Viteve të fundit arti bashkëkohor po përballet me një realitet të ri: gjuha angleze, si “lingua franca” e gjithçkaje, ka prodhuar një gjuhë të re të "shpikur" - një variant të rrjedhur nga anglishtja, por megjithatë jo anglisht.
Dhe një dimension tjetër dilemash: si ndodhi që anglishtja të spostohet nga të qenit “lingua franca” e botës dhe t’i dorëzohet një gjuhe të re si IAE (International Art English)?
Si pjesë e Programit Publik të Shkollës Verore 2019, të martën në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor- u mbajtën dy ligjërata nga Gëzim Visoka dhe Boris Buden.
Ligjërata e dytë në “Stacion…” ishte një diskutim i zgjeruar mbi një hipotezë që trajton realitetet e reja gjuhësore në botën e artit.
Në vitin 2012, Alix Rule dhe David Levine kishin nisur një debat që prodhoi polemika të pafundme. Sipas tyre, bota e ndërkombëtarizuar e artit mbështetet mbi një gjuhë unike dhe artikulimi më i kulluar i tyre gjendej në konferencat digjitale të shtypit.
"Kjo gjuhë ka të bëjë gjithçka me anglishten, por theksueshëm nuk është anglishte", ishte përfundimi që kishin ngritur këta autorë.
Ata i kishin mbështetur kërkimet e tyre në analizimin softuerik të gjuhës së ashtuquajtur IAE (International Art English), e cila ka një komunitet përdoruesish që i përzgjedh dhe unifikon.
Në vazhdim të esesë së tyre, Rule dhe Levine ishin tërbuar nga fakti se shndërrimi i anglishtes paraqet një “dekadencë të artit bashkëkohor” dhe “simptomë të padrejtësisë në shkallë globale”.
Nga përfundimi i luftës së vitit 1999, Kosova ka bërë përpjekje për të ndërtuar një paqe të qëndrueshme e shtet të ri nën tutelën ndërkombëtare. Pyetje pambarim mbi atë sesi misionet e shumta ndërkombëtare e shndërruan qasjen e tyre paqendërtuese në një lojë për kënaqjen e aspiratave të ndryshme.
Profesor asistent në Dublin City University, Gëzim Visoka, është autor i një sërë studimesh që tematizojnë përvojat e paqendërtimit në vende postkonfliktuale. Duke risjellë observimet e tij nga libra ku ka qenë autor ose editor, ai ka trajtuar çështjen e misioneve ndërkombëtare në procesin e vështirë shtetndërtues në Kosovë dhe problemet gjatë kësaj rruge.
Visoka ka thënë se pjesa më sfiduese për bashkësinë ndërkombëtare ka qenë arritja e një paqeje në Kosovë pa një marrëveshje paqeje. Dhe, sipas tij, ajo çfarë bënë ndërkombëtarët ishte “një improvizim pa strategji sesi duhej të trajtohej situata”. Sipas studiuesit të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, agjenda shtetndërtuese e misioneve ndërkombëtare në secilën fazë të saj përballej me sfida nga njëra ose tjetra palë....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")