Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Nën hijen...” vlerësohet si teatër i domosdoshëm gjatë reprizave në Johanesburg

“Nën hijen e një peme u ula dhe qava”

“Nën hijen e një peme u ula dhe qava” prej ditës së 9-të të prillit është duke u dhënë “The Market Theatre”. Deri më 19 prill kjo shfaqje ka reprizat e njëpasnjëshme në 50-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të pavarur. Shfaqja është duke u pritur me kritika tejet vlerësuese

Është jubileu i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut. Rrëfimet e shpalosura para tri dekadash qenë të tmerrshme. E sivjet ato u shpërfaqën në Johanesburg nëpërmjet një shfaqjeje që ka shkuar nga Prishtina në kryeqytetin e vendit jugafrikan. “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” prej ditës së 9-të të prillit është duke u dhënë “The Market Theatre”. Deri më 19 prill kjo shfaqje ka reprizat e njëpasnjëshme në 50-vjetorin e themelimit të këtij institucioni të pavarur. Shfaqja është duke u pritur me kritika tejet vlerësuese. 

Bashkëprodhimi i Qendrës “Multimedia” në Kosovë dhe “The Market Theatre” nga Johannesburgu është prej atyre projekteve teatrore ku është gërmuar shumë në histori, e sidomos në ndjesinë njerëzore të dy popujve të cilët i ndajnë 8 mijë kilometra vijë ajrore. Vjet shfaqja qe dhënë në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut. Bashkëprodhimi teatror nën regji të Blerta Nezirajt dhe tekst të Nezirajt, shkon përtej diplomacisë kulturore, një shfaqjeje teatri a një projekti artistik: zhvesh shpirtin e familjarëve të viktimave në skenë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“The Desmond & Leah Tutu Legacy Foundation” ka njoftuar se bashkë me “The Market Theatre” kanë organizuar një mbrëmje që nderon jetën dhe trashëgiminë e laureatit të Çmimit Nobel për Paqe, Desmond Tutu.

“E vendosur në kuadër të shfaqjeve në Afrikën e Jugut të ‘Under the Shade of a Tree I Sat and Wept’, si produksion ndërkombëtar sjell historinë e Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit të Afrikës së Jugut në dialog me Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë, duke lidhur histori, kultura dhe rrugëtime drejt shërimit. Nëpërmjet teatrit, dëshmive dhe kujtesës, ftohemi përballë një pyetjeje të guximshme: çfarë kërkon vërtet pajtimi i mirëfilltë nga ne?”, ka njoftuar Fondacioni. 

Për ata që tashmë kanë parë shfaqjen në Johanesburg, “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” është produksion që sjell para publikut thellësinë njerëzore nëpërmjet teatrit. 

Samantha Nupen, e cila mban faqen online “SamSays” dhe merret me kritikë arti e promovim të ngjarjeve artistike ka shkruar se nuk dinte gjë për gjakmarrjet në Kosovë. 

“Nuk dija për gjakmarrjet në Kosovë. Nuk e dija sa brutale ishin vrasjet, apo sa thellë, brez pas brezi, shtrihen ciklet e hakmarrjes. Nuk e dija. Nuk kam jetuar kurrë në Kosovë dhe nuk e dija. Nuk e dija tmerrin e torturave gjatë Aparteidit...Unë jetoj këtu… dhe megjithatë, nuk e dija”, ka shkruar ajo. Ka treguar se sipas saj, “Under the Shade of a Tree I Sat and Wept” është një vepër e kuruar bukur dhe thellësisht prekëse që bashkon historitë e Afrikës së Jugut dhe Kosovës, dy kontekste të largëta që lëvizin, paralelisht dhe në mënyrë të çrregullt, drejt diçkaje që i ngjan faljes.

“Ky është teatër dokumentar në formën e tij më të ndershme dhe më përballëse. Shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji nga Blerta Neziraj, me Greg Homann si dramaturg, produksioni mbështetet nga një kast ndërkombëtar i përkushtuar dhe mbresëlënës. Së bashku, ata zbërthejnë kompleksitetin e faljes, amnistisë dhe drejtësisë, jo si zgjidhje të pastra, por si procese të brishta, thellësisht njerëzore dhe emocionale”, ka shkruar Nupen. Ka treguar se gjeti veten të tërhequr instinktivisht drejt interpretuesve të Afrikës së Jugut si Gontse Ntshegang, Les Made dhe Kensiwe Tsabalala ku bëhet fjalë për një ndjenjë familjariteti, një kontekst i përbashkët. 

“Kasti nga Kosova, Illire Vinca, Amernis Nokshiqi dhe Arben Bajraktaraj  sjell një gjuhë fizike tjetër, një energji tjetër,  të ndryshme, por po aq të fuqishme. Vepra lëviz mes anglishtes, shqipes dhe gjuhëve të Afrikës së Jugut, me titra që udhëheqin publikun nëpër rrëfimin e saj të shtresëzuar... Dhe përgjatë gjithë kësaj, ekziston një fije e qetë, e vazhdueshme: Shpresa që dridhet si një qiri në erën e trazirave të mëdha globale. Ky është teatër i rëndësishëm. Teatër që të thyen zemrën. Teatër i domosdoshëm”, ka shkruar ajo. 

Historia thotë se gjatë pajtimit të gjaqeve në Kosovë nën udhëheqjen e Anton Çettës u zgjodhën 1 mijë e 275 gjakmarrje dhe konflikte, kurse në Afrikën e Jugut viktimat dhe kryerësit e krimeve vendoseshin përballë njëri-tjetrit, në një “gjyq” ku të vërteta të tmerrshme nga periudhat e dhunës, shtypjes dhe persekutimit bëheshin publike. Atje udhëheqës qe kleriku Desmond Tutu i cili fitoi dhe “Nobel” për paqe. Shfaqja për nikoqir dhe bashkëproducent ka një institucion që ka histori të gjatë në luftën për të drejtat e njeriut. Historia e teatri “The Market Theatre” në Afrikën e Jugut është mesele më vete. Në fillet e veta në vitet ’70 të shekullit të kaluar ky institucion vinte në skenë shfaqje që konsideroheshin aq subversive kundërshtuese, saqë u bë një objektiv i rregullt i censorëve të zellshëm të qeverisë së aparteidit. I bashkonte krejt ngjyrat edhe pse asokohe Johannesburgu qe qytet ku ligji ndante zonat dhe njerëzit sipas racës. Teatri, i themeluar në një treg të vjetër frutash dhe perimesh në qendër të Johanesburgut, lindi në një kohë vendimtare vetëm disa ditë pasi kryengritja e Sowetos në vitin 1976 ndryshoi vendin përgjithmonë. Të rinjtë dolën në rrugë për të protestuar kundër mësimit në shkolla në gjuhën afrikane  dhe reagimi i ashpër i qeverisë çoi në vrasjen e qindra njerëzve.