Një vepër monumentale arti, e frymëzuar nga Panteoni i Romës, është inauguruar në Danimarkë. Kupola e krijuar nga artisti amerikan, James Turrell, përshkruhet si projekti i tij më i guximshëm deri më sot. Me titull, “As Seen Below – The Dome”, instalacioni është projektuar për të nxitur reflektim të qetë, ndërsa vizitorët përjetojnë ndryshimin e vazhdueshëm të ngjyrave dhe cilësive të dritës natyrore
Në “skyspace” – një hapësirë ku nuancat shkrihen gradualisht me njëra-tjetrën, tingujt më të vegjël jehojnë në këtë ambient të gjerë dhe vetë qielli duket sikur ndryshon ngjyrë. Në muzeun e artit “ARoS” në Aarhus – qyteti i dytë më i madh i Danimarkës – vizitorët po admirojnë veprën më të re të njohur si “skyspace”, të artistit të famshëm amerikan, James Turrell.
Kjo vepër monumentale, e njëqindta në karrierën e Turrellit dhe njëkohësisht projekti i tij më ambicioz dhe më i guximshëm deri më sot, u hap për publikun në muzeun e Jutlandës lindore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtoresha e muzeut, Rebecca Matthews, ka thënë se për më shumë se një dekadë kanë bashkëpunuar me Turrellin, tashmë 83 vjeç, për realizimin e kësaj vepre.
“Kanë kaluar dhjetë vjet, në fakt më shumë se një dekadë, duke krijuar vizionin dhe duke planifikuar së bashku me James Turrell. Mendoj se biseda e parë për krijimin e një vepre këtu, ishte në vitin 2011. Që atëherë kemi diskutuar, zhvilluar dhe përpunuar këtë ide për një kohë shumë, shumë të gjatë. Ndërsa planet u zgjeruan dhe ideja mori formë, James vendosi që kjo vepër të kishte përmasa, shkallë dhe monumentalitet të ngjashëm me Panteonin në Romë. Ai u bazua pikërisht në ato përmasa dhe tani ka krijuar ‘skyspace’-in e tij më ambicioz dhe më të madh në botë. Rastësisht, kjo është edhe vepra e tij e njëqindtë dhe ndodhet pikërisht këtu, në Aarhus”, ka thënë ajo.
I lindur në Los Angeles në vitin 1943, Turrelli e kultivoi magjepsjen e tij për dritën si pilot, duke vëzhguar mënyrën se si drita dhe ngjyrat ndryshojnë sipas lartësisë, kohës së ditës dhe kushteve atmosferike. Më pas ai studioi artin dhe psikologjinë e perceptimit të dritës dhe në vitet ‘60 u bë pjesë e lëvizjes artistike kaliforniane “Light and Space”.
Ai njihet më së shumti për veprat e njohura si “skyspace” – instalacione artistike dhe arkitekturore, secila me një hapje të madhe në tavan që kornizon qiellin e hapur.
“Artistët gjithmonë e kanë përdorur dritën. E kanë përdorur atë si medium dhe si subjekt. Mjafton të shikoni Caravaggion në shekullin XVI, me atmosferat e tij dramatike teatrale dhe veprën ikonike ‘Thirrja e Shën Mateut’ në Romë. Ose Vermeerin, i cili përdor atë dritë të bukur – jo një dritë të shenjtë fetare, por dritën e zakonshme të ditës që depërton nga një dritare. Apo Hammershøin, këtu në këtë galeri, me interierët e tij të qetë dhe ndriçimin delikat. Turrelli përshtatet natyrshëm në këtë traditë, por ai nuk ka objekt dhe nuk ka imazh; ai i eliminon plotësisht ato, në mënyrë që drita dhe perceptimi të bëhen materiali, të bëhen vetë vepra”, ka thënë Matthews, muzeu i së cilës ka në koleksion më shumë se 8.300 vepra, përfshirë skulpturën gjigante “Boy” të Ron Mueck dhe “Rainbow Panorama” të Olafur Eliassonit.

Krijimi i një vepre kaq monumentale dhe të përhershme në qendër të Aarhusit kërkoi vite të tëra ndërtimi të kujdesshëm. Me titull “As Seen Below – The Dome”, instalacioni ka një lartësi prej 16 metrash dhe një diametër prej 40 metrash.
“Madhësia e kupolës u vendos që në fillim të ishte mbresëlënëse. Ne e morëm Panteonin si shembull. Përmasat tona janë pothuajse të njëjta, varësisht nga pika ku matet, nga brenda apo nga jashtë. Vetë kjo përbënte një sfidë, pasi kupola duhej të vendosej në mes të një parku publik. Kështu lindi ideja e Jamesit për të krijuar një ‘skyspace’ ku hyn nga nëntoka, pastaj futesh në hapësirën e kupolës dhe përjeton qiellin duke parë lart, sikur vetë qielli zbret drejt teje”, ka deklaruar Jette Birkeskov Mogensen, drejtoreshë e projektit në studion arkitekturore “Schmidt Hammer Lassen”.
“As Seen Below – The Dome” është vendosur në një dhomë kupole nëntokësore.
Birkeskov Mogensen shpjegon se vizitorët zbresin katër metra përmes një korridori shumëngjyrësh dhe me kthesa, përpara se të dalin në këtë hapësirë të madhe me kupolë – një përvojë, sipas saj, mjaft çorientuese.
“Gjysma e kupolës ndodhet nën tokë, kështu që dyshemeja është katër metra më poshtë. Kjo na detyroi të krijonim një rrugëtim ku vizitori zbret gradualisht. Synimi ishte gjithashtu që kjo të ishte një përvojë që të krijon një ndjenjë të lehtë çorientimi. Korridori është i lakuar dhe kalon rreth galerisë së re. Vizitorët ecin edhe përgjatë pjesës së jashtme të kupolës përpara se të hyjnë në të. Kështu, kur futen në hapësirën e kupolës, mund të përjetojnë atë ndjesi të lehtë çorientimi”.
Matthews gjithashtu thotë se vepra është projektuar për të nxitur reflektim të qetë, ndërsa vizitorët përjetojnë ndryshimin e vazhdueshëm të ngjyrave dhe cilësive të dritës natyrore.
“Një person e përshkroi veprën si një përqafim gjigant rozë. Nuk mendoj se është pikërisht kështu, por besoj se kjo ishte ndjesia që mori prej saj. Për mua është njëkohësisht një strehë shpirtërore, një observator, një vepër arkitekturore dhe një përvojë gjithëpërfshirëse artistike. Vizitorët thonë se ndiejnë një ndjesi të jashtëzakonshme mahnitjeje dhe habie. Është një përjetim pothuajse magjik i ngjyrës dhe dritës. Qielli bëhet si një kanavacë që ndryshon vazhdimisht. Për shkak të përmasave të saj, vepra mund të duket mbresëlënëse, por në fakt të qetëson. Ulesh për një përvojë shumë personale, ndërkohë që e ndan atë me njerëz të tjerë. Është një përvojë njëkohësisht universale dhe individuale. Është vërtet e jashtëzakonshme”, ka thënë Matthews.
“As Seen Below – The Dome” po vazhdon të qëndrojë e hapur për publikun në muzeun e artit “ARoS”.