Deputetët nuk e kanë konstituuar Kuvendin as pas 48-të përpjekjeve.
Edhe këtë të enjte, deputetët kanë dështuar që ta formojnë komisionin për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit.
Në sallë ishin 100 deputetë. Prej tyre, 51 votuan për asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar të flasë anipse kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, i ka kërkuar ta lirojë foltoren. I njëjti e ka vazhduar fjalimin me mikrofon të ndalur. Pas tij, fjalën e ka marrë deputeti i LDK-së, Alban Zogaj. Të njëjtin fat me ndalje të mikrofonit e ka pasur edhe Zogaj e pas tij edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Seanca e radhës do të mbahet të shtunën nga ora 11:00.
Pati disa fjalime nga deputetët e opozitës para se të dështonte seanca e sotme.
PDK-LDK-AAK kërkojnë zbatimin e vendimit të Supremes
Pas përfundimit të seancës, deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë qëndruar për fjalimet nga foltorja e Kuvendit.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, u ka bërë thirrje zyrtarëve qeveritarë në detyrë që të lirojnë pozitat dhe të mos ushtrojnë edhe funksionin e deputetit.
“Gjykata ka vulosur një të vërtetë që e kemi përmendur që në fillim për funksionet e dyfishta. PDK i bën thirrje LVV ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës që të lirojnë pozitat në kabinetin qeveritar. U bëjmë thirrje institucioneve të jenë vigjilente për te mundësuar zbatimin e këtij aktgjykimi të gjykatës”, ka thënë ai.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri në detyrë po punon kundër shtetit sepse nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ajo ka theksuar se Albin Kurti po punon kundër rendit kushtetues. Ajo po ashtu ka bërë thirrje për respektim të vendimit të Supremes.
“U bëj thirrje të gjithë deputetëve që të punojmë ditë e natë që t’ia heqim maskën Albin Kurtit. Kurti nuk ka mundësi dhe nuk të lejojmë që të mbështjellët me flamurin kuq e zi sa herë ka nevojë. Albin Kurti identifikohet më së shumti me flamurin e NOA-s. Kurti po punon kundër shtetit të Kosovës, ai nuk e ka njohur as më herët shtetin e Kosovës”, ka thënë ajo.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se ministrat dhe kryeministri po i mbajnë jashtëligjshëm nga dy poste.
Ka thënë se VV-ja mendon që e ka bërë shtetin dhe mund të bëjë çfarë dëshiron me të.
Ka kërkuar që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.