Prishtinë, 24 dhjetor – “Loja e shahut përfundon me mat”, thotë Filozofi (Brahim Basha), i cili i ka bërë 99 gabime brenda një muaji. Në këtë lojë ai ka vënë si bast jetën e tij. Nëse fiton do t’i shpëtojë vdekjes dhe Mortja (Adelina Halitjaha) do të largohet prej tij. Nëse jo, ai s’ka më vend mes të gjallëve. Ky është koncepti kryesor i shfaqjes “Mat” me tekst të Ag Apollonit, nën regji të Ben Apollonit, e cila u dha premierë të hënën mbrëma në teatrin “Dodona”, në Prishtinë.
Vrasje, përdhunim, tentim vrasje, korrupsion në punë, abuzime me gra, janë vetëm disa nga “gabimet” që Filozofi ka bërë. Por, megjithëkëtë, ai nuk dëshiron që të vdesë. Thotë se e ka të shkruar të vuajë. Por pasi që bisedon me Mortjen, ferri nuk i duket i keq. Thotë se i përngjan Kosovës, por përsëri fuqishëm thotë se ka vullnet për jetë. Të kundërtën synon Mortja. Thonë se Filozofi dëshiroi që të bënte vetëvrasje, prandaj edhe ka ardhur ta marrë. Është e bindur se ai e meriton vdekjen, sidomos pas faktit se Sara, gruaja e Filozofit, thotë ta ketë rrahur dhe e kishte tradhtuar tek ia kishte marrë vetes jetën. Por Filozofi i pikëlluar që Sara ka vdekur, pasi që ka duruar më së shumti dajakun e tij, i bie pishman vendimit për vetëvrasje. Kishte qenë një soj loje që fqinjët ta shohin dhe të thërrasin policinë në mënyrë që Sara t’i rikthehej. Kështu nis “lufta” mes të kundërtave.
Regjisori i shfaqjes, Ben Apolloni, ka thënë se për këtë shfaqje kanë punuar rreth pesë javë. Tema kryesore ka theksuar se është historia e një takimi të supozuar të njeriut me vdekjen.
Shfaqja solli mjaft të qeshura edhe te publiku që ishte në teatrin “Dodona”. Kostumografinë për shfaqje e ka realizuar Egzon Kazagiqi, dizajnin e dritave Skender Latifi e koreografinë Xheraldina Krasniqi.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)