Kulturë

Rocku e popi të viteve ‘80 – hapësira për rezistencë dhe identitet

Prishtinë, 11 mars – Në mesin e viteve ’80, bendet e muzikës rock dhe pop po “zaptonin” skenën muzikore në Kosovë. Bëhej fjalë për një zhanër, historia e të cilit kthehet qysh në vitet ’60 e ’70. Ndërkohë që bende new wave dhe post-punk po shtoheshin gjithnjë e më shumë, edhe “censura” po bëhej përditshmëri kur tekstet e tyre ballafaqoheshin me filtrin e kritikave moraliste e ideologjike. Sipas gazetarit kroat, Darko Hudelist, rockerët shqiptarë e quanin shkrimtarin Rifat Kukaj, që redaktonte tekstet, si “Karate Kid” për mënyrën e prerë se si i redaktonte pjesët e “pahijshme”.

Pafund histori bendesh të muzikës rock e pop në vitet ’80 në Kosovë kanë si pikënisje festivalin “Boom”. Ndonëse ai filloi katër vjet pasi emnaku i tij jugosllav kishte pushuar së ekzistuari, ky event do të bëhej platforma alternative që do t’i përcillte zhvillimet e reja në skenën muzikore të kohës.

Një zhbirim prapa në kohë mbi zhvillimet e skenës muzikore në Kosovë, intervista dhe rrëfime muzikantësh e organizatorësh të këtij festivali kanë mbushur faqet e magazinës “Boom”, që u promovua mbrëmjen e së hënës në “Kino Armata”. Me autore Lura Limanin dhe Rina Krasniqin, “Boom” vjen pas hulumtimit të bërë gjatë vitit të kaluar mbi zhvillimin e muzikës rock dhe pop në Kosovë.

“Boom ’82 – Festivali i parë i rock muzikës së Kosovës” është afishja që lajmëronte atë që brenda pak vitesh do të imponohej si një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore

Në hapje të promovimit, hulumtuesja dhe redaktorja e projektit, Lura Limani ka vlerësuar se “Zine Boom” synon të dokumentojë historinë e festivalit të muzikës rock dhe pop. Ka thënë se ai mund të quhet modestisht edhe si “Woodstocku” i Kosovës, duke arritur të bëhet platformë për dhjetëra e mijëra të rinj.

“Rock-artistët jugosllavë kishin gjetur inspirim edhe tek ritmet folklorike shqipe dhe i kishin popullarizuar ato shumë para bendeve të Kosovës. Në vitin 1971, super-bendi jugosllav ‘YU Grupa’ nxori këngën ‘Nona’, në të cilën elemente folklorike shqipe menjëherë janë të dallueshme. Një vit më vonë, i njëjti vend nxori këngën ‘Kosovski Bozuri’ (Lulëkuqet e Kosovës), duke përdorë sërish tinguj të këngës popullore”, shkruhet në hulumtimin e bërë nga Lura Limani dhe Rina Krasniqi.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

{gallery}