“Mua besoj më shpëtoi portreti” i Alban Mujës është rrëfimi që për kryefjalë ka historinë e babait të tij piktor, i cili me një portret që ia realizoi komandantit serb, “bleu” jetën e tij. Por mbi të gjitha, ky është “portreti” i tmerreve që përjetuan shqiptarët më 1999, dhe dokumentari ka një frakturë të fuqishme ironie e paradoksesh. Ani pse ka kaluar viti prej premierës botërore në Berlinale, filmin vetëm gjatë këtij muaji e presin katër destinacione. Shkodra, Los Angelesi Varshava dhe Zürichu janë në këtë itinerar
Filmi dokumentar “Mua besoj më shpëtoi portreti” me skenar e regji të Alban Mujës, po vazhdon rrugëtimin e suksesshëm ndërkombëtar. Nga Shkodra në festivalin e organizuar nga diaspora, në Varshavë e deri tek përtej kontinentit, në Los Angeles, filmi po tërheq festivale për qasjen intime e reflektuese. Pas premierës botërore në “Berlinale” në shkurt të vitit të kaluar – një nga festivalet më prestigjioze të filmit në botë – rrëfimi autentik nga Kosova vazhdon t’i shpaloset shikuesit botëror.
Muaji maj shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm për këtë prodhim, me katër prezantime të reja në festivale ndërkombëtare dhe rajonale. Filmi do të jetë pjesë e “SEEfest Los Angeles” (South East European Film Festival in Los Angeles) që zhvillohet prej 29 prillit deri më 6 maj ku garon në kategorinë “Shorts/Docs Competition”. Ky festival vlerësohet si platformë e rëndësishme për promovimin e kinemasë së Evropës Juglindore në Shtetet e Bashkuara, duke e vendosur filmin e Mujës në kontekst të gjerë ndërkombëtar në edicionin e 20-të të tij.
Rrugëtimi vazhdon në edicionin e 23-të të “Millennium Docs Against Gravity” në Varshavë. Mbahet prej 8 deri më 17 maj dhe është një nga festivalet më të mëdha të filmit dokumentar në Evropë ku filmi i Mujës konkurron në kategorinë e filmave të shkurtër. Paralelisht, ai do të shfaqet edhe në festivalin “Kino Kosova” në Zurich të Zvicrës. Festivali që sivjet zhvillon edicionin e shtatë prej 14 deri më 17 maj promovon kinematografinë shqiptare në Zvicër dhe krijon ura të reja kulturore me diasporën dhe publikun ndërkombëtar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKur filmi po shkon nga fundi i afatit të shpërndarjes nëpër festivale, autori i filmit “Mua besoj më shpëtoi portreti” është shprehur se projekti po shihet edhe për nga konteksti artistik.
“Filmi po shkon këtë muaj në këto katër festivale. Ju veçse e dini idenë e konceptin e filmit, por vazhdoj të mendoj se po shkon mirë për shkak të temës dhe për shkak se vazhdon të shihet në sa më shumë festivale. Gjithsesi, festivalet e kanë njëfarë rregulli që ata duhet të shfaqen brenda dy vjetëve dhe pastaj bie, kushtimisht, shikueshmëria dhe kërkesa për festivale. Por unë u përkas arteve vizuale dhe filmi pritet të shihet edhe në anën tjetër, në kontekst të artit”, ka thënë artisti Alban Muja.
Filmi ka udhëtuar gjithandej botës duke shpalosur rrëfimin e babait të autorit të filmit, Skender Mujës.
“Prej shkurtit të kaluar, për një vit e më shumë vazhdon të shfaqet në festivale të ndryshme. Prej këtyre festivaleve, në Poloni planifikoj të shkoj, është festival i madh, ndërsa në festivalet tjera nuk mund të shkoj. Besoj që producenti do të jetë në Zürich, ndërsa në të tjerat, fatkeqësisht nuk mund të jemi”, ka thënë Muja për KOHËN.
Filmi “Mua besoj më shpëtoi portreti” rrëfen histori mbijetese. Protagonisti i filmit dhjetëminutësh rrëfen se si arti ia ka shpëtuar jetën – thjesht duke e ushtruar profesionin në një ditë kur piktori bie në duart e një komandanti serb.
Skender Muja tregon se si rreth tre mijë veta u detyruan të niseshin në drejtim të panjohur në prill të 1999-s. Në hyrje të Skenderajt i pritën dhe i renditën. I vendosën në një shkollë të shndërruar në kamp përqendrimi. Aty i mbajtën për 15 ditë dhe i ushqenin shumë pak.
Narracioni i Mujës, ilustruar me pamjet e burrave në një klasë mësimi derisa vijon vizatimin e portretit me shkumës të bardhë në dërrasë të zezë, vazhdon me tregimin sesi në njërën prej ditëve, ai dhe të tjerët u përdorën si testues minash. Oficerët serbë do të pyesnin se kush prej tyre dinte të shkruante me alfabetin cirilik. E shqiptarët e zënë peng do të bënin me shenjë nga Skender Muja. Ky i fundit do të kryente detyrën që i ishte kërkuar, e serbët do t’i thoshin se kështu duhej shkruar, se shteti i tij ishte Serbia.
I kishin thënë se nëse ishte piktor, atëherë duhej të dinte të vizatonte edhe portrete. E Muja natyrisht se dinte, për 30 vjet ishte arsimtar i artit.
Tregon se do t’i merrnin në kamion dhe të gjithë ishin të sigurt se do të ekzekutoheshin. Komandanti, të cilit Muja ia kishte punuar portretin, i kishte thënë se do t’i dërgonin në një vend të sigurt. “Portreti si duket po të shpëton”, transmeton Skender Muja në dokumentar fjalët që komandanti ia kishte thënë.
Premierën botërore filmi e pati në edicionin e 75-të në festivalin me nam të filmit “Berlinale”, vitin e kaluar, që u mbajt prej 13 deri më 23 shkurt. Ishte në kuadër të programit “Forum Expanded” të ngjarjes, jashtë gare.
E në gusht u dha edhe premierë vendore, pas rrugëtimit të gjatë në skenën ndërkombëtare. Qe në garën kryesore të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren në edicionin e 24-t. Filmi u rikthye në ekranin e “Berlinales” në dhjetor të kaluar në një program të veçantë të festivalit.
Muja ka thënë se filmi ia vlen të shihet edhe nga ata që e kuptojnë kontekstin historik të vendit, ndërsa për të huajt është mundësi të njihen me të.
“Filmi është mirë të shihet. Për ne dhe janë të rëndësishme këto premiera si në Poloni e në Los Angeles, por edhe në kontekstin vendor, në ‘Art House’ në Shkodër ku zhvillohet një festival shumë i lezetshëm, shumë i mirë, gjithashtu edhe në ‘Kino Kosova’ që ka një audiencë nga diaspora dhe jo vetëm. Mendoj që ka shumë prej atyre që kanë lindur atje, edhe pse kanë dëgjuar për situatën, por mendoj që duhet ta shohin se çfarë ka ndodhur”, është shprehur artisti e regjisori Alban Muja.
Suksesi i vazhdueshëm në festivale të rëndësishme konfirmon vlerën artistike të filmit, e edhe fuqinë e rrëfimit në “Mua besoj më shpëtoi portreti”, i cili përtej një filmi dokumentar është dëshmi e fuqisë së kujtesës dhe artit për të mbijetuar dhe për të rrëfyer historitë që nuk duhet të harrohen.