Kulturë

Rabati në industrinë e filmit solli 1.6 milionë euro, kryesojnë reklamat

Qendra Kinematografika e Kosovës

Raportin prej disa faqesh institucioni më i lartë i filmit e nis me një alamet vlerësimi për veten. “Viti 2025 përfaqëson një nga vitet më intensive dhe më domethënëse në historinë e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK)”, shkruhet krejt në fillim të dokumentit

Me synimin që Kosova të futej në hartën e top-destinacioneve për produksione të huaja, viti i kaluar qe test për efektet e aplikimit të rabatit në industrinë e filmit. Rezultati: 1.6 milionë euro që janë investuar në Kosovë. Qendra Kinematografike e Kosovës e ka renditur si sukses të 2025-tës, por pa dhënë shumë detaje. Produksione të huaja kanë lidhur kontrata në Kosovë për një serial televiziv, një film i metrazhit të gjatë, një film i metrazhit të shkurtër dhe 7 reklama televizive. QKK-ja vitin a kaluar e rendit si më të suksesshmin e Raporti s’e përmend asnjë telash

Skema e rabatit, ku shteti ia kthen kompanisë kinematografike 30 për qind të investimit në Kosovë, për herë të parë është provuar vitin e kaluar. Sipas Raportit vjetor të Qendrës Kinematografike të Kosovës, gjatë vitit 2025, duke shfrytëzuar rabatin, në vend kanë ardhur 1.6 milionë euro si investime të huaja. Në Raportin e QKK-së ka të dhëna për filmat e financuar, punën e bërë gjatë vitit, konkurset e segmente të tjera. Përmenden dy konkurse, 2.7 milionë euro subvencione e filmat që janë dhënë në festivale të ndryshme. 

Me Rregulloren për të drejtën e rabatit të miratuar në nëntor 2024, kompanitë e huaja që investojnë dhe shpenzojnë drejtpërdrejt në Kosovë për projektet e tyre, do të rimbursohen me 30 për qind të vlerës së investimit. Ta zëmë, nëse një kompani e huaj audiovizuale shpenzon në Kosovë 1 milion euro për film, serial, videolojëra a reklamë, shteti do t’ia kthejë 300 mijë euro. Kur u miratua, u reklamua si një ofertë që Kosova të bëhej destinacion produksionesh të huaja. 

Çështja e rabatit – që është diskutuar qysh para më shumë se një dekade –prej vitit 2025 mund të shfrytëzohet. Raporti i QKK-së jep të dhëna që tregojnë për 1.6 milionë euro investime të huaja dhe 200 mijë të kthyera. Sipas Raportit, janë gjithsej 10 kontrata të nënshkruara: një serial televiziv, një film i metrazhit të gjatë, një film i metrazhit të shkurtër dhe 7 reklama televizive. Raporti nuk tregon emrat e kompanive të huaja e as për bashkëpunëtorët e tyre vendorë. 

Producenti e aktori Fatmir Spahiu, i cili është prej njerëzve që kanë lobuar shumë për këtë skemë dhe është marrë direkt me këtë çështje, ka thënë se numri i kontratave si sasi është inkurajues për vitin e parë të implementimit. 

“Mendoj që vlen të hulumtohet fakti se sa realisht janë të involvuar njerëzit e industrisë brenda. Sa persona ose sa njerëz të filmit e industrisë kreative kanë qenë të involvuar. Do të doja të ishte një bilanc më i madh midis filmit e reklamave. Bëhet fjalë për 7 reklama dhe një film të gjatë, një të shkurtër dhe një serial. Është mirë, por do të doja të ishte 50 me 50, sepse filmi në krahasim me reklamën mbledh më shumë njerëz të industrisë”, ka thënë ai. Sipas Spahiut, do të ishte mirë që të shihen këto vepra të promovuara dhe të dihet se kush ka punuar dhe çfarë ka punuar. 

“Në anën tjetër mendoj që rabati si pjesë e ligjit nuk po promovohet mjaftueshëm. Për të pasur një jehonë më të madhe në promovimin e rabatit duhet të marrim pjesë intensivisht odat ekonomike dhe promotorët e turizmit pasi përfitues direkt e indirekt është po ashtu turizmi dhe promovohet vendi e përfiton ekonomia”, ka thënë Spahiu duke shtuar se rabati si ide në vetvete nuk do të duhej t’i shërbente vetëm industrisë kreative audiovizuale të Kosovës. “Por efekti duhet të jetë shumëdimensional”, ka thënë ai. 

Raportin prej disa faqesh institucioni më i lartë i filmit e nis me një alamet vlerësimi për veten. “Viti 2025 përfaqëson një nga vitet më intensive dhe më domethënëse në historinë e Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK)”, shkruhet krejt në fillim të dokumentit. Më pas tregohet se në konkursin e muajit shkurt, për filma të metrazhit të gjatë artistikë kanë aplikuar 12 projekte dhe tre janë shpallur fitues. Kurse në thirrjen e dytë në tetor në 11 kategori kanë aplikuar 126 projekte dhe janë përkrahur 58 prej tyre. Sipas të dhënave të QKK-së, gjatë vitit 2025 janë mbështetur 6 filma të metrazhit të gjatë artistikë, një film i metrazhit të gjatë eksperimental, 5 bashkëprodhime minoritare për film të metrazhit të gjatë artistik, 14 zhvillime skenari, 3 filma dokumentarë të metrazhit të gjatë, 3 filma dokumentarë të metrazhit të shkurtër, 8 filma të shkurtër artistikë, 4 postproduksione për film të metrazhit të gjatë, 3 filma të shkurtër të animuar, një zhvillim projekti për film të metrazhit të gjatë dhe 3 filma të shkurtër artistikë studentorë. 

“Gjatë vitit 2025, QKK ka ndarë 2.7 milionë euro subvencione, duke shënuar: 7 filma artistikë me metrazh të gjatë të mbështetur, numri më i lartë ndonjëherë brenda një viti, 5 kooproduksione minoritare ndërkombëtare, 3 filma dokumentarë të gjatë, 3 filma dokumentarë të shkurtër dhe 3 filma të shkurtër të animuar, numri më i lartë ndonjëherë brenda një viti”, shkruhet në Raport. Në këtë dokument përmendet hartimi i Çmimores së re në industrinë e filmit, nënshkrimi i marrëveshjes me Austrian Film Institute dhe Memorandumi i Mirëkuptimit me Festivalin e Filmit Dokumentar në Francë – FIPADOC. Po ashtu zë vend edhe vizita të producentëve kosovarë në Austri për rrjetëzim dhe bashkëprodhime me ftesë të Ministrisë së Kulturës së Austrisë dhe Memorandumi i Mirëkuptimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për diplomaci kulturore. 

“Gjatë vitit 2025, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka pasur prezencë të drejtpërdrejtë institucionale me shtand zyrtar në tregjet kryesore ndërkombëtare të filmit, duke promovuar në mënyrë aktive kinematografinë e Kosovës, projektet filmike në zhvillim dhe mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar”, shkruhet në Raport. Përmenden Berlinalja, Cannes, Annecy dhe Balkan Film Market. 

Në raport QKK-ja ka listuar edhe “Shame and Money” nën regji të Visar Morinës si premierë Sundance, “Odiseja e Gëzimit”, nën regji të Zgjim Terziqit me premierë në “Cairo International Film Festival”, “Hana” të Ujkan Hysajt me premierë në “Goa International Film Festival” dhe disa filma të tjerë që kanë pasur premiera. Aty zë vend edhe “Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës me premierë në Berlinale. Sipas Raportit të QKK-së gjatë vitit janë shënuar 6 premiera filmash artistikë të metrazhit të gjatë prej të cilave 4 në festivale të kategorisë A. Dhe krejt në fund Raporti mbyllet edhe me një lëvdatë për veten. 

“Viti 2025 konfirmon QKK-në si institucion transparent, funksional dhe vizionar, që në një vend të vogël ka ndërtuar një kinematografi me ndikim të madh ndërkombëtar”, shkruhet në Raport. 
Por në këtë dokument nuk ceket se kinematografia e Kosovës është në vitin e tretë prej që e ka humbur rrugën për “Oscar”. Shteti më i ri i Evropës, që në dekadën e fundit ka pasur një film të nominuar e një tjetër në listën e ngushtë për nominim, as vjet s’ka pasur kandidat për çmimin më prestigjioz që njeh bota. Krejt kjo bën që ajo që shihej si vala e re e kinematografisë së Kosovës të mos jetë e qëndrueshme të paktën me atë që është diplomacia nëpërmjet filmbërjes. Më 2023 përbërja e atëhershme e Komitetit përzgjedhës erdhi në përfundim se s’ka film që i plotëson kushtet për kandidim për nominim në kategorinë e filmave ndërkombëtarë të “Oscar”. 

Më 2024, arsyetimi se QKK-ja kishte “probleme me e-maile” qe goditja e radhës, që shënoi mospraninë e Kosovës në listën e shteteve që dërguan kandidatët. Për dy vjet radhazi alamet emrash nga Kosova që merren me këtë fushë i reaguan dhe e këshilluan QKK-në që të mos vepronte kësisoj.
Vjet më 2025 është hapur thirrja dhe është vlerësuar se s’ka film që i plotëson kushtet.