Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Qendra Historike e Prishtinës “forcon” kufijtë në “Gjeoportal”

qendra historike

Kufijtë zyrtarë të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës tashmë janë në “Gjeoportalin e Kosovës”, e mungesa e këtij regjistrimi shpesh ka qenë shkak përplasjesh midis institucioneve lokale e qendrore veçmas me projektet në këtë zonë

Janë dashur nja pesë vjet prejse u mor nën mbrojtje, që Qendra Historike e Prishtinës, të regjistrohet në platformën “Gjeoportali i Kosovës”, e mungesa e këtij hapi shpesh ka qenë temë përplasjesh midis institucioneve qendrore e lokale veçmas me projekte që preknin këtë zonë.

Të premten, Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka njoftuar se pas një angazhimi të përbashkët me institucione të trashëgimisë kulturore dhe Agjencinë Kadastrale të Kosovës, “kufijtë zyrtarë të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës (QHPr) tashmë janë regjistruar dhe janë të qasshëm në platformën Gjeoportali i Kosovës”. Ka rikujtuar se Qendra Historike e Prishtinës, aset i trashëgimisë kulturore - fushë e konservimit arkitektural, me numër unik 4790, “është i listuar në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme që nga viti 2020” si dhe së fundi me vendimin e datës 10.10.2025, të ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Publikimi i kufijve të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të QHPR-së në Gjeoportal përfaqëson një hap të rëndësishëm në zbatimin e parimit të konservimit të integruar, sipas të cilit, trashëgimia kulturore trajtohet si pjesë përbërëse e planifikimit hapësinor, zhvillimit urban dhe proceseve të vendimmarrjes.  Kjo qasje mundëson koordinim më të mirë ndërinstitucional, planifikim më të përgjegjshëm dhe vendimmarrje të bazuar në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore”, shkruhet në njoftimin e MKT-së. Për të  procesi i publikimit të kufijve të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të aseteve të trashëgimisë kulturore do të vazhdojë edhe për asetet e tjera të trashëgimisë kulturore”.

Por jo rrallë, në terren ka dalë e kundërta e “koordinimit më të mirë ndërinstitucional”. Rasti i projektit 18.1 milionë eurosh për sheshin “Xhorxh Bush” ka qenë dhe vazhdon të jetë arenë përplasjesh. Komuna e Prishtinës shesh i referohet draftplanit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende s’është miratuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draftdokument. Por, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja kishte marrë statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme.

Në fillim të këtij viti, Qendra Historike e Prishtinës për herë të parë synonte të bëhej me Plan të Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar. E një prej pikave të planit ia zgjeron kufijtë, e që shpeshherë ishin kontestuar nga Komuna pikërisht për “Xhorxh Bushin”.

Edhe Drafti i planit rrit Qendrën Historike të Prishtinës Kulturë 6 muaj më parë Drafti i planit rrit Qendrën Historike të Prishtinës

Me draftin e Planit të Konservimit dhe Menaxhimit të Integruar të QHP-së, kufijtë e zonës së mbrojtur zgjerohen dhe përthekojnë edhe katedralen “Nëna Terezë”.  Dokumenti, asokohe në konsultimeve publike, në 359 faqe rrumbullakon historikun e QHP-së bashkë me gjendjen aktuale dhe planet për të ardhmen. Komentet – të paktën ato publike – s’kishin qenë krejtësisht në vijë me hartimin që ka bërë grupi punues, përderisa kishte raste kur qysh në fillim të procesit ishin tërhequr anëtarë shkaku se, sipas tyre, ka munguar qasja serioze e profesionale.

Bartëse e hartimit të planit është Ministria e Kulturës e ndihmuar nga UN-Habitat në Kosovë dhe ekipet punuese kanë përfshirë edhe Komunën e Prishtinës, Ministrinë e Mjedisit, Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore dhe një organizatë të shoqërisë civile.

Sipas Planit, Qendra Historike e Prishtinës është përcaktuar në tërësinë e saj si zonë konservuese, por për shkak të rëndësisë historike, shkallës së transformimit dhe kufizimeve ligjore është ndarë në 8 zona konservuese me kushte dhe rregulla përkatëse. Sipas Planit, të gjitha zonat në Qendrën Historike do të kenë statusin e zonave konservuese, por dallimet në konsistencën me strukturën urbane, kontributin, integritetin arkitektonik dhe nivelin e transformimeve të pësuara ndër vite, do të përcaktojnë rregulla dhe kushte të personalizuara për secilën zonë.

“Zona brenda perimetrit të Qendrës Historike të Prishtinës është e ndarë në 8 zona konservimi, së bashku me Parkun e Qytetit si zonë e veçantë, të cilat dallojnë mes vete për nga rëndësia historike, prania e aseteve të trashëgimisë kulturore dhe shkalla e transformimit të strukturës urbane”, shkruhet në Plan.

Edhe Instituti miraton me kushte projektin ideor për tregun në Prishtinë Kulturë 3 j. më parë Instituti miraton me kushte projektin ideor për tregun në Prishtinë

Kurse ndarja e zonave në kuadër të Zonës Mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës ndahet në Zonat për rimodelim, Korridoret urbane, Zonat për konsolidim dhe Zonat për zhvillime me interes publik.

Zona e parë e konservimit, sipas Planit,  përfshin 25 asete të trashëgimisë kulturore, të kategorisë profane, sakrale dhe utilitare, midis tyre Muzeun Kombëtar të Kosovës, Xhaminë e Gurit, Xhaminë e Jashar Pashës, Xhaminë e Mbretit, Hamamin e Madh, Shkollën e parë shqipe, shtëpi banimi dhe ndërtesa të tjera me vlerë arkitektonike dhe historike. Të gjitha këto kontribuojnë në vlerën kulturore dhe identitetin urban të zonës. Rëndësia e konservimit llogaritet shumë e lartë.