“Bota jonë”, nën regji të Luana Bajramit, pas premierës botërore në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ka ardhur edhe në Prishtinë, kur të enjten mbrëma ka hapur edicionin e 23-të të Festivalit të Filmit Frankofon që për temë ka “Portrete grash”. Paraprakisht kryefjalë e konferencës për media – ku të pranishëm kanë qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ambasadori i Francës, Olivier Guerot – ka qenë vala e re kosovare
Është një prej ngjarjeve kulturore më me traditë në Kosovën e pasluftës. Filmat e kinematografisë franceze për të 23-tën herë me radhë do të shfaqen për publikun vendor në kuadër të Festivalit të Filmit Frankofon. Sivjet tema “Portrete grash” ka mbledhur nëntë filma në ekranin e “Kino Armatës” e po ashtu edhe në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
Festivali ka nisur të enjten mbrëma me filmin e suksesshëm kosovaro-francez që i shkon fort për shtat edhe temës qendrore të festivalit. “Bota jonë”, nën regji të Luana Bajramit, pas premierës botërore në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia ka ardhur edhe në Prishtinë.
Në konferencën për media kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për potencialin e grave në kinematografi. Ka përmendur disa prej regjisoreve më të suksesshme.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sukseset e jashtëzakonshme që kinematografia jonë ka dëshmuar gjatë dekadës së fundit. Lëvizja frymëzuese e njohur si ‘Vala e Re Kosovare’ ka të përbashkët një fondament magjepsës, filmat më të famshëm të vlerësuar me çmime janë realizuar nga gra vizionare”, ka thënë ai. Ka përmendur sukseset e Blerta Zeqirit, drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës, pastaj të Blerta Bashollit, Lendita Zeqirajt e Kaltrina Krasniqit.
“Në këtë grup talentesh gjejmë një yll në rritje, kineasten e talentuar Luana Bajrami, e cila është autore kosovaro-franceze ose francezo-kosovare, si të doni. Besoj që po të mos ishte kosovare nuk do ta kishte këtë sukses, po edhe të mos ishte në Francë e franceze gjithashtu nuk do ta kishte këtë sukses, i cili ndihet nga të gjithë ne. Mirëpo nuk mund ta dimë asnjëri prej nesh se ku do të jetë në të ardhmen, aq i madh është potenciali”, ka thënë ai. Ka kujtuar se shteti sivjet ka miratuar Ligjin e ri për Kinematografi ku gjejnë vend zbritja e taksës për 30 për qind, financimi i konsiderueshëm deri në 80 për qind për projektet filmike dhe mbështetja madje 100 për qind për regjisorët debutues.
“Besoj se është e pazakontë që një gjeneratë kaq e suksesshme në një fushë kaq specifike të vijnë nga i njëjti vend dhe të vendosen në arenën ndërkombëtare. Regjisoret tona ia kanë dalë ta bëjnë këtë në një mënyrë shumë vetëreflektuese, duke shpërfaqur pjesë të historisë, talentit dhe shpresës për të ardhmen jo vetëm për publikun e huaj, por edhe për atë vendas. Pra, edhe në Kosovë pas këtyre autoreve e aktorëve filmi shikohet ndryshe. Shikohet më shumë dhe shikohet më gjatë e unë jam shumë mirënjohës për këtë”, ka thënë ai. Siç e ka zakon të ndajë eksperienca personale, ka thënë se qysh në fëmijërinë e hershme ka pasur fatin që të shikonte filma edhe nga kinemaja franceze. Në këtë rast ka përmendur emra si: Emmanuelle Béart, Jeanne Moreau, Simone Simon, Brigitte Bardot, Isabelle Adjani e Isabelle Huppert.
Regjisorja Luana Bajrami ka treguar se për të shfaqja e premierës kosovare të filmit “Bota jonë” ka një domethënie të veçantë. Ajo ka qenë fjalëpakë në konferencën për media.
“Pas suksesit në Festivalin e Venecias, ky është filmi im i dytë që shfaqet në Prishtinë. Është shumë kënaqësi dhe njëkohësisht krenari për mua”, ka thënë regjisorja e filmit, që është bashkëprodhim midis Francës dhe Kosovës.
Drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës ka folur për historinë e përfaqësimit të grave në pozita publike. Sipas saj, sa herë ka vullnet politik gjërat ndryshojnë. Ka kujtuar se pas luftës së fundit në Kosovë kishte qenë kryeadministratori francez, Bernard Kouchner, ai që kishte vendosur që përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës të ketë kuotë prej 30 për qind për gra.
“Efektet e asaj kohe vërehen vazhdimisht. 10 vjet më vonë ne kemi pasur presidente grua e edhe 20 vjet më vonë kemi presidente grua”, ka thënë ajo. Kur bëhet fjalë për ta lëvduar Qeverinë, Zeqiri nuk kursehet.
“Kur po e quajmë valë të re të kinematografisë kosovare këtë suksesin e kohëve të fundit, me mbështetjen e kësaj qeverie besoj do të jetë jo valë, por cunami”, ka thënë ajo. Bile, të enjten ka shkuar edhe më tej. Ka thënë se sa i përket dijes për kinematografi krejt komuniteti filmik në njërën anë nuk mund t’i dalë përballë kryeministrit.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se frankofonia shkon përtej Francës dhe se tema e sivjetme e Festivalit është e veçantë.
“Tema e sivjetme është ‘Portrete grash’ dhe me këtë temë jemi pajtuar që të gjithë shumë shpejt. Kjo temë hyn edhe te diplomacia feministe që Franca e ka shumë për zemër”, ka thënë ai midis të tjerash.
Prej të enjtes deri të mërkurën e javës që vjen filma francezë, zviceranë e nga Luksemburgu do të shpalosin histori të ndryshme grash. Pos diskriminimit ndaj tyre, do të tregohen edhe raste suksesi.