Ana e errët është regjimi serb. E ndritura, rezistenca që kulmoi edhe në “Kurriz” të “Dardanisë”. Emërues i përbashkët është kujtesa. “N’kurriz të kohës së rezistencës” ka qenë ngjarja e cila – në tunelin ku së fundmi Komuna e Prishtinës ka përuruar projektin e rijetësimit të kësaj pjese – ka sjellë tingujt e imazhet e kohës kur ky kompleks monumental u shndërrua edhe në hapësirë të jetës urbane e kulturore në kryeqytet
Kur u suprimua autonomia e Kosovës dhe shqiptarët u përjashtuan nga jeta publike e institucionet shtetërore, “Kurrizi” u transformua në hapësirë alternative për rezistencë dhe pikëtakim i rinisë në kryeqytetet. Kompleksi në lagjen “Dardania” në Prishtinë, do të shndërrohej në një lloj strehe të jetës urbane. Kafiteritë u shndërruan në lloj institucionesh kulturore, galeri arti a qendra të diskutimit publik e të shprehjes kulturore. Sot “Kurrizi” është monument. Mbi të gjitha monument i kujtesës dhe i rezistencës ndaj regjimit serb. Në frymën e asaj kohe ka qenë edhe ngjarja
“N’kurriz të kohës së rezistencës” të cilën mbrëma e cila në tunelin e “Kurrizit” – të përuruar nga Komuna e Prishtinës muajin e kaluar si projekt 1.3 milionë eurosh e me jo pak bujë prej se nisi vitin e kaluar – aty u mbajt koncert e u hap ekspozitë. Me grupin “TNT” e DJ James kanë jehuar po ato këngë që kumbonin në kohën kur “Kurrizi” u bë kult.
“TNT” – me Bekim Hallaqin në vokal, Luan Maculën në kitarë, Murat Shabanin-Llapën në bateri dhe Edon Ramadanin në tastierë – ka sjellë të famshmet “Moj bjondinë me sytë e zi”, “Këto ura”, “S’ka me shqipen tonë”, “Ata sy”, “E mallkoj” e shumë të tjera. DJ James ka miksuar hite botërore të asaj kohe e me muzikë elektronike ka shoqëruar edhe DJ Oda Haliti.
E tashmja dhe e kaluara kanë bashkëjetuar në këtë ngjarje. Kujtimet dhe aktivitetet e së dielës janë trazuar. Të dytat kanë qenë aty për publikun e shumtë që është rikthyer në këtë hapësirë, e të parat janë ilustruar në mure si efekte retrospektive.
Në murin e tunelit të “Kurrizit” është instaluar ekrani që shfaq pamjet e atmosferës atë kohë. Është videoja dhe shumë fotografi të sjella nga Migjen Kelmendi si dhe të tjera të dhuruara nga Arben Sylejmani, Besnik Ora, ‘Kurrizi Reunion’, nga BB Poqi, Enes Berveniku, Florent Boshnjaku, Adnan Gërlica e të tjerë.
E tregojnë zhvillimin e jetës shoqërore e kulturore gjatë asaj kohe. Të shfaqura në ekrane gjigande, vijnë retrospektivë e asaj se çfarë ngjante atëkohë aty.
Por “Kurrizin” më së miri e kujtojnë ata që kanë kujtime në çdo cep të hapësirave të tij.
Poetja Naime Beqiraj, që ishte studente në fundvitet e ’90, e ka konsideruar këtë hapësirë si “një lloj ‘undergroundi’ i Prishtinës”. Për të ka qenë pikëtakimi e si mesazh në kohë pa mjete komunikimi.
“Një hapësirë ku mblidheshin artistët dhe prirjet urbane, disi në vitet ’90 ajo hapësirë u zhvendos te ‘Qafa’ dhe ‘Kurrizi’ mbet një zonë gati e zakonshme. Kjo pjesë ta kujton atë hapësirën e asaj kohe kur organizoheshin ekspozita, takime letrare dhe në një formë ka qenë si lloj identiteti. Diheshin ku janë krijuesit, ku janë karikaturistët, fotografët, dramaturgët. Edhe kur nuk ekzistonin telefonat celularë, ky ka qenë një lloj mesazhi ku mund të gjendeshin krijuesit, ku diskutonin. Ishte koha e alternativës kosovare, e mendimit ndryshe dhe hapërimit për liri”, është shprehur Beqiraj.
E fotografitë e ekspozuara e kanë kthyer poeten shumë vjet pas, në atë që konsiderohej si Prishtina urbane.
“Po arrij t’i shoh disa prej miqve. Duke parë disa prej tyre, më kthehet kujtesa e para 36 a 37 vjetëve dhe e një hapësire ndryshe e Prishtinës, ta quaj Prishtina urbane ka qenë”, është shprehur ajo.
Për piktoren Bija Jasiqi, në këtë hapësirë ishte krijuar edhe vetë kurrizi i kulturës. E ka quajtur këtë kompleks si simbol të Prishtinës.
“Kafiqat e parë kanë filluar funksionimin nën ‘Kurriz’, mirëpo në atë kohë, meqë ka qenë komunizmi aktual, ata kanë pasur kontrollin mbi të rinjtë. Çdo mbrëmje i quanin serbisht ‘racija’, mbylleshin dyert e hekurit dhe hynte policia i kontrollonte të rinjtë. Përndryshe nga e gjithë Prishtina, këtu ka qenë lezeti. Këtu edhe ka filluar rezistenca, e më vonë u shndërruan dalëngadalë në butikë. Edhe ato, këtu kanë ardhur janë furnizuar. Në kohën e luftës dhe paraluftës, platoja këtu është shfrytëzuar për ndonjë dramë, tubim partiak dhe shumë role të tjera ka luajtur kjo hapësirë”, është shprehur piktorja Jasiqi.
Ka thënë se kujton takime e promovime që ishin mbajtur në “Kurriz”. E ka vlerësuar projekt me vend atë që e ka kryer Komuna e Prishtinës, por ka thënë se sistemi i ajrimit të asaj hapësire, u pengon banorëve, aty ku banon edhe vetë ajo.
“Ajrimi dhe kanalet e këtij sistemi i pengojnë banorët në ndërtesë, sepse u janë vendosur shumë pranë dritareve të banesave”, ka thënë Jasiqi.
Aktori Valdet Rama i ka të freskëta kujtimet kur u mbyll qendra e qytetit dhe ajo që dikur ishte korzoja u “bart” në “Kurriz”.
“E mbaj mend kur u mbyll qendra kryesore e qytetit ku dilnim çdo ditë të shëtisim në korzë. Pastaj vetvetiu filloi që ‘Kurrizi’ të bëhet si qendër e tubimit të shqiptarëve. Këtu ka pasur kafene, zejtarë të ndryshëm dhe tuneli ka qenë në një mënyrë qendër e kulturës ku ngjanin aktivitetet kulturore e gjithë ngjarjet alternative shqipe. Pastaj, gradualisht qendra e qytetit u zbraz, serbët e uzurpuan atë pjesë dhe ne u tërhoqëm këndej. Këtu ka qenë diçka si, njëfarë rebelimi kundrejt krejt asaj gjendje. Njerëzit kanë ndenjur deri vonë”, ka kujtuar ai.
E ka krahasuar “Kurrizin” me faltore e vizitën aty si ritual.
“Këtu jam rritur si student. Në vitet ’90 kur kjo filloi të bëhet qendër, këtu kemi qenë gjatë gjithë kohës. Jemi rritur, jemi zhvilluar, jemi emancipuar me ‘Kurrizin’. Ka qenë një lloj faltore e vend ku njerëzit vijnë dhe gjithë emocionin njerëzor e zbrazin këtu. Këtu jemi takuar me shoqërinë, me kolegë, me artistë”, ka thënë ai.
Tunelin e rinovuar e asfaltuar i “Kurrizit”, Sibel Halimi, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës e ka quajtur projekt kulturor. Ka përmendur edhe të tjera që priten të përurohen si hapësira që i shërbejnë artit e kulturës.
“Për ne është e rëndësishme që hapësirat e tilla të shndërrohen për art dhe kulturë dhe nuk është vetëm ‘Kurrizi’, por ne së shpejti do të promovojmë edhe bunkerët në Ulpianë si hapësira të cilat qenë të vdekura dhe të cilat po përpiqemi t’i ngjallim për artistët që të mos kemi ankesa që nuk ka hapësira fizike. Për mua ka qenë e rëndësishme që sa më shumë aktivitete kulturore t’i decentralizojmë, që secila lagje të ketë një hapësirë ku qytetarët të jenë shumë afër ngjarjes që organizohet”, ka thënë ajo.

Drejtoria për Kulturë pati hapur thirrje publike ku kërkoheshin materiale që dokumentojnë peshën e kësaj pjese të kryeqytetit.
“Ajo çfarë më bën shumë të lumtur është një xhirim shumë i pasur i Migjen Kelmendit që shfaqet për herë të parë sot në ekspozitë. Xhirimi bëhet në gjithë tunelin dhe në kafiteritë që kanë qenë në atë kohë. Ndejat spontane, ndejat, ekspozitat e ‘Hanit të Dy Robertëve’, muzika rock në atë kohë, janë një lloj sinkronizimi që kemi dashur ta bëjmë. Tani janë ‘TNT’ me këngët që janë kënduar në atë kohë, DJ James është një ikonë e asaj kohe dhe Oda Haliti e periudhës së gjeneratës së re”, ka thënë Halimi.
Sipas të dhënave, kompleksi “Kurrizi” u projektua nga arkitekti kroat Drazhen Jankoviq në vitin 1980 dhe ndërtimi i tij përfundoi në vitin 1986.
Edhe sot, “Kurrizi” qëndron si monument i kujtesës kolektive e simbol i fuqishëm i rezistencës urbane.
© KOHA Ditore