Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“No Carmen!” – zhveshja e ikonës prej miteve, fantazive e sakrificave

zana

“No Carmen!” është një dekonstruktim i muzikës dhe një shikim se cilat do të ishin temat që do ta okuponin këtë Carmen dhe kush do të ishte Carmeni” (Foto: Borut Bučinel)

Produksioni slloven që vjen si rilexim bashkëkohor i figurës ikonike të Carmenit duke e zhvendosur atë nga kornizat tradicionale të operës drejt një universi teatror eksperimental, fizik dhe politik, ka sjellë në Teatrin Slloven për të Rinj qasje unike e regjia e shfaqjes i është besuar Zana Hoxhës. Muzikën e ka kompozuar Liburn Jupolli

“No Carmen!” ngjan si shfaqje unike, version teatral i operës së famshme të Georges Bizet. Me autore dramaturgen sllovene, Urška Brodar, por ku “e pazakonta” vjen te pjesa regjisoriale e skenat ilustrohen kryesisht me veprime të aktorëve, përgjegjësia e regjisë i është dhënë Zana Hoxhës. Të enjten mbrëma në Teatrin Slloven për të Rinj (Slovensko mladinsko gledališče) u dha premierë.

Shfaqja që trajton tema politike e sociale nëpërmjet personazhit ikonik të operës, Carmen, parashihet të shtrojë rrëfimin edhe në Prishtinë, por kushtet e kanë penalizuar. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Produksioni slloven vjen si rilexim bashkëkohor i figurës ikonike të Carmenit, duke e zhvendosur atë nga kornizat tradicionale të operës drejt një universit teatror eksperimental, fizik dhe politik. Muzika luan rol kyç në këtë shfaqje. Në skenë, pos dhjetë aktorëve, pjesë e kastit ka qenë edhe një pianist –  Jozhe Šalej. Muzika është kompozuar nga Liburn Jupolli. 

“Shfaqja është një rilexim bashkëkohor i operës ‘Camen’ dhe i romanit të Prosper Mérimée. Është një dekonstruktim i muzikës dhe një shikim se cilat do të ishin temat që do ta okuponin këtë Carmen dhe kush do të ishte Carmeni”, ka thënë regjisorja Zana Hoxha në një bisedë për KOHËN.  

Skenë nga shfaqja “No Carmen!” e dhënë premierë në Teatrin Slloven për të Rinj (Foto: Borut Bučinel)

Në skenë kanë interpretuar aktorët: Lina Akif, Dasha Doberšek, Natasha Keser, Boris Kos, Klemen Kovaçiç, Anja Novak, Maruša Oblak, Ivan Peternelj, Blazh Shef dhe Stane Tomazin. Koreografia është realizuar nga Lada Petrovski Ternovšek dhe skenografia nga Dunja Zupančič.

Sipas regjisores, procesi krijues është mbështetur fuqishëm në bashkëkrijim me ansamblin artistik të teatrit.

“Për mua ka qenë e rëndësishme që të zhvillohet një proces i bashkëpunimit dhe kohë krijimit ose bashkëkrijimit me gjithë ekipin e artistëve, gjë që e kanë bërë, duke marrë parasysh eksperiencën time, njohuritë e mia, shkathtësitë e mia, por kam parë një organizim të jashtëzakonshëm të teatrit. Mënyra se si e kanë mbështetur këtë projekt me të gjithë përkrahjen e mundshme, shkathtësitë e aktorëve, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve tjerë të muzikës, koreografisë, skenografisë. Ka qenë një ndërmarrje shumë e madhe dhe një shfaqje në të cilën është investuar shumë. Konsideroj që kemi dalë me një premierë të suksesshme”, është shprehur Hoxha. 

Një prej veçorive më të mëdha të shfaqjes, sipas përshkrimit, është forma e saj skenike, pasi pjesa më e madhe zhvillohet pa dialog.

“Vetëm njëzet për qind e ka tekst, domethënë tetëdhjetë për qind e shfaqjes është pa tekst, që është risi. Është shfaqje pa fjalë”, ka deklaruar regjisorja.

Kësisoj, ajo e ka cilësuar procesin si një prej më sfiduesve në karrierën e saj, duke vlerësuar nivelin profesional dhe angazhimin të ansamblit të teatrit slloven.

“Ka qenë një prej proceseve më sfiduese, sepse ansambli i këtij teatri dihet që është një prej ansambleve më profesionale. Por edhe të angazhuar në aspektin e trajtimit të temave të ndjeshme politike, qoftë në Slloveni por edhe në rajon po më gjerë. Mënyra sesi kam punuar unë dhe me këtë rast, kanë qenë dhjetë aktorë dhe një pianist. Ka kërkuar një kondicion, një dedikim dhe gjithashtu një pasion për projektin. Jam e lumtur që kanë marrë diçka nga unë në mënyrën se si unë kam punuar, por edhe unë kam marrë nga këta artistë”, ka thënë ajo.

“No Carmen!” e çmonton figurën e njohur të Carmenit si arketip femëror në operë. E bllokuar brenda një prej miteve më të njohura të kulturës perëndimore, Carmen në këtë shfaqje “shqyen” veten nga roli i shkruar për të. Për shfaqjen shkruhet se, midis operës, performancës, provave, fantazive, dhunës, dëshirës dhe spektaklit, shfaqja sfidon mënyrën sesi gratë vazhdojnë të reduktohen në mite, fantazi apo sakrifica.

“No Carmen!” e çmonton figurën e njohur të Carmenit si arketip femëror në operë (Foto: Borut Bučinel)

Ky projekt shënon bashkëpunimin e parë të Zana Hoxhës me “Slovensko mladinsko gledališče”, ndërsa ajo ka theksuar se është regjisorja e parë shqiptare që punon në një institucion shtetëror teatror në Slloveni.

Hoxha ka bërë me dije se shfaqja trajton tema të forta sociale e politike.

“Kritikat në përgjithësi kanë qenë shumë pozitive me faktin që është diçka me shfaqje shumë speciale, e paparë në formën të cilën unë e kam sjellë. Zakonisht shfaqjet fillojnë në një mënyrë dhe zhvillohen dhe ti e kupton këtë histori, ndërsa ne gjatë tërë shfaqjes nuk arrijmë të kuptojmë me të vërtetë se kush është Cameni dhe çfarë është Cameni, sepse jemi duke e kërkuar atë në kontekste dhe në tema të ndryshme, siç janë për shembull, temat që ndërlidhen me mizogjininë, shovinizmin, femicidin, diskriminimin në punë, dhunën gjithashtu dhe manosferën”, ka shpjeguar ajo për KOHËN. Shfaqja demitizon duke ia veshur petkun e temave të sotme. 

“Të gjitha këto janë të ndërlidhura dhe në fund të shfaqjes kemi një syzhe të tërë operës dhe të librit dhe e bëjmë të qartë se kemi qenë duke dekonstruktuar dhe duke rikrijuar sesi do të ishte një femër sot, kush do të ishte ai ose ai. A do të kishte gjini të caktuar, a do të kishte moshë të caktuar dhe si do të sillej nga konteksti i ditëve të sotme”, ka thënë ajo. 

Regjisorja ka bërë të ditur se ekzistojnë planet që “No Carmen!” të prezantohet edhe në Kosovë, por realizimi i kësaj varet nga kushtet e Teatrit Kombëtar, i cili që nga korriku i 2022-s është zhvendosur në hapësirë të improvizuar në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si rrjedhojë e mbylljes së objektit të TKK-së për renovime. 

“Duke marrë parasysh skenën dhe kërkesat teknike që i ka shfaqja, është e pamundur që të bëhet në skenën aktuale të improvizuar. Ne biseduam që ta sjellim vitin tjetër me shpresën që planet për lëshimin e Teatrit Kombëtar, pra ndërtesës origjinale, të realizohen siç është thënë nga Ministria e Kulturës deri në fund të vitit. Shpresoj që do të kemi mundësi ta sjellim vitin e ardhshëm. Shfaqja do t'i ketë këto repriza pas premierës, pra në muajin maj, ndërsa do të vazhdojë pas muajit maj në vjeshtë”, ka thënë ajo.

Teatri Slloven për të Rinj u themelua në Lubjanë në vitin 1955 si teatri i parë profesional për fëmijë dhe të rinj në Slloveni. Gjatë gjithë historisë së tij, teatri ka bashkëpunuar me reformatorët e teatrit që formësuan teatrin slloven gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.