Koleksioni i artistes Zana Ramadani me dhjetëra piktura të ekspozuara ka qenë si një lloj dialogu midis figuracionit dekorativ dhe abstraksionit ekspresiv. Paleta e ngjyrave e përdorur në to është me tone të forta. Dominojnë e kuqja, e kaltra, e verdha dhe e blerta. Në muret e hapësirës ekspozuese në kryeqytet, nën ndriçimin e ngrohtë e ka bërë hapësirën edhe më miqësore për publikun e mbledhur të hënën mbrëma në vernisazhin e ekspozitës
Ekspozita “Përtej syve” është hapur si udhëtim midis realitetit dhe perceptimit emocional. Janë veprat e artistes Zana Ramadani që krijojnë ambient të gjallë nëpërmjet veprave ekspresive me ngjyra të ndezura. Veprat estetike të ekspozuara në kafe-galerinë “Lavjerrs” qëndrojnë në mure jo veç si gjuhë artistike, por edhe si rrëfime të koduara të periudhave të ndryshme të jetës së artistes.
Koleksioni i artistes me dhjetëra piktura të ekspozuara ka qenë si një lloj dialogu midis figuracionit dekorativ dhe abstraksionit ekspresiv. Paleta e ngjyrave e përdorur në to është me tone të forta. Dominojnë e kuqja, e kaltra, e verdha dhe e blerta. Në muret e hapësirës ekspozuese në kryeqytet, nën ndriçimin e ngrohtë e ka bërë hapësirën edhe më miqësore për publikun e mbledhur të hënën mbrëma në vernisazhin e ekspozitës.
Pikturat me tavolina, vazo dhe ambiente shtëpie krijojnë një lloj intimiteti dhe imazhi të përditshmërisë. Kompozicionet e artistes janë ndërtuar me forma të thjeshta, por me shumë ngjyra. Veprat dëshmojnë për liri shprehëse të artistes Ramadani, e cila për herë të parë ka ekspozuar në “Lavjerrs”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVeprat janë të madhësive të ndryshme, ndërsa teknika e punimit të veprave është e kombinuar të cilat, siç ka bërë me dije artistja, u përkasin pesë a gjashtë vjetëve të fundit.
“Këto pjesë përfshijnë copëzat prej ekspozitave të tjera personale. Pra, kjo është ekspozita e dhjetë në radhë personale. Jam munduar që ato që më së shumti më kanë prekur prej secilit cikël nga dy a tri punime, i kam bërë bashkë dhe kemi dalë me këtë ekspozitë sonte”, ka bërë me dije artistja Ramadani.
Ka thënë se këto vepra e kthejnë në kohë, në momentet e së kaluarës.
“Krejt këto janë ato që më zgjojnë njëfarë nostalgjie, e kam njëfarë historie, e kam njëfarë lidhshmërie automatikisht. Nuk them veç për këto, por në përgjithësi mendoj se ka qenë kjo puna që më ka prekur më të shumti dhe i kemi bërë bashkë për ekspozim”, është shprehur ajo duke theksuar lidhshmërinë midis veprave.
“Krejt veprat lidhen, si për nga vijat, ose për nga ngjyrat shumë të ndezura. Secila e ka lidhshmërinë e vet. Krejt çfarë shohim, sepse syri ynë është një dritare. Unë i shoh ndryshe, ju i shihni ndryshe. Kjo është ajo, secili prej nesh shohim përtej syve. Është një ndjenjë që ta jep në atë moment kur e shikon”, ka thënë më tej grafistja, skenografja e piktorja, Zana Ramadani.
Ajo që nga viti 2002 punon si skenografe në Radiotelevizionin e Kosovës. Ka studiuar në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Veprat e saj janë ekspozuar në Japoni, në Hungari, në Turqi, në Gjermani, në Francë, Bullgari, Maqedoni të Veriut dhe jo vetëm.
Udhëheqësja e kafe-galerisë “Lavjerrs”, Nora Sahatçiu, ka thënë se veprat janë të stilit ekspresionist e abstrakt dhe se shumë prej tyre i shfaqen publikut për herë të parë.
“Stilin e pikturës që e përdor Zana në ekspozitën e saj ‘Përtej syve’ është një stil i cili karakterizohet me ngjyra shumë të gjalla edhe forma abstrakte të cilat e përçojnë një ndjeshmëri shumë të thellë shpirtërore. Duke e ditur që një pjesë e këtyre pikturave kanë ndodhur në kohën kur Zana ka kaluar nëpër një kohë të rëndë, kur fizikisht ka qenë e ngujuar në shtëpi, plot piktura kanë dalë si inspirim prej asaj kohe”, ka konsideruar Sahatçiu.
Ka thënë se ngjyrat që për artisten do të ishin të zymta, janë shkrirë në paletë ngjyrash të ndezura.
“Në vend se të merret me pjesën e saj të brendshme, e cila ndonjëherë është ngjyrë hyri, kjo atë e ka përkthyer në një laramani ngjyra, të cilat nuk na lënë indiferentë. Na inspirojnë, po edhe na fascinojnë në mënyrën qysh i ka kontribuar dhe qysh e ka shprehur atë brendinë e shpirtit të saj në një kaloidoskop të ngjyrave”, ka thënë Sahatçiu.
Me këtë ekspozitë, “Lavjerrs” ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Ne nuk festojmë, ne protestojmë, se ka shumë sende, të cilat si femra, si gra, si artiste na mundojnë edhe kjo është një temë të cilën sonte duam ta trajtojmë përmes punimeve të artit të Zanës. Sonte jemi mbledhë jo ta festojmë 8 Marsin, po të vijmë dhe t’i fuqizojmë femrat artiste, të punojmë me gra të cilat janë shumë të talentuara, me të gjitha ato të cilat i kanë mundësitë e tyre, po gjithashtu kanë nevojë për më shumë mundësi, për më shumë hapësirë”, ka thënë Sahatçiu më tej.
Veprat eksplorojnë përditshmërinë dhe emocionin e hapësirave intime duke e përdorur ngjyrën si mjet kryesor shprehës.
Artistja Agnes Nokshiqi ka thënë se çdo vepër e Ramadanit trajton një histori.
“Punimet e Zanës i di, i njoh, se e kam shoqe shumë të mire dhe gjithmonë i kam parë të ekspozuara dhe ia di punën. Puna e saj, për mua si artiste është jashtëzakonisht e bukur se çdo pikturë që ajo e krijon, e ka një histori të vetën. Njerëz mund të mos e dinë këtë gjë, por unë e di. Më pëlqen kreativiteti i saj dhe sesi ajo punon dhe në çfarë mënyre ajo i ndërton pikturat e saj dhe punën e saj”, ka thënë Nokshiqi.
Sipas saj, të gjitha veprat janë të ndryshme, por ka diçka që i lidh. Sipas artistes, kjo është ajo që e bën këtë vepër të veçantë.
“Nuk mund të shihet një pikturë e ngjashme me tjetrën. Mundet me qenë e ngjashme. I ka disa simbole dhe disa gjëra që i shkojnë nëpër pikturat saj. Kjo mua më pëlqen, ajo lloj-llojshmëri që nuk është e njëjtë, por gjithmonë ka diçka të re dhe ka diçka ndryshe në secilën pikturë që ajo e krijon”, ka thënë Nokshiqi më tej.
Në shpjegimin e ekspozitës shkruhet se “çdo sy është një dritare, çdo sy sheh më shumë sesa duket. Pikturat nuk tregojnë vetëm atë që shohim, por ato që ndiejmë dhe imagjinojmë pas syve. Kompozime që ndërthuren: një kulm, një lule apo një vazo në oborr duke i dhënë shikuesit një ndjesi se çdo detaj flet dhe çdo sy e interpreton ndryshe”.
Ekspozita personale e artistes Zana Ramadani në “Lavjerrs” qëndron e hapur deri më 31 mars.