Përballë heshtjes së shoqërisë dhe dështimit të institucioneve – duke e përfshirë një sistem drejtësie të dominuar nga burra që e mbrojnë njëri-tjetrin, por në të cilin edhe ajo vetë e hedh një pikë uji – Aida (Gresa Pallaska) përpiqet të veprojë vetë. Bota përmbyset bashkë me të, sepse kjo është matrica e saj. “Pikë uji” nën regji të Robert Budinës, me të cilin Shqipëria vjet synoi “Oscar”, më në fund ka mbërritur edhe në Kosovë
Kritika botërore do ta vlerësonte si një fabul moderne për korrupsionin, burrërinë, mosndëshkimin, por “Pikë uji” ka marrë jo pak kohë që të mbërrijë edhe para publikut në Kosovë, e cila në filmin me të cilin Shqipëria vitin e kaluar tentoi nominimin për “Oscar” e ka hisen e vet. Nën regji të Robert Budinës me bashkëskenariste Doruntina Bashën e Gresa Pallaskën në rol kryesor, “Pikë uji” tash në Prishtinë ka bashkuar artdashës, profesionistë të fushës së filmit, si dhe vetë disa prej aktorëve dhe bashkëpunëtorëve të projektit. Të enjten mbrëma i ka ndezur ekranet e “Cineplexxit” edhe në Prizren. Me një kastë të fuqishme aktorësh – përfshirë edhe Astrit Kabashin, Arben Bajraktarajn, Gerhard Kolonecin dhe Adem Karagën – e sjell një rrëfim të fortë e dinamik.
Në skenat e para të filmit paraqitet Aida (Gresa Pallaska), drejtoreshë e Urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit, teksa vrapon buzë liqenit të Ohrit – një motiv që përsëritet gjatë gjithë rrëfimit, duke u bërë metaforë e mundimit dhe përpjekjes së saj për të gjetur drejtësi.
Bota e saj e errët, në të cilën tok me bashkëshortin e saj Ilirin (Arben Bajraktaraj) tërhiqen nga lakmia për para, përmbyset edhe më kur Bora (Xhesika Bizgjoni) një vajzë e re, denoncon një përdhunim që ka ndodhur në një aheng të djemve të shkollës. Aida përballet me mundësinë që djali i saj Marku (Ianco Paulo), mund të jetë i përfshirë. Nga frika dhe për t’u mbrojtur, Marku zbulon se shoku i tij Denisi (Henri Topi) është autori i përdhunimit dhe se ai vetë e kishte xhiruar ngjarjen, por ishte detyruar t’i fshijë provat.
Përballë heshtjes së shoqërisë dhe dështimit të institucioneve – duke e përfshirë një sistem drejtësie të dominuar nga burra që mbrojnë njëri-tjetrin – Aida përpiqet të veprojë vetë: përballet me Denisin, e informon nënën e vajzës së dhunuar, por e humb punën dhe përfundimisht edhe besimin se drejtësia është e mundur të arrihet. Ndërkohë që kënga “Lule, lule” rezonon si kolona zanore për kontrastin mes jetës festive të burrave dhe realitetit të dhimbshëm të grave, filmi përmbyllet me çlirimin e Markut dhe Denisit përmes ndërhyrjeve të baballarëve të tyre, duke e lënë Aidën të thyer, por moralisht të papërkulur – një figurë që, pavarësisht se e lënë e vetme, nuk heq dorë nga e vërteta.
Producenti i filmit “Pikë uji”, Luan Kryeziu, është shprehur i kënaqur me pritjen që filmi ka pasur në festivalet ndërkombëtare, veçanërisht në “Varshava Film Festival”, ku është dhënë premiera. Ai ka theksuar se kritika dhe publiku e kanë vlerësuar në mënyrë të jashtëzakonshme filmin.

“Është një fakt i lumtur që filmi e ka pasur premierën në Varshava Film Festival, që është një ndër dhjetë festivalet më të mira në botë dhe kritika e shikuesit e kanë pritur jashtëzakonisht shumë mirë. Kemi qenë edhe vetë prezentë atje bashkë me aktorët e Kosovës, me Gresën dhe të tjerët dhe me stafin prej Shqipërisë dhe të Maqedonisë dhe, gjithashtu, ka edhe shkrime ku kritika e festivalit e ka pritur jashtëzakonisht shumë mirë. Përveç kësaj, kemi kritika të mediumeve shumë me vlerë botërore prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e kanë vlerësuar shumë lart filmin, veçanërisht interpretimin e Gresës si të jashtëzakonshëm”, ka thënë producenti Kryeziu para premierës së filmit në Kosovë.
Sipas Kryeziut, “Pikë uji” është rezultat i një bashkëprodhimi mes pesë vendeve. Ai e ka theksuar rolin e rëndësishëm që e ka pasur Kosova në këtë projekt, duke qenë pjesë në skenar, produksion dhe rolet kryesore, në bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë.
“Filmi është ko-produksion i Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Italisë dhe Polonisë dhe është përkrahur prej Qendrës Kinematografike të Kosovës, me ç’rast, ne me këtë film përfaqësohemi me rolet kryesore, jemi në skenar, në produksion, në elementet kyçe të filmit, gjithashtu, bashkë me Shqipërinë”, ka shtuar ai.
E ka quajtur “fitore të jashtëzakonshme” përzgjedhjen e filmit për ta përfaqësuar Shqipërinë në garën për çmimet Oscar, të cilën e ka përshkruar si ngjarjen më me vlerë kulturore në botë.
“Kjo përzgjedhje për ta përfaqësuar shtetin për ‘Oscars’, sigurisht është një ndjenjë e veçantë, një lumturi e veçantë, sepse është ngjarja më e madhe kulturore në botë, më me vlerë në botë dhe të përzgjidhesh për atje dhe të kyçesh në garë e të kalosh disa faza, me të vërtetë është një triumf, është një fitore e jashtëzakonshme, sigurisht që jemi të lumtur, do të ishim shumë më të lumtur sikur ta fitonim, por që është një hap i mirë, për shkak se ne veçse i kemi hapur dyert dhe kemi krijuar një imazh, një parafytyrim dhe opinion të mirë te njerëzit në festivale të ranglistave më të larta botërore”, ka thënë Kryeziu.
Aktori i një prej roleve kyçe në film, Astrit Kabashi e ka theksuar rëndësinë që filmat të vijnë te publiku dhe të mos mbeten vetëm në festivale. Ai është Luani në film.
“E luaj rolin e avokatit të familjes që i shkaktohet një problem brenda familjes dhe më thërrasin mua për ta zgjidhur atë problem. Unë gëzohem gjithmonë kur filmat vijnë në vendin tonë dhe publiku ynë i sheh këta filma, sepse duhet të vijnë dhe publiku duhet t’i shohë këta filma, sepse prapë se prapë bëhemi prej taksave të tyre dhe e kemi obligim, përndryshe nuk ka kuptim nëse një film e bëjmë dhe ai të mbetet në sirtar, filmi bëhet për publikun”, ka thënë për KOHËN aktori Astrit Kabashi.
Ai ka shprehur krenari për përzgjedhjen e filmit për nominim në ‘Oscar’ nga Shqipëria, duke shtuar se emocionet janë më të mëdha kur filmi shfaqet para publikut vendor.
“Po, filmi është nominuar prej Shqipërisë, është selektuar për nominim dhe shumë mirë, ndihemi krenarë për këtë punë gjithmonë. Gjithmonë është ndryshe, për mua është kënaqësi shumë e madhe kur vjen këtu tek audienca jonë, ndihem shumë më i emocionuar sesa kur jepet jashtë, jashtë është pak më ftohtë”, ka shtuar ai.
Sipas aktores Xhejlane Tërbunja, rrëfimi i një nëne që përballet me një shoqëri të dominuar nga burrat, është pasqyruar në mënyrë të ndier dhe të fuqishme.
“Filmi e trajtoi një temë goxha të ndjeshme dhe e pamë një nënë, e cila u ballafaqua me një problem me fëmijën e vet dhe që e pati para vetes një situatë aq të vështirë, ku në botën e burrave është dashur të tërhiqet, se s’pati çfarë të bënte. E pamë një film shumë të mirë me një lojë fantastike të Gresa Pallaskës. Gresa gjithmonë e ka dëshmuar veten, kudo që ka luajtur, domethënë e kemi parë gjithmonë në teatër, po në filma e kemi parë më rrallë”, ka treguar për KOHËN përshtypjet e saj aktorja Tërbunja, pas përfundimit të premierës.
Aktori Hazir Haziri, e ka vlerësuar lart mënyrën se si trajtohen temat e ndjeshme në film.
“‘Pikë uji’ është një film që më la mbresa të thella, sidomos për mënyrën se si trajton një temë kaq të ndjeshme, jo vetëm atë të përdhunimit, por për gjithë plagët morale dhe institucionale të shoqërisë sonë. Skenari i Doruntina Bashës dhe Robert Budinës mjeshtërisht është i ndërtuar me thellësi dhe guxim, duke depërtuar në mendësinë dhe dilemat e shumta dhe që i jep zë reflektimit të brendshëm të personazheve pa rënë në dramatizime të tepërta. Regjia e Robert Budinës është e matur dhe e balancuar. Ai e ruan tensionin dramatik, ndërton një atmosferë të besueshme dhe i jep hapësirë të plotë kastës për t’i ndriçuar personazhet në thellësi”, ka thënë për KOHËN aktori Haziri.
Filmi “Pikë uji” nuk është thjesht një film. Është një pasqyrë e dhimbshme e një realiteti që shpesh shtyhet në cep të vëmendjes publike. Me një interpretim të fuqishëm nga Gresa Pallaska, filmi guxon ta trajtojë një temë që e prek jo vetëm individin, por të gjitha strukturat e një shoqërie të padrejtë. Përballë një bote të heshtur, e madje edhe armiqësore ndaj së vërtetës, “Pikë uji” e vendos gruan në qendër jo si viktimë, por si zë që e sfidon padrejtësinë – edhe kur ajo mbetet e vetme.