Një tender i ndarë në dysh peshon me letra 2.5 milionë euro, prej të cilave 1.2 milion janë paraparë për rinovimin e objektit të teatrit të Ferizajt, “Adriana” e 1.3 milion euro për teatrin “Oda”. Ani pse tenderi është hapur, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, për “Adrianën” figurojnë vetëm 200 mijë euro dhe nga gjysmë milioni për dy vjetët që vijnë, e për “Odën” nuk figuron buxheti. Për ata që veprojnë në këto dy objekte, hapat drejt rinovimit janë lajm i mirë dhe përgjigje ndaj një kërkese të kahershme, përderisa shpresojnë që projekti të mos zvarritet
Ndërtesa e teatrit të Ferizajt “Adriana” dhe hapësira që shfrytëzohet nga teatri “Oda” dhe qendra “Multimedia” planifikohet të rinovohen. Me 2.5 milionë euro, Ministria e Kulturës synon që këto hapësira t’i bëjë më të shfrytëzueshme sesa që janë. Siç ndodh rëndom me tenderë, kjo shumë parash nuk është e paraparë për sivjet. Madje, “Oda” as nuk figuron në planifikimet buxhetore të MKRS-së për këtë vit. “Adriana” pritet të kushtojë 1.2 milion euro, kurse “Oda” 1.3 milion. Të paktën kjo është shuma e parashikuar e tenderit me dy lote. Kompanitë kanë afat të aplikojnë deri më 7 korrik.
Teatri i qytetit të Ferizajt, “Adriana”, si ndërtesë e viteve ’20 të shekullit të kaluar, u është nënshtruar intervenimeve disa herë. Para rreth 15 vjetësh qe bërë i fundit. Nevoja për ndërhyrje që ndërtesa të bëhet më e shfrytëzueshme është e kahershme. Por përderisa shuma e planifikuar për intervenim është 1.2 milion euro, MKRS-ja për sivjet sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë projekt ka të parapara vetëm 200 mijë euro. Sipas këtij ligji, për dy vjetët e ardhshëm janë paraparë nga 500 mijë euro. MKRS-ja nuk ka ofruar sqarime se nga cilat linja do të shfrytëzohet buxheti nëse punimet përfundojnë sivjet, apo planet janë që të punohet më shumë se dy vjet.
Menaxhmenti i teatrit “Adriana” ende nuk ka një plan të zhvillimit të veprimtarisë në kohën e rinovimit të këtij monumenti.
“Ferizaj ka shumë problem për salla. Nuk po dihet saktë kur fillojnë punimet. Duhet të shohim një alternativë ndonjë bashkëpunim me Gjilanin ose me Shtimen. Është edhe opsioni i ndonjë teatri kamertal”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Fatmir Hyseni.
Ai ka sqaruar se gjatë përgatitjes së projektit për restaurim janë mbajtur disa takime.
“Ne kemi kërkuar që pjesa e bodrumit të zgjerohet dhe kjo ndoshta mund të bëhet. Prapa Teatrit pritet të ketë një ngritje të hapësirave që të ketë më shumë hapësirë për fundus. Çdo gjë preket në teatër prej instalimeve e më pas. Akustika po ashtu do të punohet. Besoj që edhe shuma është e mjaftueshme që të bëhet një restaurim shumë i mirë”, ka thënë Hyseni. Sipas tij, madhësia e skenës nuk do të preket. Ajo ka dimensione 12 me 9 metra. Ai ka sqaruar se sa i përket numrit të karrigeve për shikues do të ketë një zvogëlim nga 240 në 200.

“Por me repriza kjo është hapësirë e mjaftueshme. Ndërhyrjet për t’u dukur bukur nuk u duhen teatrove. U duhen ndërhyrjet funksionale”, ka thënë Hyseni.
Sa i përket teatrit “Oda”, kërkesat për intervenim në këtë hapësirë të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë janë të kahershme. Në marsin e vitit 2003 aty do të jepej premiera e shfaqjes “Monologët e vaginës”, kurse teatri u hap në janar të vitit 2004. Viteve të fundit në atë hapësirë funksionon edhe qendra “Multimedia”. Pra, janë dy institucione të pavarura teatrore. Ambienti shfrytëzohet edhe për ngjarje mysafire, shfaqje, koncerte, promovime librash, koncerte e festivale. Si infrastrukturë është një teatër i zorit. Kurse sa i përket përmbajtjes, aty prodhohen shfaqje që mbërrijnë të jepen deri në “La Mama” në New York. Pavarësisht buxhetit të parashikuar në tender prej 1.3 milion eurosh, MKRS-ja s’ka zë buxhetor të dedikuar direkt për këtë hapësirë. Në Ligjin për buxhetin e këtij viti 1 milion euro figurojnë për renovimin e objekteve kulturore. MKRS-ja nuk është përgjigjur se nga cilat linja buxhetore do të paguhet realizmi i këtij intervenimi.
Për ata që punojnë në këtë ambient, tenderi është lajm i mirë.
“Natyrisht që teatri ‘Oda’ më në fund po rinovohet, është një lajm i shkëlqyeshëm. Meritat kryesore për këtë ndërmarrje të rëndësishme i ka pa dyshim Ministria e Kulturës. Ju e dini që një iniciativë për renovim të ‘Odës’ ka ekzistuar para disa vitesh, në kohën kur Prishtina qeverisej nga Shpend Ahmeti”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq me qendrën “Multimedia”. Ka sqaruar se Ahmeti kishte ndarë një fond fillestar dhe pati nisur procedurat konkrete.
“Megjithatë, Përparim Rama, kryetari aktual, i pezulloi ato plane dhe nuk u mor me ‘Odën’ fare. Gjithsesi, tani jemi në një fazë të re, ku plani për renovim është konkret, i prekshëm. Njerëzit që kanë bërë planin e renovimit, janë konsultuar me neve kohë mbas kohe dhe kanë qenë mjaft bashkëpunues. Uroj që punimet të zhvillohen siç duhet dhe që ato të mos zgjaten pafundësisht, siç dinë të zgjaten te ne”, ka thënë Neziraj. Ka sqaruar se s’kanë kurrfarë plani të zhvendosjes gjatë kohës së punimeve.
“Sipas të gjitha gjasave do të ngelemi ‘nomad’ për një kohë. Thjesht, s’kemi ku të shkojmë. Prishtina, fatkeqësisht, nuk është treguar asnjëherë dashamirëse ndaj kulturës. Hapësirat kulturore janë reduktuar. Disa më të dinjitetshme, që ndoshta do t’i kishin shërbyer kulturës, janë uzurpuar nga bizneset hoteliere e nga korporatat e ndryshme”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, Komuna për krejt këto vite s’ka bërë asgjë.
“Ama, bash asgjë në këtë drejtim, fatkeqësisht. Dhe kjo gjë është dëshpëruese – është skandal madje. Vazhdojmë të ushqehemi me dokrra për tunele me lara e për ca ‘rrugë njëkahëshe’ eksperimentuese koti”, ka thënë ai.
Sipas dosjes së tenderit, hapësira në përdorim për teatrin “Oda” ka ndryshuar funksion disa herë përgjatë kohës, duke humbur origjinalitetin e saj, për shkak të përshtatjes me funksionet e periudhave të ndryshme. Aty bëhet e ditur se si pasojë ekzistojnë shumë pak informacione apo fotografi të vjetra që e paraqesin gjendjen origjinale të objektit.
“Në gjendjen e tij fillestare, objekti ka shërbyer si qendër bowlingu. Më vonë është përdorur si klub nate, ndërsa në vitin 2004 – sipas të dhënave që kemi nga drejtori i teatrit – hapësira është shndërruar në teatër dhe që nga ajo kohë vazhdon të funksionojë me të njëjtin destinim”, shkruhet në dosje. Aty sqarohet se bazuar në detyrën projektuese, kërkohet që objekti t’i nënshtrohet një adaptimi dhe revitalizimi të përgjithshëm të tërë hapësirës.
“Ndërhyrja do të përfshijë një renovim të plotë, duke e përshtatur objektin në funksionin e tij si teatër. Qëllimi është të plotësohen të gjitha kriteret dhe kushtet e rëndësishme për këtë lloj veprimtarie, veçanërisht duke pasur parasysh statusin e objektit si monument historik nën mbrojtje. Kjo ndërhyrje do të synojë ruajtjen e vlerave ekzistuese, rikthimin sa më pranë gjendjes origjinale dhe njëkohësisht përshtatjen funksionale me nevojat aktuale të teatrit”, sqarohet në dosje.