Katër muzikantë të Filharmonisë së Kosovës janë bashkuar në “Reverie” e në koncert janë bashkuar epokat muzikore. Ka qenë një lloj shtegtimi nëpër Evropë, përmbyllja është bërë me vepër nga Kosova. Hollin e Bibliotekës Kombëtare e ka shndërruar në njëfarë teatri kamertal ku bashkohen stile e dinamika në gjuhë të pasur muzikore dhe me “aktorë” që prekin karakterin e jo veç fjalitë
Në një përshkrim gjeografik, është një rrugëtim që nis në Gjermani, për të vazhduar në Spanjë. Nga Iberiku vazhdohet për në Itali dhe përfundon në Ballkan, në Kosovë. Shtegtimi muzikor lëviz nëpër kohë të ndryshme të asaj që sot është Evropa politike, për t’u ndalur te Kosova e sotme. Në një ambient goxha të kuruar për muzikë dhome, edhe më i kuruar është kuarteti që luan.
“Reverie” bashkon katër anëtarë të Filharmonisë së Kosovës. Janë muzikantë me peshë në institucionin shtetëror dhe këtë, midis të tjerash, e kanë dëshmuar edhe në koncertin e së martës mbrëma.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKoncerti kamertal nisi me “Kuartetin harkor nr. 4 në c-mol, Op. 18” të Ludwig van Beethoven. Bëhet fjalë për një nga veprat e hershme të kompozitorit gjerman në muzikën e dhomës. Hyjnë te shenjat e para të Beethovenit, kur duhet të lexohet aspekti i tij shprehës dhe dramatik. Visar Kuçi e Rron Bakalli në violina, bashkë me Vesa Dolin në violë e Arian Zherkën në violonçel, nisin vrullshëm ashtu siç hapet vepra, me tension e shqetësim: drejt e në konflikt. Edhe katërshja lexohet shpejt se do të nxjerrë në pah finesat e veprave që luan. Kjo vepër i takon kohës kur kompozitori qe ende nën ndikimin e Mozartit dhe Joseph Haydnit, por padyshim që ka edhe elemente të zërit të tij muzikor, zërin e tij unik. Në qetësinë e muzikës së dhomës – që nganjëherë pengohet nga lëvizjet që s’ndalen nga publiku në asnjë koncert – kuarteti bën për vete të pranishmit duke shpalosur shpirtin krijues të Beethovenit të ri. Në katër kohë të veprës, që shkojnë gati te gjysmë ore, harqet u japin zë kontrasteve të forta dinamike, frazave të shkurtra e të ngarkuara emocionalisht dhe ndryshimeve të papritura në ritëm dhe karakter. Beethoven në përgjithësi hyn te kompozitorët jo të lehtë për t’u luajtur.
Por “Reverie”, në koncertin e organizuar nga Filharmonia e Kosovës, ka treguar se është kuartet që s’është e lehtë t’ia gjesh çiftin në vend. Serioziteti i tyre imponon vëmendje, e virtuoziteti fut publikun në karakterin e veprës.
Pas një pauze të shkurtër, janë kthyer për të qëndruar te klasikja, por kësaj radhe e ngjyrosur me motive spanjolle. “La oración del torero, Op. 34” e Joaquín Turina është një nga veprat më të njohura të muzikës së dhomës në Spanjë. Bashkon në mënyrë të veçantë traditën popullore andaluze me gjuhën klasike evropiane. Me fillim të errët e misterioz, vepra vjen me harmoni e ngjyra spanjolle që, sipas literaturës muzikore, janë tipike për Andaluzinë. Shquhet për liri ritmike e teksturë intime, ku thuajse çdo instrument ka rol të barabartë. Kuarteti, që e ka pasuruar ndjeshëm skenën muzikore, është kujdesur që fjalitë e veprës të jenë në peshën që realisht kanë. Katërshja s’luan veç nota – siç jo rrallë haset në skenën muzikore vendore – por futet në karakterin e veprave.

Më pas kanë kaluar te romantizmi i vonë. “Crisantemi” e Giacomo Puccinit vjen me ngarkesë të thellë emocionale dhe simbolike. U shkrua si një elegji për vdekjen e mikut të tij dhe, sipas literaturës muzikore, përfaqëson një nga shembujt më të ndjerë të shprehjes intime në krijimtarinë e italianit me nam. Shquhet për shprehje të thellë emocionale, melodi të gjata, harmoni të pasur dhe ngjyra të buta.
Është një elegji të cilën kuarteti e ka sjellë pak para fundit të koncertit, duke i dhënë mbrëmjes ngjyra të larta ndjeshmërie.
Violinisti Visar Kuçi, njëherësh koncertmjeshtër i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se çdo kuartet në fillimin e vet duhet t’i kalojë disa vepra të caktuara për t’u zhvilluar. Ka treguar se në programin e koncertit të kaluar kanë luajtur Mozartin.
“Kësaj radhe deshëm të vazhdojmë me muzikë klasike, por me diçka më të re se Mozarti. Vendosëm për Beethovenin, që është një prej kuarteteve më të hershme që i ka shkruar, jo kur ka qenë nga fundi i jetës. Është shumë klasik, shumë me influencë të Mozartit e Haydnit. Shihen karakteristikat e Beethovenit në dinamikë, në ndërrimet e menjëhershme, lëvizjet, thyerjet që i ka bërë në ndërtim të frazave e me radhë”, ka thënë ai. Sipas Kuçit, pas gati gjysmë ore me Beethovenin, për të mos e ngarkuar as veten e as publikun, kanë zgjedhur një laramani dhe njëfarë udhëtimi nëpër Evropë.
“Sonte vepra e Kreshnik Aliçkajt ishte adekuate që i përshtatej programit dhe pse të mos e mbyllim programin me një kompozitor vendor. Ishte një udhëtim nëpër epoka, edhe pse Turina nuk është menjëherë pas Beethovenit”, ka thënë ai.
Vepra e fundit e ka sjellë ansamblin në Kosovë. “Kuarteti për harqe” i Kreshnik Aliçkaj – kompozitor i njohur i gjeneratës së re – e ka mbyllur mbrëmjen. Kjo vepër, që prek goxha traditën muzikore vendore, është prej atyre që sjellin një ngjyrim muzikor më ndryshe të Aliçkajt. Ka njëfarë muzikaliteti më të hapur dhe motivet e përdorura, sa i japin karakter vendor, edhe e ngjyrosin me tonalitet të këndshëm.
“Më ka bërë përshtypje motivi që e ka përzgjedhur, pasi më kujton një këngë të vjetër. Ka momente kur të kujton tingujt e instrumenteve folklorike, pak si çifteli e të tjera. Është e punuar në një mënyrë shumë të avancuar dhe është shumë tonale e shumë e lehtë për t’u dëgjuar për publikun”, ka thënë Kuçi, derisa ka folur për programin.
Kompozitori Aliçkaj ka thënë se kjo vepër është shkruar vitin e kaluar për kuartetin e vajzave “Amati”. Ka thënë se të martën mbrëma është parë se vepra është interpretuar shumë mirë. Sipas tij, është e rëndësishme që vepra të interpretohet sa më mirë, pasi edhe puna e kompozitorit vlerësohet gjatë interpretimit.
“Vepra është diçka që shfaqet para publikut. Edhe pse ne zakonisht e kemi publikun profesional, gjithmonë në publik ka edhe qytetarë të zakonshëm. Është mirë të gjendet njëfarë gjuhe mesatare që vepra të depërtojë edhe te pjesa tjetër e publikut. Jam munduar të arrij që të jetë e afërt. E kam zakon të përdor motive shqiptare që të identifikohem si kompozitor i kësaj treve. Shpresoj që vepra të jetë mirëpritur nga publiku”, ka thënë Aliçkaj. Në bazë të kësaj vepre, Aliçkaj do të bënte mirë të mos e linte anash atë që i thotë “gjuhë mesatare”. E kuarteti “Reverie” të mos ndalet duke bashkuar në Prishtinë vepra të kompozitorëve e kohëve të ndryshme. Sikurse të martën mbrëma, kur hollin e Bibliotekës Kombëtare e ktheu në njëfarë teatri kamertal ku bashkohen stile e dinamika në gjuhë të pasur muzikore dhe me “aktorë” që prekin karakterin e jo veç fjalitë.