Kulturë

Ringjallja e “Shqipërisë së vogël” në veri të Detit të Zi

Prishtinë, 28 gusht – Prej shekujsh ata e quajnë veten “ga tantë”, kurse gjuhës që e flasin në vatrat familjare dhe merren vesh përmes saj i referohen “si neve”.

Është një histori që kthehet disa shekuj pas kur shqiptarë të jugut ishin vendosur në Bullgarinë Lindore bashkë me gagauzët, turq që praktikonin fenë ortodokse.

Kryengritja kundër osmanëve pati një përfundim fatal: shqiptarët e atyre viseve u shtrënguan të iknin në tokat e Perandorisë ruse.

Disa prej tyre ishin vendosur rrotull Odesës dhe Zaporizhies, përderisa më 1811 do të themelohej ngulimi i Karakurtit si vendbanim plotësisht shqiptar. Një valë tjetër e shqiptarëve ortodoksë u vendos në Ukrainë edhe në vitet ’60 të shekullit nëntëmbëdhjetë pas luftës së Krimesë.

Me një shqipe të rrjedhshme, antropologë e etnologë rusë, që po marrin pjesë në Seminarin për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kanë mbajtur ligjëratën mbi ringjalljen e etnicitetit në diasporën shqiptare në Ukrainë.

Në këtë ligjëratë, të mbajtur të martën në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin e Filologjisë, Aleksandër Novik, Aleksandra Dugushina dhe Maria Morozova kanë sjellë të dhëna të reja nga vëzhgimet e tyre në fshatrat që flasin ende shqip në Ukrainë, me theks të veçantë në Karakurt.

“Bashkë me Aleksandër Rosakovin, ata përbëjnë strumbullarin e studimeve të thella për shqipen dhe shqiptarët nga shumë aspekte studimore”, ka thënë ajo.

Aleksandër Novik, udhëheqës i Departamentit të Etnografisë së Përgjithshme pranë Muzeut të Akademisë ruse të Shkencave, ka dhënë një historik të fshatrave shqipfolëse në Ukrainë.

Antropologu rus ka vënë re se ringjallja e ndjenjës së përkatësisë etnike shqiptare kishte filluar vetëm në vitet ’90.

Të jesh shqiptar është moderne në Ukrainën e sotme, është tipar i ri dhe kjo situatë duhet të ketë më shumë vëmendje e respekt.

Sipas një studimi të botuar në gjuhën ukrainase, shqiptarët sot numërojnë rreth 5 mijë veta në Ukrainë. Përderisa fshati Karakurt gjendet në rrethin e Odesës, tri fshatrat e tjera shqipfolëse (Geandra, Taz dhe Tuiushki) shtrihen në rrethin e Zaporizhies në brigjet e Detit Azov.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")