Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Përndritje...” si homazh dhe kthim në skenë i portretit krijues të Kaçinarit

Kori “Siparantum”

Pjesa e dytë e mbrëmjes u ka takuar veprave korale. Kori “Siparantum” ka sjellë panoramën e krijimtarisë korale të kompozitorit. “Vendlindja ime” hapi këtë seri veprash me ritme që bartnin nuanca të formës liturgjike, ndërsa përmes tyre ndërtohen peizazhet e vendlindjes së autorit

Programi ka ndërtuar portretin artistik të Mark Kaçinarit – kompozitorit, dirigjentit dhe pedagogut – përmes dy prej shtyllave që e karakterizojnë më së shumti krijimtarinë e tij: pianon dhe muzikën korale. Jo veç për ata që e njihnin e bashkëpunuan me të, por edhe për brezin e ri. Koncerti qe mundësi e takimit të tyre me Kaçinarin, nëpërmjet trashëgimisë së tij të çmuar muzikore

Koncerti “Përndritje – Buçetë nga krijimtaria e Mark Kaçinarit” ka qenë rikthim te krijimtaria e një prej figurave të shquara të muzikës klasike shqiptare. Ka mbledhur në një mbrëmje të vetme një përzgjedhje të veprave të tij. Të shtunën mbrëma, kisha katolike “Shën Ndou” jehoi nga tingujt që sollën në qendër një prej figurave që ka lënë gjurmë të thella në skenën muzikore shqiptare.

Programi ka ndërtuar portretin artistik të Mark Kaçinarit – kompozitorit, dirigjentit dhe pedagogut – përmes dy prej shtyllave që e karakterizojnë më së shumti krijimtarinë e tij: pianon dhe muzikën korale. Jo veç për ata që e njihnin e bashkëpunuan me të, por edhe për brezin e ri. Koncerti qe mundësi e takimit të tyre me Kaçinarin, nëpërmjet trashëgimisë së tij të çmuar muzikore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pjesa e parë e koncertit iu kushtua veprave për piano. Në interpretimin e pianistes së re Ensë Shala, “Fyelli i bariut” ka dëshmuar një nga veçoritë më të spikatura të gjuhës kompozicionale të Kaçinarit: aftësinë për ta bërë pianon të tingëllojë brenda melosit të traditës vendore. Me tekstura dhe ngjyresa të pasura harmonike, vepra ka arritur të krijojë iluzionin e tingullit të një instrumenti tjetër, duke evokuar karakterin që sugjeron vetë titulli.

Po nga Shala u interpretua edhe “Loja e bariut”, një pjesë më e shkurtër, por me peshë të madhe artistike. Elementet tradicionale të muzikës u ndërthurën me karakter atraktiv e virtuoz.

Më pas, pianisti i ri Art Salihu ka sjellë në skenë dy dimensione të tjera të autorit. “Elegji”, siç tregon vetë titulli, u shfaq si një reflektim i gjendjes së brendshme dhe i dhimbjes që Kaçinari kishte përjetuar në kohën e shkrimit të saj. Në anën tjetër, “Duart e vogla” ka ndërtuar rrëfimin me kthesa të papritura – disa tema që zhvillohen brenda së njëjtës pjesë, secila me karakter të ndryshëm, por të lidhura në një strukturë të vetme poetike.

Në një tjetër ngjyrim të krijimtarisë së tij u soll kënga “Buzë lumit ke shtëpinë”, interpretuar nga sopranoja Natyra Mehmeti me shoqërim në piano nga Agron Shujaku. Interpretimi e vuri në pah mënyrën se si Kaçinari e trajtonte këngën shqipe brenda partiturës së muzikës klasike, duke ruajtur natyrën melodike dhe finesën e shkrimit vokal.

Pjesa e dytë e mbrëmjes u ka takuar veprave korale. Kori “Siparantum” ka sjellë panoramën e krijimtarisë korale të kompozitorit. “Vendlindja ime” hapi këtë seri veprash me ritme që bartnin nuanca të formës liturgjike, ndërsa përmes tyre ndërtohen peizazhet e vendlindjes së autorit.

“Shamikuqja”, e shkruar për kor vajzash, solli një frymëzim të qartë nga tradita e këngëve të nusërisë. Në “Kënga jonë”, tematika e unitetit mori trajtë himnike, ndërsa “Zogu i Ohrit” u shndërrua në një moment të veçantë skenik – me zërat e burrave që krijonin cicërima e vajzat që ndërtonin lëvizje dhe elemente të vajtimit, duke e çuar interpretimin drejt një ngarkese të fortë emocionale.

Një tjetër kulm i programit ishte “Drandofillja e vogël”, e ndërtuar si dialog i ndjeshëm mes koristëve dhe koristeve. Ndërsa mbyllja me “Mora mandolinën”, me Memli Kelmendin në piano dhe korin në interpretim, e shoqëruar me këngë e duartrokitje të publikut, e ktheu fundin e koncertit në një festë joformale për nder të Kaçinarit. Qe jo veç si bis, por si festë joformale e krijimtarisë së Kaçinarit.

Dirigjenti Memli Kelmendi e ka konsideruar përgjegjësi detyrën për të vënë në skenë veprat korale të Kaçinarit.

“Për ne ka qenë kënaqësi e veçantë që ishin pjesë e kësaj ngjarje muzikore sepse interpretohen vepra nga opusi koral i kompozitorit, dirigjentit e pedagogut, Mark Kaçinari. Që në momentin e parë kur na është besuar kjo nga familja e tij, ka qenë një përgjegjësi e shtuar për faktin se po bëjmë një koncert me dedikim. Nga këto vepra kanë qenë vetëm ‘Drandofillja e vogël’ në repertor. Por kjo është më e pakta sesa do të interpretojmë nga opusi koral i Mark Kaçinarit në arenën ndërkombëtare. Për ne është vetëm pasuri e shtuar në repertorin e korit ‘Siparantum’”, ka thënë ai.

Ka theksuar sukseset e vështirësitë e kohës së veprimtarisë së kompozitorit Mark Kaçinari me korin e dikurshëm “Collegium Cantorum” të cilin e drejtonte.

“Fillet e muzikës korale datojnë me korin ‘Collegium Cantorum’ dhe sot natyrisht që muzika korale është më ndryshe, mbase më e lehtë të realizohet, por mund t’i marrim me mend kohët në të cilat ka korrur suksese Mark Kaçinari”, ka thënë më tej dirigjenti Kelmendi, udhëheqës i korit “Siparantum”.

Në shtator të vitit 1969, nën drejtimin e kompozitorit Mark Kaçinari dhe kryetarit Kolë B. Shiroka, u themelua kori “Collegium Cantorum”. Sipas muzikologes Kristina Palokaj-Perkola, kori u formua si një ansambël koral prej gjashtëdhjetë anëtarësh (muzikantë, punëtorë, profesorë, ekonomistë, juristë, mjekë, inxhinierë dhe studentë nga kryeqyteti). Brenda një kohe të shkurtër, kori fitoi një reputacion të gjerë në të gjithë Kosovën, falë punës dhe përkushtimit të vetë udhëheqësit Mark Kaçinarit dhe anëtarëve të tij, duke fituar një status të veçantë. Vetëm brenda dekadës së parë (1969–1979), në ansambël kanë kaluar mbi 350 anëtarë dhe u mbajtën 296 koncerte. “Collegium Cantorum” ishte forumi kryesor për interpretimin e muzikës së traditës evropiane, për promovimin e veprave korale autoktone dhe për përfaqësimin e Kosovës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Studiuesja Kristina Palokaj-Perkola e ka vlerësuar koncertin si moment të rëndësishëm për rikthimin e vëmendjes tek autorët që nuk interpretohen rregullisht.

“E shoh si moment të rëndësishëm, sepse gjeneratat e reja shpeshherë kanë humbur lidhje me disa krijime ose disa kompozitorë që jo shumë shpesh krijimtaria e tyre interpretohet në repertorët e rregullt të koncerteve te ne. E çmoj shumë këtë iniciativë familjare dhe këtë rezultat final me këtë mbrëmje sonte, sidomos me veprat që u luajtën në piano, por edhe me ato korale, sepse krijimtaria e Mark Kaçinarit simbolizohet më së shumti me këto dy gjini: pianoja dhe veprat e shkruara për kor. Gjithë jetën e tij ia ka kushtuar krijimit, por edhe korit ‘Collegium Cantorum’ me të cilin ka pasur një mori suksesesh edhe në ish-Jugosllavi, por edhe në mbarë botën”, ka thënë ajo.

Sipas muzikologes Palokaj-Perkola, vetë titulli i koncertit ka domethënie të veçantë.

“Ishte më i veçantë, ishte dedikim e përndritje, siç e ka quajtur vetë familja e tij, që rikujton, e sjell edhe një herë këtë dimension dhe këto vepra që me të vërtetë janë perla të krijimtarisë muzikore mbarëshqiptare”, ka thënë ajo derisa ka bërë të ditur se po punon në një botim monografik kushtuar figurës së Kaçinarit.

“Tash e një kohë të gjatë jam në përgatitje të një libri monografik kushtuar figurës së dirigjentit, kompozitorit dhe pedagogut Mark Kaçinari, për çfarë e falënderoj familjen e tij që më ka ofruar në dispozicion gjithë arkivin familjar të tyre për të hulumtuar në dokumente të ndryshme, fotografi, partitura e madje shumë të tilla të pambaruara. Për shkak të ndarjes së papritur nga jeta në moshën 50-vjeçare, kanë mbetur një sërë veprash të papërfunduara, të cilat do të përfshihen po ashtu në këtë libër, i cili me gjasë, sipas përllogaritjeve tona deri në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm do të dalë në dritë”, ka treguar ajo.

Midis publikut ka qenë edhe Tomë Rodiqi, dikur pjesë e korit “Collegium Cantorum”. Koncerti e ka rikthyer në përvojën personale dhe historinë me veprat e Kaçinarit, të luajtura edhe të shtunën.

“Unë kam interpretuar diku në pesë vjetët e fundit të aktivitetit të profesorit Mark Kaçinari në korin ‘Collegiun Cantorum’. Kam pasur nderin të jem një prej këngëtarëve. Më ka rastisur t’i këndoj disa nga këto këngë si ‘Shamikuqja’, Drandofillja e vogël’, ‘Zogun e Ohrit’ e disa tjera. Me korin kemi marrë pjesë edhe në gara në të cilat kori gjithmonë ka pasur paraqitje dinjitoze dhe ku jemi shpërblyer. Sonte e uroj korin ‘Siparantum’, i cili ma ktheu atë ndjenjën e tingullin e këtyre veprave. Ishte mbrëmje shumë e mirë”, ka thënë ai.

Fillet e muzikës korale datojnë me korin ‘Collegium Cantorum’ dhe sot natyrisht që muzika korale është më ndryshe, mbase më e lehtë të realizohet, por mund t’i marrim me mend kohët në të cilat ka korrur suksese Mark Kaçinari”.

I lindur më 20 janar të vitit 1935 në Prizren, Kaçinari ishte pjesë e brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova që përfunduan Akademinë e Muzikës. Më pas studioi kompozimin në Fakultetin e Muzikës në Shkup dhe më pas ndoqi studimet pasuniversitare për dirigjim në Beograd.

Ai ishte një nga pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ku dha mësim në Degën e Edukatës Muzikore. Me themelimin e Degës së Muzikës në Akademinë e Arteve në Prishtinë në vitin 1975, u transferua në këtë institucion ku dha mësim lëndën e solfezhit. Në vitin 1984, Kaçinari u emërua dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës, post që e mbajti deri në ndarjen e tij nga jeta, në vitin 1985.

Pos homazh, “Përndritje” ka qenë edhe rikujtim se krijimtaria e Mark Kaçinarit mbetet e gjallë edhe pas ikjes së një prej figurave më të shquara të skenës shqiptare muzikore.