjave aq sa duhet të dyshojmë në të dyja, përderisa që të dyja këto kanë vend në interpretimin e historisë gojore”, ka thënë Dushi.

Sipas saj, një qasje më të thellë lidhur me vërtetësinë që mund të ofrojnë burimet gojore e kanë paraqitur edhe historianët gojorë italianë, si Luisa Passerini dhe Alessandro Portelli. Ka treguar se Passerini është marrë me kujtesën e dëshmitarëve të Luftës së Dytë Botërore lidhur me përpjekjet e tyre për të shpëtuar nga fashizmi dhe ka ardhur në përfundimin se burimet gojore burojnë nga aspektet njohëse, kulturore dhe psikologjike dhe, prandaj, origjina e tyre është nga sfera e subjektivitetit.

Kurse sipas Dushit, Portelli, i cili nuk e hedh tërësisht poshtë faktorin e pavërtetësisë që sjellin, fokusohet të kërkojë format kreative që e shkaktojnë ndryshimin e informatës, varësisht nga rrethanat e shprehjes, nga dëgjuesi (audienca), nga disponimi i rrëfimtarit, si dhe nga qëllimi i tij për të dhënë informatën që shpreh.

Ajo ka shkëputur për të pranishmit pjesë nga rrëfimet që i ka mbledhur para dy dekadash. Në fund ka thënë se fillimisht rrëfimet personale gojore janë trajtuar si dëshmi historike, pra si burime që synojnë të dokumentojnë përvojën e drejtpërdrejtë të individëve mbi ngjarjet historike.

“Megjithatë, pas njëzet vjetësh, i njëjti material nuk shihet më vetëm si dëshmi e një periudhe historike, por si trashëgimi kujtese. Kjo zhvendosje lidhet me teoritë bashkëkohore të memories kolektive, ku kujtesa nuk trajtohet si depo neutrale faktesh, por si proces kulturor dhe social. Në këtë kuptim, rrëfimet personale bëhen pjesë e një arkivi kulturor që ruan identitetin kolektiv dhe përvojën historike të komunitetit shqiptar të Kosovës”, ka thënë Dushi.

Studiuesja Irena Gjoni nga Vlora, nëpërmjet kumtesës “Nga rituali te identiteti: ‘Ujët e pafolur/vjedhur’ në bregdetin jonian dhe hapësirën arbëreshe, si pjesë e procesit të krijimit të kujtesës kolektive”, ka shpalosur një zakon apo rit të disa fshatrave të Vlorës. Sipas saj, në disa vendbanime të bregdetit, në pranverë, gratë kanë shkuar te një burim më i largët për të marrë ujë pa i parë askush dhe gjatë kthimit në shtëpi nuk e kanë përshëndetur askënd.

“Më pas, me këtë ujë janë spërkatur anëtarët e familjes që kanë pasur probleme shëndetësore”, ka thënë ajo. I njëjti është përdorur edhe për spërkatjen e kafshëve. Uji, në këtë formë, sipas saj, merrej në natën e Pashkëve. Gjetje të njëjta ka thënë se i ka hasur edhe në disa fshatra arbëreshe.

“Kjo gjë duhet të ruhet si trashëgimi”, ka thënë Gjoni.

Studiuesi Neli Naqo, nëpërmjet kumtesës “Kolana ‘Folklori shqiptar’: ideja, problematikat, realizimi”, ka paraqitur një perspektivë për kolanën që në Shqipëri ka nisur të botohet që prej viteve ’60. Nuk ka pasur shumë kritika përmbajtjesore, por më shumë teknike.

Vlora Fetaj-Berisha, nëpërmjet kumtesës “Vajtimi si kujtesë dhe biografi: analiza e vajtimit të nënës për bijën nga Gruda”, është marrë me një vajtim të njohur të botuar që në vitet ’30. Ka paraqitur mendimet e saj për këtë vajtim mjaft të studiuar ndër vite.

Albin Sadiku është ndalur te folklori muzikor i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, përderisa Visar Munishi është marrë me muzikën tradicionale të Kosovës në kontekst lokal dhe transnacional. Fitim Veliu ka paraqitur një kërkim për këngët që i janë kushtuar Adem Jasharit, përderisa Ermela Broci ka sjellë një kumtesë për fotografinë si kujtesë muzeale.

Edicioni i 17-të i “Javës së Albanologjisë” është hapur të hënën. Sesioni i parë, ai i gjuhësisë i është kushtuar temës “Gjuha shqipe në rrethanat e sotme digjitale”. Sesioni i historisë, të mërkurën ka trajtuar temën “Historiografia shqiptare përballë historiografisë evropiane”, me fokus interpretimet e historisë shqiptare nga autorë dhe historiografi të ndryshme evropiane, si dhe ndikimin e tyre në ndërtimin e identitetit historik shqiptar. “Java...”  përmbyllet të premten me sesionin e etnologjisë në temën “Antropologjia e ushqimit në kontekstin shqiptar: vazhdimësi dhe ndryshim”, ku studiuesit do të diskutojnë mbi traditat ushqimore shqiptare, gastronominë tradicionale dhe transformimet moderne të kulturës ushqimore.