Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Pas më shumë se një viti, zgjidhet studioja që do t’i bëjë ndërhyrjet në muzeun e Louvreit

Muzeu i Louvreit

Zyra në Paris e “STUDIOS Architecture” do ta udhëheqë projektin, i cili përfshin krijimin e galerive të reja dhe një hyrje të re. Kjo firmë, një kolektiv ndërkombëtar i themeluar në vitin 1985 me zyra në New York, San Francisco, Los Angeles, Toronto dhe Washington D.C., ka punuar më parë në një numër projektesh të rëndësishme në sektorin e artit dhe kulturës: portofoli i saj i fundit përfshin rinovimet e mirëpritura të Koleksionit Frick në New York dhe të “Sainsbury Wing” në Galerinë Kombëtare në Londër

Qeveria franceze njoftoi të hënën në mëngjes ekipin e arkitektëve që janë përzgjedhur për të transformuar muzeun e Louvreit në Paris, duke përmbyllur një proces të zgjatur përzgjedhjeje të shënuar nga grevat e stafit dhe hetimi i vazhdueshëm për vjedhjen e bizhuterive.

Zyra në Paris e “STUDIOS Architecture” do të udhëheqë projektin, i cili përfshin krijimin e galerive të reja dhe një hyrje të re. Kjo firmë, një kolektiv ndërkombëtar i themeluar në vitin 1985 me zyra në New York, San Francisco, Los Angeles, Toronto dhe Washington D.C., ka punuar më parë në një numër projektesh të rëndësishme në sektorin e artit dhe kulturës: portofoli i saj i fundit përfshin rinovimet e mirëpritura të Koleksionit Frick në New York dhe të “Sainsbury Wing” në Galerinë Kombëtare në Londër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Konkursi për ridizajnimin e Louvreit u shpall në fillim të vitit 2025 nga presidenti francez Emmanuel Macron së bashku me Laurence des Cars, drejtuesen e atëhershme të Muzeut, e cila dha dorëheqje në shkurtin e kaluar. Një listë e ngushtë me pesë firma arkitekturore u bë publike në tetor, të përzgjedhura nga më shumë se 100 aplikues që synonin të formësonin planin e rinovimit prej 778 milionë dollarësh, të cilin Macron e ka quajtur “Rilindja e Re e Louvreit”. Megjithatë, konkursi u ngadalësua për shkak të një periudhe të paprecedentë trazirash të brendshme në Muze, pas vjedhjes vjeshtën e kaluar të bizhuterive të kurorës franceze me vlerë mbi 100 milionë dollarë, brenda më pak se tetë minutash.

Ky incident e vuri drejtimin e Muzeut nën një shqyrtim të ashpër për shkak të dështimit në siguri, të cilin hetimet e pavarura e kanë paraqitur si simptomë të dështimeve më të gjera sistemike të infrastrukturës. Javën e kaluar, një komision i qeverisë franceze publikoi një raport që e akuzon Louvrein se i ka dhënë përparësi “prestigjit dhe ndikimit” mbi sigurinë, duke cituar dëshmi nga më shumë se 100 profesionistë të sektorit dhe zyrtarë lokalë, të cilët kishin paralajmëruar për boshllëqe në siguri para vjedhjes. Des Cars, drejtuesja e parë grua e Luvrit, dha dorëheqje si pasojë e kësaj situate. Ajo u pasua nga Christophe Leribault.

Skema e rinovimit synon të lehtësojë mbingarkesën në Louvre, i cili pret rreth 9 milionë vizitorë në vit. Për këtë qëllim, arkitektët do të krijojnë një hyrje të dytë publike dhe do të ndërtojnë një hapësirë të re ekspozuese prej për Mona Lisën, duke u mundësuar vizitorëve të shohin këtë vepër të famshme pa kaluar nëpër pjesën tjetër të muzeut.

Projekti do të përfshijë gjithashtu “theksimin e hyrjes historike të Luvrit – një nga kryeveprat e arkitekturës klasike franceze, Kolonadën, dhe esplanadën e saj në një kompozim të ri dhe të gjelbëruar”, sipas një deklarate të Muzeut.

Në janar u bë e ditur se buxheti i Muzeut për vitin 2026 kishte parashikuar 116 milionë dollarë për studime paraprake që lidhen me rinovimin dhe 17.5 milionë dollarë për mirëmbajtje teknike, përfshirë 2.1 milionë dollarë të dedikuara për sigurinë e veprave të artit.

Mbipopullimi në Louvre është bërë një pikë e nxehtë protestash të brendshme. Në fillim të këtij viti, rreth 350 punonjës të Muzeut, që përfaqësonin tre sindikata, organizuan një grevë, duke argumentuar se institucioni duhet t’u japë përparësi përmirësimeve teknike të vonuara prej kohësh dhe mirëmbajtjes së ndërtesës, përpara planeve për zhvendosjen e Mona Lisës në një galeri të veçantë.
Sipas Louvreit, galeria e planifikuar do t’i mundësojë “publikut ta zbulojë dhe ta sodisë atë në kushte të kënaqshme”.