Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka deklaruar se nuk ka më zarfe dhe as ndërhyrje direkte nga Bashkimi Evropian për zgjidhje të krizave politike në Kosovë, si procesi për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, BE-ja pret që politikanët në Kosovë të tregtojnë pjekuri dhe të tejkalojnë bllokadat institucionale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“BE-ja nuk mund të jetë më e qartë dhe nuk mund të bëjë më shumë. Askush tjetër nuk mund të bëjë më shumë. Më parë kanë bërë më shumë duke u përfshirë në mënyrë direkte, nuk jeni në gjendje ta zgjidhni presidentin, ne ju tregojmë se kë do ta zgjidhni, tani ata nuk duan më të ndërhyjnë. Nuk ka më zarfe, nuk ka më ndërhyrje, nuk ka më tifozllëk ndërkombëtar. Krejt çka mund të bëjnë është të bëjnë ftesa që kosovarët vetë t’i tejkalojnë këto probleme, me tejkalimin e këtyre probleme të dëshmojnë pjekuri dhe më pas të jenë më të gatshëm për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar jo vetëm me BE-në por edhe me vendet individuale”, ka theksuar ai.
Palokaj më tej ka vlerësuar se Kosova është ishull i izoluar në Evropë dhe nuk i është mundësuar as arritja në stacionin nga ku niset treni për në BE.
“Kosova për fat të keq është një ishull i izoluar në Evropë, sepse për fat të keq është i vetmi shtet në kontinentin e Evropës që ka aplikuar për anëtarësim në BE e që aplikimi i saj nuk është shqyrtuar fare. Procesi i zgjerimit matet me hapjen e kapitujve, mbylljen e kapitujve, mbylljen e negociatave dhe anëtarësimin dhe Kosovës nuk i është mundësuar ende as ardhja në stacion nga i cili niset treni për në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Lidhur me pasojat financiare për Kosovën për shkak të vonesave në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve, Palokaj ka thënë se vendi rrezikon të humbë mbi 250 milionë euro nga fondet e BE-së.
“Do të humbim mbi 90 milionë euro tash në qershor, ndërsa 165 milionë euro në dhjetor, që së bashku bëjnë mbi 250 milionë euro, e pastaj vjen viti 2027 që në fakt është viti kur do të duhej të skadonte Pakoja e Rritjes për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, e Kosova i ka në dispozicion mbi 800 milionë euro. Edhe nëse humbim gjysmën është shumë, e lëre më nëse humbim më shumë se gjysmën. Tani shtrohet pyetja se sa nga këto mjete Kosova do të mund t’i shpëtojë, e jo sa do t’i humbë”, ka thënë ai.