Kulturë

Rasti i drejtorit të Institutit Albanologjik në Prokurori Speciale, akuza për presion politik e frikësim

instituti Albanologjik

Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë hyrë në ditën e tretë të përplasjeve për rastin e drejtorit

“Personave të dyshuar” për rastin e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ua ka renditur së paku tri vepra penale. Të mërkurën pasdite, në ditën e tretë të përplasjeve, nëpërmjet rrjeteve sociale ajo ka njoftuar se i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. IAP-ja e ka cilësuar këtë si veprim befasues të ministres në detyrë, i cili “përben hiç më pak se kërcënim dhe tentim për frikësim”

Rasti i drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës tashmë ka trokitur në dyert e Prokurorisë Speciale të Kosovës. E ka dërguar ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci. Ka njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale, të mërkurën pasdite, në ditën e tretë të përplasjeve midis MASHTI-t që nëpërmjet vendimit e ka obliguar IAP-në ta zhbëjë vendimin e zgjedhjes së drejtorit, përderisa institucioni shkencor e ka cilësuar atë “të pasafatshëm dhe të paligjshëm”. 

Këshilli Drejtues zgjodhi drejtor Naim Berishën në dhjetorin e vjetëm, tek të hënën e kësaj jave MASHTI u “aktivizua”, e prapë nëpërmjet rrjeteve sociale, ministrja në detyrë zbardhi “organin kompetent” që kishte paralajmëruar t’i drejtohej kur Këshilli Drejtues ia kontestoi vendimin e fillimjavës. IAP-ja, kësaj radhe i është kundërpërgjigjur po në Fecabook. E akuzon për presion politik e frikësim. 

“Ashtu siç kam paralajmëruar dy ditë më parë, sot përmes një shkrese i jam drejtuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me ç’rast e kam njoftuar për shkeljet ligjore dhe kam kërkuar fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës”, ka shkruar Nagavci. “Personave të dyshuar” ua ka renditur se paku tri vepra penale. 

“Ndër të tjera, Prokurorinë e kam informuar se personat e dyshuar, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer së paku këto vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës, sipas nenit 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Bashkëkryerja, sipas nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo. Sipas ministres në detyrë të MASHTI-t, në bazë të raporteve dhe dokumenteve zyrtare të pranuara deri më tani, “është konstatuar se kemi të bëjmë me veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave të caktuara dhe beneficioneve të pozitës, duke mos respektuar dispozitat ligjore në fuqi dhe në tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave ligjore”. 

“Pres që ky rast të trajtohet me seriozitetin e duhur nga organet kompetente dhe që përgjegjësit të përballen me drejtësinë në përputhje me ligjin”, ka shkruar ajo. 

“Presion politik dhe publik mbi Institutin Albanologjik”, e ka cilësuar IAP-ja këtë postim të ministres Nagavci. 

“Ministrja në detyrë e MAShTI-t, znj. Arbërie Nagavci, është duke ushtruar presion politik dhe publik mbi Institutin Albanologjik të Prishtinës, si një institucion i pavarur kërkimor-shkencor që duhet të mbahet larg politikës. Në një postim në faqen e saj në rrjetin social Facebook, pas orës 16:00, ajo ka pohuar se i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me atë që ajo e cilëson si ‘shkelje ligjore dhe kërkesë për fillimin e procedurave penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së drejtorit të Institutit Albanologjik’”, shkruhet në postimin e këtij institucioni shkencor. Sipas postimit, Instituti Albanologjik, gjegjësisht drejtuesit e tij, “ndihen nën presion publik, psikologjik dhe politik në kryerjen e detyrave pas këtij veprimi befasues të ministres në detyrë, meqë një çështje që është dhe do të duhej të cilësohej tërësisht administrative, ajo synon t’ia veshë petkun penal”. Në kundërpërgjigjen e IAP-së, citohen ligjet në bazë të të cilave ka vepruar Këshilli Drejtues. 

“Pra, ka punuar dhe vepruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës. Andaj, të kërkohet përndjekje penale për zyrtarët që janë duke i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës, përbën hiç më pak se kërcënim dhe tentim për frikësim. Një gjë e tillë mjegullon të vërtetën dhe ngjall pakënaqësi e dyshime mes punonjësve shkencorë të Institutit Albanologjik-Prishtinë. Sipas legjislacionit në fuqi, janë pikërisht punonjësit shkencorë të Institutit që i propozojnë dhe i zgjedhin organet e veta drejtuese, shefat e Degëve, anëtarët e brendshëm të Këshillit Drejtues, sekretarin shkencor dhe përfundimisht drejtorin. Pra, zgjedhja e drejtorit bëhet përmes një procesi tërësisht demokratik dhe transparent dhe asnjë instancë jashtë Institutit nuk mund ta imponojë zgjedhjen e organeve drejtuese të IAP-së”, shkruhet në kundërpërgjigje. Po aty i bëhet thirrje ministres në detyrë, “që ta respektojë legjislacionin në fuqi dhe vullnetin demokratik të punonjësve shkencorë të Institutit Albanologjik”. 

Të hënën pasdite, vetë ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte njoftuar nëpërmjet rrjeteve sociale se është anuluar vendimi për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Institucioni që e udhëheq Nagavci kishte publikuar edhe vendimin. Ky dokument është nxjerrë nga kabineti i ministres në detyrë dhe është nënshkruar nga vetë ministrja në detyrë. Nuk mban emra të ndonjë zyrtari ligjor që mund të ketë shqyrtuar procedurën. Dhe, vendimi është nxjerrë gati dy muaj pas vendimit të Këshillit Drejtues të IAP-së për zgjedhjen e Naim Berishës drejtor të institucionit.

“Anulohet vendimi me nr. IAP/127, i datës 04.12.2025, për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Obligohet Këshilli Drejtues që pa e kaluar afatin ligjor prej dy (2) vjetësh, nga koha që Instituti nuk ka zgjedhur drejtor, duke përjashtuar kohën nga zgjedhja e drejtorit deri në anulimin e konkursit, mandatin e drejtorit t’ia kalojë ushtruesit të detyrës nga radhët e punonjësve të Institutit, të njoftojë Ministrinë për shpalljen e konkursit të ri për drejtor të Institutit, si dhe të marrë parasysh edhe rekomandimet e Ministrisë lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit për ndërkombëtarizimin e shkencës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. Në pikën e dytë obligohet Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme që të përfillë legjislacionin në fuqi. Sipas vendimit, konkursi publik i datës 14.10.2025 për zgjedhjen e drejtorit të Institutit nuk i ka respektuar rekomandimet e dhëna nga MASHTI më 10.04.2025, lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit. Në arsyetim shkruhet se Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028 e identifikon ndërkombëtarizimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore si një objektiv strategjik. 
“Në këtë kuadër IAP-ja ka qenë e obliguar t’i përfshijë rekomandimet e MASHTI-t, të cilat parashihnin kushte dhe kritere shtesë në konkurs për drejtor, me qëllim të ngritjes së standardit shkencor dhe të ndërkombëtarizimit të Institutit”, shkruhet në arsyetim. Po aty shkruhet se asnjë nga anëtarët e Këshillit Drejtues nuk është caktuar në Komisionin për vlerësimin e aplikantëve për pozitën e drejtorit të IAP-së.

Të martën, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të Institutit, ky organ kishte përmendur gjykatën përderisa vendimin e MASHTI-t e kishte  cilësuar ndërhyrje në autonominë institucionale dhe funksionale të Institutit. 

“MASHTI është informuar për fillimin e procedurës për shpalljen e konkursit, Këshilli Drejtues i IAP-së ka hartuar kushtet dhe kriteret e konkursit dhe se nëse kriteret ose ndonjë dispozitë e këtij konkursi nuk ka qenë e ligjshme, pse MASHTI nuk ka reaguar me kohë kur i ka edhe anëtarët e vet të emëruar në Këshillin Drejtues?”, thuhej në reagim.

LEXO EDHE: