Kulturë

Ozzy Osbourne – “Princi i errësirës” që i dha dritë “heavy metalit”

ozzy

Ozzy Osbourne ishte një nga figurat më të famshme në skenën e muzikës rock: shquhej si novator, zëri i tij i frikshëm ndihmoi në zhvillimin e zhanrit “heavy metal”, ishte një artist i shkëlqyer që një herë kafshoi kokën e një lakuriqi në skenë

Vokalisti i grupit “Black Sabbath”, Ozzy Osbourne, i cili më vonë gjeti famë me shoun televiziv “The Osbournes”, ka vdekur më pak se tri javë pas koncertit të fundit të karrierës. U njoh si “Princi i errësirës”, por me zërin e tij përcaktoi dhe i dha dritë “heavy metalit” dhe vulosi historinë e rock-muzikës

Ozzy Osbourne, i cili me imazhin e pagëzuar si “Princi i errësirës” u bë një nga vokalistët më ikonikë të muzikës rock të të gjitha kohëve, ka vdekur në moshën 76-vjeçare. Një deklaratë e lëshuar nga familja Osbourne shkruan: “Me më shumë trishtim sesa fjalët mund ta shprehin, ju njoftojmë se i dashuri ynë, Ozzy Osbourne, ka ndërruar jetë këtë mëngjes. Ai ishte i rrethuar nga familja e tij e dashur. Ju kërkojmë të gjithëve të respektoni privatësinë e familjes në këtë kohë të vështirë dhe emocionale”. 

Nuk u dha asnjë informacion rreth shkaktarit të vdekjes, megjithëse Osbourne kishte pasur probleme të ndryshme shëndetësore në vitet e fundit.

Osbourne ishte një nga figurat më të famshme në skenën e muzikës rock: shquhej si novator, zëri i tij i frikshëm ndihmoi në zhvillimin e zhanrit “heavy metal”, ishte një artist i shkëlqyer që një herë kafshoi kokën e një lakuriqi në skenë, një burrë që vuante nga varësitë dhe për shkak të abuzimit me substanca tentoi të vriste gruan e tij, dhe së fundmi u shndërrua në yll të televizionit dhe pëlqehej jashtë mase nga publiku për jetën familjare në shoun e titulluar “The Osbournes”.

Vdekja e këngëtarit vjen më pak se tri javë pas tërheqjes nga koncertet. Më 5 korrik Osbourne u ribashkua me anëtarët origjinal të bendit “Black Sabbath”, për herë të parë që nga viti 2005, për koncertin lamtumirës, “Back to the Beginning” –  një ngjarje plot yje dhe ku morën pjesë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës “metal”.

“Kam qenë i sëmurë për gjashtë vjet dhe nuk keni ide se si ndihem sonte”, i tha ai turmës atë natë, duke iu referuar problemeve të shumta shëndetësore, përfshirë një formë së Parkinsonit dhe operacioneve të shumta në shtyllën kurrizore. “Faleminderit nga zemra!”.

U lind në vitin 1948 me emrin, John Michael Osbourne, në Aston, Birmingham, si djali i një çifti punëtorësh fabrike. Ai pati një fëmijëri të vështirë. Përveçse jetonte në varfëri, në moshën 11-vjeçare u abuzua vazhdimisht seksualisht nga dy djem: “Ishte e tmerrshme… Dukej sikur po zgjaste përgjithmonë”, tha ai për revistën “Mirror” në vitin 2003. Osbourne gjithashtu u dënua me burg për vjedhje: “Nuk isha i mirë për këtë gjë. Shumë i padobishëm”, pranoi këngëtari në vitin 2014.

Ky mjedis industrial i klasës punëtore ndikoi në tingullin e projektit muzikor përcaktues të Osbourneit, “Black Sabbath”, grupi që me tingullin e tij të rëndë revolucionarizoi muzikën rock në Britani të Madhe. 

“Ne donim të shprehnim se si mendonim për botën në atë kohë”, kishte thënë basisti i grupit, Geezer Butler, në një intervistë të realizuar më 2017-n. “Nuk donim të shkruanim këngë pop të hareshme. I dhamë muzikës së vendit atë ndjesi industriale”.

Grupi, i emëruar sipas një filmi horror të Boris Karloff, dhe që përfshinte gjithashtu Tony Iommin në kitarë dhe Bill Wardin në bateri, publikoi albumin e parë të vetëtitulluar në viti 1970, i ndjekur nga albume të tjera që konsiderohen si guri themeltar i zhanrit “heavy metal:. “Paranoid” (1970) përmbante hitet, “Iron Man” dhe “War Pigs”, si dhe arriti të kryesojë listat e albumeve më të mira në Britani të Madhe. Kurse tingulli i zhurmshëm dhe psikodelik i albumit “Master of Reality” (1971), mbetet një ndikim i madh në tingullin më të ngadaltë të “doom metal”.

“Black Sabbath” në vitet ’70: Nga e majta:, Geezer Butler, Tony Iommi, Bill Ward dhe Ozzy Osbourne 

Osbourne i incizoi edhe pesë albume të tjera të njohura me grupin, por u bë aq i varur nga alkooli dhe droga saqë u pushua nga anëtarët e bendit në vitin 1979 dhe u zëvendësua nga Ronnie James Dio.

Osbourne u rikthye në grup për albumin e vitit 2013 me titull, “13”, i cili kryesoi majat e top-listave në SHBA dhe Britani të Madhe. “Black Sabbath” gjithashtu realizoi një turne, duke luajtur koncertin e fundit në Birmingham më 4 shkurt 2017.

Menjëherë pas largimit nga “Black Sabbath”, Osbourne nisi karrierën si solo artist dhe duke filluar me incizimin e shumëshpërblyer, “Blizzard of Ozz”, i publikoi gjithsej 11 studio-albume. I fundit u lansua në vitin 2020, “Ordinary Man”, dhe përfshinte bashkëpunime me artistë të rinj të muzikës rap si, Post Malone dhe Travis Scott, si dhe ikonën britanike të muzikës, Elton John.

Incidenti më famëkeq që përfshiu Osbournein ndodhi në vitin 1982, kur ai kafshoi kokën e një lakuriqi të ngordhur që besonte se ishte një rekuizitë skenike, gjatë performancës në Des Moines, Iowa. Më pas ai shkoi në spital për të marrë një vaksinë parandaluese kundër tërbimit. Ai gjithashtu ka pohuar – dhe kjo u konfirmua nga ish-publicisti i tij Mick Wall – se kishte kafshuar kokat e dy pëllumbave gjatë një takimi me një kompani diskografike në vitin 1981, ndërkohë që fillimisht kishte planifikuar t’i lironte zogjtë si shenjë paqeje.

Në vitet ’80 dhe ’90, ai pati disa hite të herëpashershme të pozicionuara në 40 vendet e para të top-listave muzikore, përfshirë këngët “Bark at the Moon” (1983) dhe “Perry Mason” (1995). Përfundimisht e arriti vendin e parë në vitin 2003 me këngën “Changes”, një duet me vajzën e tij 40-vjeçare, Kelly Osbourne.

Ozzy Osbourne ka edhe dy fëmijë të tjerë me gruan e tij Sharon – Jack, 39 vjeç dhe Aimee, 41 vjeçe, si dhe dy me gruan e parë, Thelma – Jessica dhe Louis. Martesa e tij me Thelman u përkeqësua për shkak të alkoolizmit të tij, dhe vite më vonë e pranoi se nuk e mbante në mend lindjen e Jessicas dhe Louisit.

Në vitin 1982 u martua me Sharonin, e cila kishte filluar të menaxhonte karrierën e tij solo. Çifti ishte takuar tre vjet më parë. Aftësia e saj në biznes, e kombinuar me popullaritetin e qëndrueshëm të Ozzyt, u ndihmoi të grumbullonin pasuri të madhe. “Ozzfest”, festivali i muzikës metal i themeluar nga Sharon në vitin 1996, bëri turne çdo vit në SHBA dhe gjithashtu pati edicione në Britani të Madhe dhe Japoni.

Në vitin 1989, Ozzy u arrestua për përpjekje për të vrarë bashkëshorten e tij Sharon, duke e ngufatur ndërkohë që ishte i dehur. Ai e rrëfeu incidentin në një intervistë të vitit 2007: “U zgjova në një qeli të vogël, me jashtëqitje njerëzore nëpër mure – dhe mendova më vete, ‘Çfarë dreqin kam bërë tani?’ …Një polic më lexoi një letër dhe tha: ‘Je i akuzuar për përpjekje për të vrarë zonjën Sharon Osbourne.’ Nuk mund t’ju përshkruaj si u ndjeva në ato momente. Thjesht isha i mpirë”. 

Çifti u pajtua më vonë, megjithëse u ndanë shkurtimisht në vitin 2016 pasi Ozzy pati një lidhje jashtëmartesore me një stiliste flokësh.

Ozzy dhe Sharon, së bashku me fëmijët Kelly dhe Jack, u shfaqën në shoun televiziv “The Osbournes”, i transmetuar nga viti 2002 deri në 2005. Një lloj dokumentari që ndiqte jetën e përditshme të familjes – i kompletuar me terapeutë për qentë, “mjekë të vagjinës” dhe një sasi të madhe të sharjeve banale nga të gjithë protagonistët – u shndërrua në hit televiziv me shikueshmëri të madhe dhe, në vitin 2002, u bë fituesi i dytë në histori i çmimit “Emmy” në kategorinë “Reality më i mirë”.

Në vitin 2003, Ozzy theu qafën, klavikulën dhe brinjët në një aksident me motor në shtëpinë e tij në Buckinghamshire. Sharon më vonë tha se ai kishte ndaluar së marri frymë për një minutë e gjysmë “dhe nuk kishte puls”; gjithashtu iu tha se pothuajse ishte paralizuar nga aksidenti. Në vitin 2005 ai iu diagnostikua me Parkinson, që shkakton dridhje trupore. Në vitin 2013, pas viteve të tëra të mospërdorimit të alkoolit, ylli i muzikës e pranoi se kishte filluar të pinte dhe të përdorte drogë për një vit e gjysmë, por ishte i vendosur për t’u kthyer në rrugën e maturisë, duke thënë: “Isha në një vend shumë të errët dhe u tregova idiot me njerëzit që i dua më së shumti, familjen time”.

Në vitin 2019, Osbourne performoi atë që u cilësua si turneu i tij i fundit botëror, i titulluar “No More Tours 2”. (Ai për herë të parë kishte shpallur pensionimin në vitin 1992 me turneun “No More Tours”, por më vonë e ndryshoi vendimin e tij.) Sëmundja e detyroi të shtynte datat e turneut evropian në vitin 2020. 

“Duket se që nga tetori çdo gjë që prek shndërrohet në jashtëqitje”, tha ai në një deklaratë kushtuar fansave. Gjithashtu kishte kaluar kohë në spital për t’u trajtuar për një infeksion në dorë.

Në vitin 2020, Ozzy njoftoi se ishte diagnostikuar me sëmundjen Parkinson, dhe dy vjet më vonë iu nënshtrua një operacioni në shtyllën kurrizore, pasi një rrëzim më 2019-tën përkeqësoi dëmtimet e mëparshme nga aksidenti me motoçikletë. Në vitin 2023, anuloi një turne në Britani të Madhe dhe Evropë për shkak se ishte “fizikisht i dobët”, duke përshkruar “tre operacione, trajtime me qeliza burimore, seanca të pafundme fizioterapie dhe së fundmi, trajtimin revolucionar Cybernics (HAL)”.

Osbourne u bë depresiv gjatë këtyre trajtimeve të gjata, siç përshkroi në një intervistë për “The Guardian” në maj të këtij viti. 

“Zgjohesh të nesërmen në mëngjes dhe zbulon se diçka tjetër ka shkuar keq. Fillon të mendosh se kjo nuk do të marrë fund kurrë”, tha ai. “Sharon e pa që isha drejt shkatërrimit dhe më tha: ‘Kam një ide’. Ishte diçka që do të më jepte arsye për t’u zgjuar në mëngjes”.

Kjo ide ishte koncerti “Back to the Beginning” i mbajtur në Villa Park në Birmingham, ku Osbourne u ribashkua me miqtë e vjetër, Butler, Iommi dhe Ward, për një performancë me katër këngë, pas një seti prej pesë këngësh solo. Osbourne interpretoi i ulur në një fron të zbukuruar me lakuriqë nate, por dha një performancë plot energji, duke i thënë publikut në një moment: “Unë jam Iron Man: çmenduni fare!” 

Koncerti përfshiu gjithashtu performanca nga legjenda të tilla si, “Metallica”, Slayer dhe “Guns N’ Roses”.