Prishtinë, 10 dhjetor – Mindilat ngjyrë portokalli të vendosur në xhepin e majtë të setrës nga burrat dhe qaforet e qëndisura me penj të portokalltë që mbajtën gratë ishin shenjat dalluese që përveçse të sjellin muzikë cilësore, anëtarët e orkestrës dhe korit të Filarmonisë së Kosovës në koncertin e së dielës kishin edhe tjetër mision.
I janë bashkuar fushatës 16-ditore të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Gjithë këtë e përthekuan me interpretimin e “Requiemit” të Mozartit. Solistë ishin tenori Liridon Sadriu dhe Diellza Sylejmani (alt) si dhe sopranoja franceze Amelia de Broissia dhe Lars Fosser nga Danimarka (bas). Koncerti i dirigjuar nga Rafet Rudi ishte një realizim i denjë për koncertin që Filarmonia ua dedikoi grave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen, pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë.
“Njëherësh kjo është thirrje që histori si këto s'duhet të përsëriten”, është në njoftimin e Filarmonisë për koncertin. Kësaj thirrjeje i janë bashkuar një numër i madh i njerëzve dhe atelieja përballë Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë ka qenë e stërmbushur. Një pjesë e publikut, duke mos pasur vend për t’u ulur, e ndoqi koncertin në këmbë. Me këtë koncert, Filarmonia shënoi edhe 70-vjetorin e lindjes së kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi.
Koncerti i së dielës, që ia dha ngjyrën e portokalltë Filarmonisë, u mbështet nga Ministria e Kulturës, Ambasada e Francës në Kosovë dhe “Kohavisioni”. Organizimi i tij ishte fuqizuar me mbështetjen e “UN Women”.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)