Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Parku Arkeologjik i Apolonisë transformon infrastrukturën për një eksperiencë moderne

Parku Arkeologjik Kombëtar i Apolonisë

Projekti për Parkun Kombëtar të Apolonisë synon përmirësimin e infrastrukturës turistike me organizimin e itinerarit të parkut, ndërtimin e qendrës së re të vizitorëve dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për parkim.

Parku Arkeologjik Kombëtar i Apolonisë në Shqipëri, njëri nga destinacionet më të preferuara sa i përket trashëgimisë kulturore, historisë dhe natyrës, po transformon infrastrukturën e tij për t’u ofruar vizitorëve një eksperiencë më moderne dhe qasje më të lehtë.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka shpalosur imazhe nga puna e bërë në Apoloni për përmirësimin e infrastrukturës turistike. Projekti synon organizimin e itinerarit të parkut, ndërtimin e qendrës së re të vizitorëve dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për parkim, duke përfshirë qasje për autobusë, persona me aftësi të kufizuara dhe automjete elektrike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me mbështetje financiare të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian, projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me MTKS-në dhe Bashkinë e Fierit.

Sipas shifrave që publikoi ministri Gonxhja, Parku Kombëtar i Apolonisë ka pasur më shumë se 37 mijë vizitorë në pesë muajt e parë të vitit. Vetëm gjatë muajit prill u regjistruan 17 për qind më shumë vizitorë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Parku Kombëtar i Apolonisë është një monument i trashëgimisë kulturore afër Pojanit në Fier. Parku ndahet në zonën A dhe zonën B. Qyteti antik (zona A), rreth 120 hektarë, është i rrethuar me mur fortifikues rreth 4,5 kilometra të gjatë, me arkitekturë greko-romake dhe bizantine. Zona B përfaqësohet nga territori ekstramural: nekropoli arkaik, helenistik dhe romak; tempuj dhe ndërtime private ekstramurale.

Parku gjendet mbi rrënojat e qytetit antik të Apolonisë, i themeluar në shekullin VI para erës sonë. Mori emrin e perëndisë greke Apolon dhe u zhvillua shpejt si një qendër e rëndësishme tregtare, ekonomike dhe kulturore në rajonin e Adriatikut. Gjatë periudhës romake, Apolonia arriti kulmin e lulëzimit të saj. Ajo ishte e njohur për shkollat filozofike dhe retorike, ku, sipas burimeve historike, studioi edhe Augustus para se të bëhej perandor i Romës.

Në shekujt e mëvonshëm, qyteti filloi të humbte rëndësinë e tij për shkak të ndryshimeve në rrjedhën e lumit Vjosë, tërmeteve dhe vështirësive ekonomike. Gradualisht u braktis dhe u mbulua nga toka dhe vegjetacioni. Gërmimet arkeologjike të nisura në shekullin XX zbuluan monumente të shumta, si odeonin, bibliotekën, tempujt, rrugët dhe ndërtesat publike. Sot, Parku Arkeologjik i Apolonisë ruan këto dëshmi të qytetërimit antik dhe është një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke tërhequr studiues dhe vizitorë nga e gjithë bota.