Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rexhep Qosja – njeriu i fjalës që i trazoi të gjithë

ag apolloni rexhep qosja

“Qosja na trazoi të gjithëve, por me vetveten shkoi në paqe. Ai erdhi, e ndryshoi klimën kulturore në Kosovë, e ngriti kritikën letrare në një nivel me vendet fqinje, e reformoi Institutin dhe Fakultetin, dhe falë punës së tij të jashtëzakonshme, u bë figura më e njohur e Universitetit dhe Akademisë, e cila, duke mos mundur ta dëbojë, meqë ai nuk shkonte aty, për një çerek shekulli e ka kërcënuar me ndalje të rrogës”, ka thënë shkrimtari e studiuesi Ag Apolloni, të enjten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Foto: Driton Paçarada

Si njeri i fjalës është kujtuar të enjten akademik Rexhep Qosja, në 90-vjetorin e lindjes. Përveç një thesari të çmueshëm në letrat shqipe, Qosja la prapa edhe mësimin për guxim. E tillë ka qenë edhe ligjërata e shkrimtarit dhe studiuesit Ag Apolloni, në Bibliotekën Kombëtare. Ai ka thënë se është koha që të institucionalizohet kujtimi për një figurë që i trazoi të gjithë, por me vetveten shkoi në paqe

I lindur më 25 qershor të vitit 1936, akademik Rexhep Qosja është nderuar të enjten, në 90-vjetorin e ditëlindjes. Si historian i letërsisë e shkrimtar ka lënë trashëgimi peshërëndë në kulturën shqiptare. Në këtë ditëlindje, i tillë është kujtuar. Por është shkuar edhe më tej. Profesori i letërsisë dhe shkrimtari Ag Apolloni nëpërmjet ligjëratës “Fjalim për njeriun e fjalës” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ka bërë një portret të Qosjes si njeri. Si intelektual me peshë, figurë që u kritikua e u luftua. Por që sipas tij, në fund të fundit i mundi të gjithë.

Në krye të herës ka thënë se kritikët e huaj e kanë quajtur Volteri i Ballkanit dhe Kafka i Lindjes. E sipas tij, disa kritikë shqiptarë e kanë konsideruar si kritikun më të madh ndër shqiptarë. Ka kujtuar se Robert Elsie e konsideronte si njërin ndër kritikët më të mëdhenj të Ballkanit, Ismail Kadare e çmonte si shkrimtarin më të madh shqiptar që jeton jashtë Shqipërisë shtetërore e Ibrahim Rugova thoshte se Rexhep Qosja ka zgjidhur probleme vitale për letërsinë shqipe. Më pas të pranishmëve u është drejtuar duke thënë se Sabri Hamiti mendonte se Rexhep Qosja e ka shpëtuar letërsinë e Kosovës duke e përmbysur realizmin socialist që vinte nga Shqipëria, ndërsa Ali Aliu, që çuditej se si ka mundësi që edhe librat kritikë të Qosjes lexoheshin më shumë se romanet e autorëve të tjerë, thoshte për romanin e parë të Qosjes se ai është një fenomen i ri dhe unik, dhe shtonte se ai roman bën trajtimin më të thellë dhe më kompleks në prozën shqipe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një njeri që s’pranoi asnjëherë të jetë i lehtë

Por Apolloni që ishte student i Qosjes, s’ka folur shumë për veprën e akademikut i cili vdiq më 23 prill të këtij viti.

“Dhe sot këtu do të flas për të si person dhe jo për veprën e tij. Prandaj nuk do të ndalem të romanet me të cilat solli një poetikë të re në letërsinë shqipe; te dramat me të cilat u kthye në një Kamy të teatrit tonë; as te studimi më i mirë deri tash për romantizmin shqiptar; madje as te veprat publicistike dhe polemike, meqë jemi aq të familjarizuar me to. Nuk e ndiej të nevojshme të theksoj që ai lexonte, punonte e shkruante më shumë se krejt Departamenti i Letërsisë Shqipe, më shumë se krejt Instituti Albanologjik dhe më shumë se krejt Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, për të mos thënë më shumë se të gjitha këto së bashku”, ka thënë ai. Sipas tij, Rexhep Qosja nuk ishte i lehtë pasi ka shkruar kundër njerëzve të lehtë që ua rëndonin jetën njerëzve të ndershëm. Ka thënë se dikur një fjalim i tij, një artikull i tij, një intervistë e tij, një vepër e tij, apo një film i bazuar në romanin e tij, e dridhte Jugosllavinë. Dhe ka konstatuar se një njeri i lehtë s’mund ta bënte këtë.

“Po kush ishte ky njeri që s’pranoi asnjëherë të jetë i lehtë. Fundja, i lehtë duhet të jetë balerini, jo intelektuali”, ka thënë Apolloni.

“Profesor Qosja konsideronte se përgjegjësia morale e intelektualit, ishte të mos heshtte para padrejtësive, meqë vlera e vërtetë e një intelektuali nuk matej me titujt që mbante, por me të vërtetat që kishte guxim t’i thoshte, edhe atëherë kur ato nuk pranoheshin lehtë, qoftë nga pushteti, qoftë nga opinioni publik i kohës”, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti (Foto: Driton Paçarada)

Doktorata si bashkim kombëtar në nivel akademik

Ag Apolloni ka rikujtuar se kroniologjikisht Qosja ishte një djalë që erdhi nga një fshat shqiptar i Malit të Zi për t’u arsimuar në Prishtinë dhe se meqenëse në Prishtinë asokohe s’kishte studime të thelluara, shkoi në Universitetin e Beogradit, ku i ndoqi ligjëratat dhe i kreu provimet. Por sipas Apollonit, ai zgjodhi që në Prishtinë ta mbronte doktoratën. Mundësia iu krijua edhe për shkak të themelimit të Universitetit të Prishtinës më 1970.

“Meqenëse i kishte mbetur vetëm mbrojtja, që pothuajse gjithkund është formale e ceremoniale, Qosja vendosi ta mbronte tezën e doktoratës në Prishtinë. Por, te kush? S’kishte profesorë letërsie, e mos të flasim për doktor letërsie. Me tezën e doktoratës nëpër duar ai kërkonte komision, derisa UP-ja e pa që doktorata e tij është më e nevojshme për Universitetin sesa për vetë kandidatin. Kështu, u krijua një komision me profesorë nga fusha e gjuhës, historisë dhe psikologjisë, me një pjesë të komisionit edhe nga Shqipëria, dhe më 20 mars 1971, u mbrojt doktorata e parë e shkencave filologjike në UP. Pa dyshim, kjo është ngjarje e madhe në historinë e Kosovës”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, doktorata e Qosjes bashkoi për herë të parë Kosovën dhe Shqipërinë, dhe ky doktor i ri deri në fund të jetës do të punonte për t’i bashkuar këto dy shtete të një kombi.

“Ajo doktoratë është Bashkimi Kombëtar, në nivel akademik”, ka thënë Apolloni.

Persekutimi që kulmoi edhe me thyerjen e zyrës

Akademik Qosja kontribuoi në konsolidimin e Fakultetit të Filologjisë dhe në pavarësimin e Departamentit të Letërsisë Shqipe nga Departamenti i Gjuhës Shqipe. Sipas Apollonit, edhe pse ishte doktori i parë, edhe pse ishte autori i librit të parë kritik në Kosovë, edhe pse e reformoi Fakultetin dhe e themeloi dhe drejtoi departamentin, edhe pse ishte ligjëruesi më i njohur jo vetëm i departamentit, por i krejt universitetit, vitet e fundit si profesor përjetoi një persekutim të vërtetë, që vazhdoi e kulmoi një vit më pas në Institutin Albanologjik.

Apolloni ka thënë se një asistent, të cilin partia e bëri shpejt profesor, magjistër dhe doktor brenda një kohe shumë të shkurtër, duke mos përfillur as rregulloren, as statutin kërcente në tra e në tokë, për t’ia marrë lëndën e Estetikës.

“I njëjti i turrej profesorit nëpër korridor për ta sulmuar fizikisht. Dukej që e kishte shumë personale me të. Nuk po flas me të dëgjuar, kam qenë dëshmitar okular dhe jo i vetëm. Për këto sulme, Partia e shpërbleu shumë shpejt me poste politike: deputet, ministër Kulture dhe zëvendëskryeministër, dhe gjatë kohës sa ushtronte këto postet e fundit, e bëri edhe akademik. Dhe ai s’është i vetmi që është bërë akademik ashtu”, ka thënë Apolloni. “Sidoqoftë, Qosja e la fakultetin dhe shkoi në Institutin e tij, të cilin e kishte marrë si kazermë dhe e kishte kthyer në objekt normal për shkencë”, ka thënë ai. Ka përmendur se Qosja aty ishte dikur drejtor.

“Punoi si punonjës shkencor deri në moshën 70-vjeçare, kur ia thyen zyrën, e larguan, ia ndërruan bravën, ia hodhën dorëshkrimet dhe librat në thasë plehrash. Disa këtu mund të mendojnë se kjo ka ndodhur gjatë regjimit serb. Jo, kjo ka ndodhë në vitin 2007, kur ministri i Arsimit, Agim Veliu, solli një drejtor nga Shtimja për ta larguar Rexhep Qosjen”, ka thënë ai. Ka kujtuar se pas presionit të madh mediatik në Kosovë dhe Shqipëri, këtë drejtor që e largoi Rexhep Qosjen dhe që vinte nga fusha e sociologjisë për ta drejtuar Institutin e Albanologjisë, e largoi kryeministri Agim Çeku, i cili e ktheu Qosjen në zyrë, ku punoi deri në fund të jetës. Ka rikujtuar se para pak javësh kryeministri Kurti dhe ministri Hajrullah Çeku e kanë vizituar Institutin dhe kanë premtuar muzealizimin e zyrës së profesor Qosjes. Ka uruar që krejt kjo të mos jetë vetëm deklaratë.

“Nga ajo zyrë kanë dalë mijëra faqe që ia zbardhin fytyrën shteteve tona dhe kombit tonë. Nga ajo zyrë ka dalë edhe romani ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ që për 51 vjet, pra deri vitin e kaluar ka qenë romani më i përkthyer nga Kosova”, ka thënë Apolloni.

Duke e vazhduar kronologjinë ka përmendur se në vitin 2010, ministri i Arsimit në atë kohë, Ramë Buja, ndau një buxhet për botimin e kompletit të veprave të Qosjes ku u përfshinë në 29 vëllime. Asokohe ishte bërë bujë për honorarin.

“Në vitin 2019, një OJQ e quajtur ‘Admovere’ ka bërë një hulumtim kinse për Institutin, por me fokus te Rexhep Qosja. Ju mund të thoni se ky hulumtim i kësaj OJQ-je është botuar nga ‘Integra’ dhe është financuar nga ‘KFOS’, dhe se të gjitha janë fort të lidhura me një OJQ tjetër, të quajtur ‘KEC’, që udhëhiqet nga djali i Syrja Pupovcit, i cili, siç e dini ka qenë njëfarë ‘Danjolli i Sherkës’, dhe është ndër personazhet më negative në ditarin prej 5435 faqesh të Rexhep Qosjes, por edhe pse keni të drejtë të thoni ashtu, unë s’do të doja t’i përmendja këto gjëra të gërditshme”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, hulumtimi konstaton dhe alarmon se Rexhep Qosjes i janë dhënë 120 mijë euro, dhe bën pyetjen: “Pse ka qenë i rëndësishëm botimi i këtij kompleti?”

“Një honorar me atë shifër duket i madh, por unë po ju them se po të ma jepnin mua, do t’i shaja rëndë dhe do t’i padisja menjëherë. Pse? Sepse kompleti ka gjithsej 13 000 faqe. Përkthyesi më i lirë paguhet 10 euro për faqe. 13 mijë faqe nëse shumëzohen me 10 bëjnë 130 mijë. Kurse, Rexhep Qosja që nuk i ka përkthyer ato faqe, por i ka krijuar e i ka shkruar prej hiçit, nuk është paguar as 10 euro për faqe. Shkrimtari më i mirë është paguar më pak se përkthyesi më i lirë”, ka thënë Apolloni.

U është drejtuar të pranishmëve duke ju thënë që të mos harrojnë se Rexhep Qosja ishte intelektuali më i madh i Kosovës, ndër studiuesit dhe shkrimtarët më të mëdhenj të krejt Evropës Juglindore, ishte doktori i parë i shkencave filologjike, profesor i Estetikës në Universitetin e Prishtinës, themelues, reformues, konsolidues i një departamenti të këtij Universiteti. Sipas tij, krejt këto nuk mjaftuan që rektori aktual (Arben Hajrullahu v.j.), i cili deri më 2024 ishte pjesë e OJQ-së “Admovere”, të mbante një komemoracion, ose të bënte një postim në rrjete sociale, apo të shkruante së paku një telegram ngushëllimi për humbjen e kolegut, siç bëhet zakonisht.

“Ai bëri arbitrarisht një Statut të cilin, mjerisht, e votoi Kuvendi (e për këtë Kuvendi një ditë do të turpërohet), dhe falë atij Statuti që e ndëshkon sidomos Departamentin e Letërsisë Shqipe, kemi studentë që presin prej vitesh për të doktoruar me temë mbi romanet dhe kritikën e Rexhep Qosjes, sepse edhe pse i kanë kryer nga 300 faqe, ia kërkojnë edhe nja tri faqe në një revistë çfarëdo në ‘Scopus’. Mos të harrojmë se para disa vitesh pikërisht ky klan pati thënë se Rexhep Qosja s’ka kurrfarë kontributi shkencor se nuk ka shkrime në ‘Scopus’”, ka thënë Apolloni.

Duke e trajtuar figurën e Qosjes në shumë pikëpamje, ai ka thënë se kur Bashkimi Kombëtar të ndodhë, shqiptarët do ta kuptojnë se kush ishte babai i kombit. Është ndalur edhe te përjashtimet që bëhen jo shpesh.

Ka thënë se sot shqiptarët naivë nga Shqipëria i konsiderojnë ata të Kosovës ndryshe dhe se ata nga Kosova thonë se çka lypin këta të Malit të Zi në Kosovë. Ka thënë se shqiptarët e Serbisë dhe Bullgarisë së quajtur Maqedoni e Veriut, prej vitesh “s’i konsiderojmë pjesë tonën”.

Salla e BKK-së të enjten ka qenë e vogël në takimin nderues me rastin e 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Rexhep Qosja (Foto: Driton Paçarada)

Shembulli i intelektualit përballë përgjegjësisë

“Qosja na trazoi të gjithëve, por me vetveten shkoi në paqe. Ai erdhi, e ndryshoi klimën kulturore në Kosovë, e ngriti kritikën letrare në një nivel me vendet fqinje, e reformoi Institutin dhe Fakultetin, dhe falë punës së tij të jashtëzakonshme, u bë figura më e njohur e Universitetit dhe Akademisë, e cila, duke mos mundur ta dëbojë, meqë ai nuk shkonte aty, për një çerek shekulli e ka kërcënuar me ndalje të rrogës. Ai ishte akademiku që e refuzonte Akademinë, sepse donte akademi profesioniste, jo politike dhe klienteliste”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, kundër Qosjes nuk punoi një individ, një grup i caktuar, ose një parti.

“Jo. Kundër tij punoi një makinë e madhe propagandistike e përbërë nga individë që i kanë shërbyer regjimit serb me devotshmëri fetare; ai u sulmua nga fëmijët e atyre që u pasuruan çuditshëm pas lufte dhe e morën nën kontroll arsimin në Kosovë, duke sulmuar universitetin publik për ta fuqizuar shkollën e vet private; ai u sulmua nga satelitë të këtyre bijve të etërve të ulët; ai u sulmua nga të gjitha anët dhe i mundi të gjithë”, ka thënë Apolloni.

I është kthyer asaj se Qosja nuk ishte i lehtë, dhe ka thënë se e ka dashur pikërisht pse s’ishte i tillë.

“Megjithëse një njeri të rëndë, një njeri me peshë si ai, s’domethënë patjetër ta duash, mjafton ta nderosh. Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Ali Aliu dhe Sabri Hamiti, ndonjëherë u përplasën me të, nuk u pajtuan, por ia njohën vlerat. Kjo nuk flet vetëm për madhështinë e tij, por edhe për fisnikërinë e tyre”, ka thënë ai.

Më pas të pranishmëve u është drejtuar me fjalimin e famshëm të Mark Antonit nga drama “Julius Caesar” e William Shakespeare. E ka përshtatur duke e futur Qosjen si personazh në vend të Caesarit. Është ai fjalimi ku publikut i tregohet se Caesari s’ishte ashtu siç thoshin kritikët.  Dhe Apolloni ka qartësuar se ligjërata e tij është e tij dhe s’ka të bëjë fare me institucionin ku është mbajtur.

Takimi nderues udhëhequr nga Blerina Gaxha-Rogova, drejtoreshë e BKK-së, që e ka organizuar, është hapur me fjalën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti i cili ka thënë se kultura shqiptare pa Qosjen nuk do të ishte vetëm më e varfër, por do të ishte pa njërën nga shtyllat e panteonit kulturor shqiptar të shekullit njëzet dhe të shekullit njëzetenjë.

“Duke qenë një vëzhgues dhe analizues i vëmendshëm i ngjarjeve dhe i dukurive, profesor Qosja kishte ardhur në përfundim se identiteti i një kombi nuk mbështetet vetëm te shteti apo politika, por para së gjithash te kultura, te gjuha, te letërsia dhe te kujtesa historike. Kultura, sipas tij, nuk duhej trajtuar si një zbukurim i jetës kombëtare. Kultura nuk është dekor. Por, si kusht i ekzistencës së saj”, ka thënë ai. Sipas Kurtit, Qosja nuk ishte një studiues që u kufizua brenda fushës së tij të ngushtë profesionale, por një intelektual, i cili angazhimin e vet e zgjeroi në shumë fusha, edhe jashtë letrare.

“Profesor Qosja konsideronte se përgjegjësia morale e intelektualit, ishte të mos heshtte para padrejtësive, meqë vlera e vërtetë e një intelektuali nuk matej me titujt që mbante, por me të vërtetat që kishte guxim t’i thoshte, edhe atëherë kur ato nuk pranoheshin lehtë, qoftë nga pushteti, qoftë nga opinioni publik i kohës”, ka thënë midis të tjerash ai.

Akademik Rexhep Qosja, si një prej figurave kryesore të letërsisë ndër shqiptarë, me amanetin e tij është varrosur në një ceremoni krejt private në Prishtinë. Testamenti i tij është lexuar në këtë ngjarje nga aktori Avni Dalipi. Me rastin e vdekjes së Qosjes, është vlerësuar se kultura shqipe ka humbur një prej penave më peshërënda të saj.