Kulturë

Prishtina aktive në këndim njëzëri me Shawn Mendes e artistët e tjerë në “Sunny Hill”

Në natën e dytë, skena i ka ndryshuar krejtësisht format, tashmë aty ku kishte qenë e vendosur skena e madhe e ndërtuar enkas për performancën e Dua Lipës, është liruar e tëra dhe hapësira kryesore e skenës ka mbetur e lirë, duke e bërë përvojën më të ndier për artistët dhe publikun. Nën qiellin e Bërnicës së Poshtme, aty ku muzika nuk pushon dhe turma nuk tretet, nata e dytë e edicionit të pestë e ka tejkaluar po ashtu çdo pritje. Me skenën e transformuar, një publik prej rreth 30 mijë vetash dhe një kombinim të artistëve vendorë e ndërkombëtarë, ajo ka sjellë energji, emocion dhe jehonë globale për Prishtinën

Me entuziazëm që thuajse prek në ajër, edicioni i pestë i festivalit “Sunny Hill” ka nisur me skenë të mbushur me emocion dhe me pjesën qendrore: momentin që do të mbahet gjatë në mend, kur Dua Lipa për gati dy orë e kaloi çdo kufi mes të qenit artiste globale dhe ambasadore e kulturës kosovare. Ajo nuk ishte vetëm këngëtarja kryesore, por edhe protagoniste e një mesazhi identiteti kulturor: me interpretimin e këngës “Era” së bashku me të atin, Dukagjin Lipa, ajo e mbajti gjallë publikun me fraza në shqip, duke e ndërthurur muzikën dhe familjen në festivalin që tashmë është bërë trashëgimi.
Në natën e dytë, skena i ka ndryshuar krejtësisht format, tashmë aty ku kishte qenë e vendosur skena e madhe e ndërtuar enkas për performancën e Dua Lipës, është liruar e tëra dhe hapësira kryesore e skenës ka mbetur e lirë, duke e bërë përvojën më të ndier për artistët dhe publikun. Nën qiellin e Bërnicës së Poshtme, aty ku muzika nuk pushon dhe turma nuk tretet, nata e dytë e edicionit të pestë e ka tejkaluar po ashtu çdo pritje. Me skenën e transformuar, një publik prej rreth 30 mijë vetash dhe një kombinim të artistëve vendorë e ndërkombëtarë, ajo ka sjellë energji, emocion dhe jehonë globale për Prishtinën.

Era Istrefi e ka hapur natën e dytë pas këngëtares Yanina dhe reperit Lluni, dhe përpara dhjetëra-mijëra zërave publik e ka kënduar edhe hitin ndërkombëtar “BonBon”, ndezur më tej nga performancat e tjera pasuese. Më pas e ka ngjitur skenën Sainté, reperi britanik nga Leicester, i cili me zërin e tij i ka kombinuar tingujt e repit anglez me ndikime nga artistë, si Freddie Gibbs, Larry June, dhe Curren$y, duke e thirrur publikun në një atmosferë intime.

“S’dua të iki në shtëpi, dua të rri këtu”, ka thënë ai në skenë, teksa i tërë publiku i mbante duart lart, duke kërcyer në ritmet e tij. Ai e ka dhënë mesazhin se në skenë është për shprehje, jo vetëm për spektakël.

Mc Kresha dhe Lyrical Son, pjesë e grupit “Pint”, e kanë ndezur skenën me shpejtësi, janë dashur pak minuta dhe zona përpara skenës kryesore është mbushur me entuziazëm. Hitet, si “Thirri krejt shoqet” dhe “Meine süße”, e kanë pushtuar atmosferën dhe publiku ka kënduar tok me ta.

Me “Mirëmbrama, Sunny Hill!” e ka nisur pjesën që i takon atij në skenën e madhe. Këngëtari i mirënjohur i hip-hopit shqiptar, Ledri Vula, e ka filluar me këngën “Krejt shokët e mi”. Ai i ka dhënë festivalit ritëm në stilin e tij karakteristik. Me një “Freestyle” spontan, ai e ka bërë ekuilibrin mes humorit dhe këngës e jehonat e zërit të tij kanë mbërritur deri në fund të turmës, e cila qysh prej artistëve të grupit “Pint” nuk ka lëvizur prej aty.

“Jam shumë i lumtur që jam sonte me ju!” i ka thënë ai publikut, i cili ia di çdo këngë dhe në sinkron me të këndojnë të gjithë. 

“A keni hala energji? A më doket jua ka marrë Dua krejt energjinë?!”, i është drejtuar ai audiencës që, sikurse në natën e parë, numëronte rreth 30 mijë veta, teksa me humor Dua Lipës ia ka uruar edhe pasaportën e Kosovës.

Me radhë, pas Ledrit, skenën e ka pushtuar këngëtari dhe reperi britanik “Headie One”, emri i vërtetë i të cilit është Irving Ampofo Adjei. Ai njihet për këngët “18hunna” me reperin Dave, “Only Yoi Freestyle” me reperin Drake, si dhe me këngën “Ain’t It Different”, me reperët AJ Tracey dhe Stormzy. Ky i fundit kishte qenë në “Sunny Hill” në edicionin e kaluar, kur u mbajt për herë të parë në Bërnicë të Poshtme.

“Është kënaqësi ta kaloj këtë fundjavë në Prishtinë. Bëni shumë zhurmë!!”, i ka bërë thirrje publikut ai.
Mirëpo, kryefjala e natës së dytë ka qenë Shawn Mendes, i cili e ka nisur fuqishëm performancën e tij, teksa publiku është rrëmbyer bashkë me të. Në skenën kryesore interpretimi spektakolar i tij është shoqëruar me fishekzjarrë, ekran të zgjatur multimediatik dhe dinamika performuese nga fillimi deri në fund.

Këngëtari kanadez Shawn Mendes, i njohur për hitet  “Stitches”, “Treat You Better” dhe “Senorita”, më 2013 kishte filluar t’i postojë në rrjete sociale versionet e tij të këngëve të njohura të asaj kohe. Prej atëherë, deri tani, ai i ka publikuar pesë albume këngësh dhe është njëri prej emrave më të njohur të industrisë së muzikës pop. Albumet dhe këngët e tij janë ranguar në top listat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe dhjetëra shteteve të tjera. Më 2018, revista “Time” e kishte përfshirë në listën e saj me 100 personat më me ndikim në botë.

Me këngën “Treat You Better” e gjithë audienca ka kënduar me ngazëllim.

“Faleminderit që na keni ftuar. Është shumë bukur të jemi këtu për herë të parë”, ka thënë ai dhe publiku ka shpërthyer në duartrokitje e brohoritje.

“Si po ndiheni ju? Është hera ime e parë këtu, dhe sapo kam ardhur, e kam parë nivelin e mirësisë dhe zemërgjerësisë këtu. Dua, faleminderit për gjithçka, faleminderit që na ke sjellë këtu”, ka thënë ai në periodën mes këngësh, për ta nisur këngën që tha se e ka të preferuar: “It'll be okay”.

Në Prishtinë ai ka ardhur për herë të parë. Performanca e tij ka vazhduar, derisa e tërë turma ka qenë në pritje të saj qysh prej orëve të hershme për natën e dytë të "Sunny Hillit". Mes këngësh, ai e ka treguar motivin e veçantë të njërës prej këngëve të tij të preferuara.

“Këtë këngë e kam shkruar kur shoku im i fëmijërisë ka vdekur, kështu që nëse keni dikë që doni ta kujtoni me këtë këngë, bashkohuni ta këndojmë së bashku”, ka thënë ai para se të nisë ta këndojë këngën “Heart of Gold”.

Pastaj e ka kënduar këngën e njohur “Señorita”, me të cilën publiku e ka treguar maksimumin e energjisë. Me brohoritje të pafundme është përcjellë kënga dhe ovacionet  kanë vazhduar edhe pas përfundimit të saj. Edhe me “Stitches” ka vazhduar i njëjti avaz i ngazëllimit të publikut. Teksti i këngës dukej të jetë mjaft i njohur për audiencën e “Sunny Hillit”, ngase bashkë me të kanë kënduar të gjithë njëzëri.

Me fishekzjarrë është përcjellë kënga e fundit që e ka kënduar dhe bashkë me to edhe brohoritjet e audiencës nuk kanë pasur të ndalur. 

“Shihemi herëve të tjera, natën e mirë!”, ka qenë fjalia përmbyllëse e artistit.

Pas mesnatës, në skenën “C4” ka vazhduar festa me DJ. Pas “Sugar Rush”, skenën e ka rrëmbyer DJ dhe producenti brazilian Mochakk. Me ritme “house” dhe “techno”, ai e ka mbajtur gjallë publikun që ende ka qenë nën emocionet e performancës së artistit Shawn Mendes.

Mochakk, emri i vërtetë i të cilit është Pedro Luis Nunes Maia, është rritur në një rreth ku është dashur gjithmonë muzika. Është bërë viral në “TikTok” më 2022 dhe prej aty ka marrë vëmendje ndërkombëtare duke performuar rregullisht në qytete të ndryshme, si Sao Paulo, Miami, Lisbonë e New York.

Pas mesnatës, në skenën “C4” ka vazhduar festa me DJ. Pas “Sugar Rush”, skenën e ka rrëmbyer DJ dhe producenti brazilian Mochakk (Foto: Sunny Hill)

Gjatë gjithë këtyre performancave të kësaj nate, publiku është dëfryer e ka festuar. Vallëzime pa fund dhe këndim njëzëri me artistët. Në lidhje me këtë kanë thënë se ishte performancë e shkëlqyeshme.

“Shumë mirë, është hera ime e parë në festival, andaj më duket shumë mirë. Edhe sonte ishte një natë e bukur, Shawn Mendes është një tjetër nivel”, ka thënë adhuruesi Haris Kaskanis, i cili ka ardhur nga Athina për ta parë këtë festival.

Bashkë me shoqërinë ka ardhur Alea Ademi. Një mënyrë të mirë për të dalë me ta, e ka konsideruar ajo festivalin.

“Me u kënaqë me shoqni, me e shiju çdo moment me çdokënd që është në ‘Sunny Hill’, si dje, si sot dhe shumë mirë organizimi deri tash”, ka thënë ajo.

Publiku i madh turk në “Sunny Hill” ka ardhur më shumë për Dua Lipën e është ankuar për trafikun që ngjan gjatë këtyre ditëve të festivalit.

“Mbrëmë erdhëm për Dua Lipën, ishte shumë e bukur, mbrëmja ishte e mrekullueshme. Nuk jam tifoz i Shawn Mendes, por mendoj se ishte mirë, nuk më pëlqen ai lloj i muzikës, por performancën e kishte shumë të mirë. Arritëm t’i shohim vetëm dy performanca, për shkak të transportit. Trafiku ishte i tmerrshëm”, ka treguar Batuğ Cali nga Stambolli.

Nga Izmiri ka ardhur Ayçe Idil Agca, e cila thotë se është këtu për Dua Lipën dhe për artistin Anyma. Problem e ka quajtur edhe ajo trafikun e Prishtinës, autobusët e stërmbushur, të cilët i çojnë ata prej qendrës deri në Bërnicë të Poshtme.

“Më pëlqeu shumë, vetëm kishte një problem të vogël, si për shembull trafiku fatkeqësisht ishte shumë i keq. Kemi ardhur për Dua Lipën dhe për Anyma, mbrëmë ishte shumë e ngarkuar, por e duam shumë Dua Lipën, kështu që e falënderojmë babain e saj për këtë festival”, ka treguar ajo.

Nga Stambolli ka ardhur për herë të parë në Prishtinë, Muge Akkol. E ka veçuar Dua Lipën si më të mirën e këtij festivali.

“Jemi shumë të lumtur në këtë festival, është shumë bukur dhe po kënaqemi. Unë vij nga Turqia dhe isha shumë e entuziazmuar para se të vij në këtë festival. Shawn Mendes është shumë i pashëm, ka zë të mrekullueshëm, por mendoj se për momentin, Dua Lipa është më e mira”, ka thënë ajo.

Prej Luisianës drejt Prishtinës ka ardhur edhe amerikania që i përcjell shumë prej performancave të artistëve. Në Prishtinë është për herë të dytë, por festivalin e ndjek për herë të parë.

“Nuk kam qenë më parë në ndonjë koncert të Dua Lipës, por mbrëmë ishte e bukur, e mrekullueshme dhe e mahnitshme. Shawn ishte diçka që do ta mbaj në mend, nuk e kam parë më herët në këtë mënyrë dhe mendoj se është performues shumë i mirë”, ka thënë Claudia H.

Nata e dytë e festivalit “Sunny Hill” të shtunën e ka shpërfaqur kombinimin unik të talentit vendor dhe emocionalitetit ndërkombëtar. Ajo ka treguar se si muzika mund t’i bashkojë zemrat, të ndërthurë identitete dhe të mbledhë komunitete. Me natën e tretë që premton emra, si Anyma, Tommy Gold, Peggy Gou e Adrian Berisha, prizmi kulturor i festivalit mbetet i hapur dhe rruga e tij drejt një tradite të festës së përvitshme muzikore është e garantuar.