Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Osloja shndërrohet në galeri shumëngjyrëshe të grafiteve

Osloja shndërrohet në galeri shumëngjyrëshe të grafiteve

“Meeting of Styles” në Oslo – i cili shtrihet edhe në Prishtinë dhe sivjet do të shënojë edicionin e dhjetë prej 28 deri më 30 gusht – u jep artistëve mundësinë të prezantojnë edhe kulturën e tyre

Foto: Associated Press

Muret në një nga ish-zonat industriale të Oslos janë shndërruar në kanavaca gjigante për artistë të grafitit nga e gjithë bota. Dhe, në mënyrë mjaft domethënëse, shpikësi norvegjez i sprejit është përjetësuar në një mural gjigant

Muralet shumëngjyrëshe po i pushtojnë rrugët e Oslos. I themeluar në Gjermani në vitin 2002, festivali “Meeting of Styles” është shndërruar në një rrjet global jofitimprurës që organizon festivale të artit rrugor. Ai konsiderohet gjerësisht si rrjeti më i madh ndërkombëtar i grafitit në botë.

Artistët aplikojnë nga vende të ndryshme të botës dhe përzgjidhen për të përfaqësuar një gamë të gjerë stilesh dhe prejardhjesh.

Edicioni i këtij viti në Oslo solli 40 artistë nga 21 vende, të cilët krijuan vepra që variojnë nga muralet dhe grafitet deri te portretet, duke ndarë njëkohësisht teknika dhe ide me njëri-tjetrin.

“Në fillim, konkurrenca ka qenë shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme për artistët e grafitit. Gjithmonë ka pasur konkurrencë: kush pikturon më shumë, më madhështor, më shpejt apo veprat më të bukura. Por kjo është paksa ndryshe. Këtu përpiqemi të përfshijmë kultura të ndryshme, njerëz të të gjitha moshave, të rinj e të moshuar. Qëllimi është më shumë shkëmbimi i përvojave, në mënyrë që të kthehemi në shtëpi me përvoja të reja, të frymëzuar nga miq të rinj dhe të krijojmë art edhe më të mire”, ka thënë Simon Diaz, drejtor ekzekutiv i “Meeting of Styles” në Oslo.

Mes muraleve është edhe një homazh për inovacionin norvegjez nga artisti suedez Joel Hjort, i cili ka realizuar një portret të Erik Rotheim, shpikësit të lindur në Oslo që patentoi sprejin modern rreth një shekull më parë.

Edhe Historia e jashtëzakonshme e tifozit iranian Botërori 2026 2 d. më parë Historia e jashtëzakonshme e tifozit iranian

Artistë me stile dhe kultura të ndryshme punojnë pranë njëri-tjetrit përgjatë një muri betoni, duke krijuar mundësi që të mësojnë nga njëri-tjetri gjatë procesit të pikturimit.

Artistja norvegjeze, Tanya Styrvold, e cila së fundmi ka kaluar nga piktura klasike në artin rrugor, thotë se puna përkrah artistëve me përvojë të grafitit e ka zgjeruar praktikën e saj artistike.

Mes muraleve është edhe një homazh për inovacionin norvegjez nga artisti suedez Joel Hjort, i cili ka realizuar një portret të Erik Rotheim, shpikësit të lindur në Oslo që patentoi sprejin modern rreth një shekull më parë (Foto: The Associated Press)

“Unë ende nuk kam kontrollin e duhur mbi sprejin dhe as aftësinë për të realizuar ato shkronja grafike klasike, të pastra, që gjithmonë më kanë frymëzuar, por nuk arrij t’i bëj. Prandaj është shumë kënaqësi t’i shoh teksa punojnë dhe të marr këshilla prej tyre. Shpresoj që kështu të zgjeroj horizontin dhe atë që mund të krijoj. Jam gjithashtu shumë e lumtur që jam vendosur mes dy veteranëve të vërtetë të këtij lloj arti, të cilët krijojnë shkronja vërtet të mrekullueshme”, ka deklaruar Styrvold.

“Meeting of Styles Oslo” (i cili shtrihet edhe në Prishtinë, dhe sivjet do të shënojë edicionin e dhjetë prej 28 deri më 30 gusht v.j.) u jep artistëve mundësinë të prezantojnë edhe kulturën e tyre, si në rastin e Majid El Bahar, i cili ka realizuar një mural me portretin e një vajze nga vendlindja e tij, Maroku.

Edhe Mbi 100 mijë njerëz pritën përfaqësuesen e Norvegjisë Botërori 2026 2 d. më parë Mbi 100 mijë njerëz pritën përfaqësuesen e Norvegjisë

“Të japin një mur, një kanavacë ku mund të shprehesh lirshëm dhe të krijosh artin tënd. Jo vetëm në qytetin tënd, por në mbarë botën. Kështu mund t’ua prezantosh kulturën të tjerëve dhe njëkohësisht të marrësh nga kulturat e tyre”, ka thënë artisti.

Përveç muraleve, festivali mirëpriti edhe publikun me punëtori grafiti të hapura për të gjithë, me synimin për ta bërë më të qasshëm artin e rrugës.