Pa pasur rregullore për organogram, Muzeu i Artit Bashkëkohor tashmë ka të punësuar zyrtar financiar, zyrtar ligjor, koordinator për komunikim me publikun dhe koordinator për prodhim të ekspozitave. Prodhimi është ende larg për institucionin i cili së shpejti i bën dy vjet me letra, e në mesin e atyre që stafi i llogarit si arritje është edhe sigurimi i vulës përderisa shumicën e mekanizmave të paraparë me ligj nuk i ka funksionalë. Një institucioni si ky i llogaritet mbi 160 mijë euro buxhet, gjysma e të cilit shkon në “paga, shtesa dhe kompensime”
Muzeu i Artit Bashkëkohor që është në prag t’i bëjë dy vjet prej themelimit, deri më tash ka bërë dy “aktivitete” publike: një postim në rrjete sociale ku përmblidhet ecuria administrative e formimit të institucionit dhe një thirrje publike për hulumtim dhe dokumentim.
Institucioni ka filluar punën si shtëpi botuese duke synuar monografi e publikime të tjera historike. Shumicën e mekanizmave të paraparë me ligj nuk i ka funksionalë. Vazhdon të jetë larg hapave të paraparë me Konceptin e themelimit dhe përgjegjësia për mbarëvajtjen e punëve s’ka adresë të saktë pasi ndahet midis Ministrisë së Kulturës dhe menaxhmentit të përkohshëm të institucionit.
Ndonëse nuk ka pasqyrë financiare për shpenzimet e këtij viti, sipas planit buxhetor një institucioni si ky i llogaritet mbi 160 mijë euro buxhet. Për “paga, shtesa dhe kompensime” janë paraparë mbi 70 mijë euro, për mallra e shërbime 50 mijë euro, për shpenzime komunale 13 mijë e 400 dhe për subvencione, 30 mijë euro.
Në tekstin paraprak, në bazë të dokumenteve KOHA ka krahasuar synimet dhe punën e bërë deri më tash. Kurse në këtë tekst do të pasqyrohen arsyetimet e stafit të MAB-it për veprimet e deritashme. Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë për këtë temë.
“Sigurimi i ISBN-së” një prej arritjeve të MAB-it
Arlinda Hajrullahu tashmë gati dy vjet është ushtruese e detyrës së drejtorit të MAB-it. Zyrtarja e Ministrisë së Kulturës s’ka udhëhequr asnjë institucion para se ta marrë këtë pozitë. Në përgjigje me shkrim, Hajrullahu ka bërë rrumbullakimin e punëve dhe arritjeve të deritashme në drejtim të institucionit. Ka treguar se si pjesë e komisionit ndërministror të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Kulturës për koordinimin e aktiviteteve për hapësirat e ndërtesës së ish-Pallatit të Shtypit “Rilindja”, ka punuar intensivisht deri në sigurimin e hapësirës. Me vendim të MPB-së, në gusht të vitit 2024 në përdhesen dhe katin e parë të ish-hapësirave të shtypshkronjës së “Rilindjes” për MAB janë ndarë mbi 7 mijë metra katrorë.
“Pas vendimit, si hap të dytë, MKRS-ja ka finalizuar detyrën projektuese për hapësirën e ndarë për MAB. Me definimin e detyrës projektuese, operatori ekonomik i kontraktuar nga MKRS-ja ka finalizuar projektin sipas detyrës së dhënë dhe janë në fazë të harmonizimit me dy operatorët e tjerë të kontraktuar nga institucionet e tjera qeveritare, të cilët do të shfrytëzojnë hapësirat tjera në të njëjtën ndërtesë ku do të vendoset dhe do të veprojë MAB”, ka thënë Hajrullahu. Ka përmendur se ka iniciuar dhe realizuar procedurat e rregullta administrative, ku përmes thirrjes publike është përzgjedhur logoja zyrtare e MAB-it. Ka thënë se tashmë MAB ka vulën e tij zyrtare.
“MAB tashmë ka siguruar ISBN (Numri Standard Ndërkombëtar i Librit) dhe CIP (Katalogimi i Publikimit) për publikimet që do të realizohen në vijim”, ka thënë ajo.
Por katalogimi është një procedurë standarde për secilin qytetar të vendit që realizon një botim. E dorëzon në formatin PDF në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe brenda pak ditësh bëhet katalogimi dhe i jepet numri i ISBN-së. MAB ende s’ka botuar asgjë. Ushtruesja e detyrës së drejtorit ka përmendur hartimin e aprovimin e Statutit, hartimin e finalizimin, por jo edhe aprovimin e Rregullores për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm profesionalë në MAB.
“Jemi në fazë të draftimit të rregullores për koleksionim, ruajtje dhe trajtim të veprave. Është përgatitur, proceduar dhe aprovuar planifikimi buxhetor i MAB për vitin 2025. Është përgatitur, proceduar dhe aprovuar plani i personelit për MAB për vitin 2025”, ka thënë Hajrullahu. Rekrutimi i një pjese të stafit dhe vazhdimi i këtij procesi janë përmendur po ashtu bashkë me thirrjen publike për hulumtim dhe dokumentim në pesë tema.
Plani i punës në koordinim me ministrin e sekretarin
Pa pasur rregullore për organogram, Muzeu tashmë ka të punësuar zyrtar financiar, zyrtar ligjor, koordinator për komunikim me publikun dhe koordinator për prodhim të ekspozitave. Por institucioni ka një përgjigje për këtë.
“Punësimet në MAB bëhen në bazë të Ligjit të Buxhetit dhe pozitave të aprovuara në buxhet”, shkruhet në përgjigje.
KOHA ka kërkuar nga Muzeu i Artit Bashkëkohor që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike të krijojë qasje në planin e punës për vitin 2025. Stafi i Muzeut nuk e ka mundësuar këtë. Në vend të planit të punës, KOHËS ia ka përcjellë “një përmbledhje” të planit të punës, që sipas stafit të muzeut është i ndarë në segmente. Ligji për artin dhe kulturën, nëpërmjet të cilit është themeluar muzeu, përcakton se institucioni duhet të ketë Këshillin Artistik. Njëjtë përcakton edhe Statuti. Ky organ nuk ekziston ende. Ne mungesë të këtij organi dhe të një drejtori me mandat të plotë, MAB administrohet nga të gjithë nga pak. Kështu edhe është punuar plani i punës.
“Plani i punës për vitin 2025 dhe plani orientues për vitin 2026, deri më tani është përpiluar në dakordim me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të MKRS-së, mbështetur në Nenin 20 të Statutit të Muzeut të Artit Bashkëkohor”, shkruhet në përgjigjet e MAB-it.
Por neni 20 i Statutit është kapitull i titulluar “Shmangia e konfliktit të interesit” dhe në asnjë prej katër pikave, s’përmendet plani i punës.
Në konceptin themelues të Muzeut janë paraparë hapat që duhet marrë. MAB vazhdon të jetë në shpërputhje kohore me afatet e këtij dokumenti.
“Koncept-dokumenti i përgatitur nga Këshilli iniciues i MAB është mjaft serioz dhe ambicioz, por njëkohësisht i shtrirë në faza të ndara, me qëllim të realizimit sa më konkret dhe të mundshëm të tij. MAB gjithsesi se është duke ndjekur hapat e paraparë në këtë dokument dhe synon të arrijë maksimumin e realizimit të tyre, për aq sa mundësohet nga faktorët determinant, brenda dhe jashtë institucionit”, shkruhet në përgjigjen e institucionit.
“Hulumtimet e përafërta” dhe “fusha e fokusit”
KOHA ka kërkuar informacion sa i përket planit të ndërhyrjes në hapësirën e siguruar për Muze. Por MAB-i s’ka dhënë detaje as për koston. Sipas institucionit, plani është punuar dhe në vazhdim po harmonizohet nga operatori ekonomik i kontraktuar nga MKRS-ja përmes procedurave të rregullta të prokurimit. Muzeu në thirrjen e parë publike ka kërkuar të hulumtohen pesë tema: “Historiku i krijimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë”, “Zhvillimi i artit bashkëkohor në Kosovë: praktikat, konteksti dhe sfidat deri në vitin 2000”, “Monografi mbi një artist bashkëkohor me ndikim në jetën kulturore të Kosovës”, “Historiku i ndërtesës së ‘Rilindjes” dhe “Historiku i gazetës ‘Rilindja’ si impakt social”.
KOHA ka kërkuar sqarime shtesë përtej thirrjes publike duke pyetur stafin e MAB-it se cili është qëllimi i një hulumtimi për “Historikun e krijimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë”, kur ky institucion është në themelim e sipër dhe se historiku është i kufizuar prej Këshillit Iniciues e më pas dhe ende s’ka një Muze të prekshëm.
“Sa i përket Monografisë mbi një artist bashkëkohor me ndikim në jetën kulturore të Kosovës, cili është synimi i MAB-it dhe mbi çfarë baze përzgjidhet se cili artist është më i rëndësishëm se tjetri me ndikimin e tij? Kur bëhet fjalë për historikun i ndërtesës së ‘Rilindjes’ – lokacionit të Muzeut të Artit Bashkëkohor e po ashtu për historikun e gazetës “Rilindja” si impakt social, a jeni në dijeni se hulumtime të tilla tashmë ekzistojnë? Çfarë e lidh MAB-in me impaktin e gazetës ‘Rilindja’?”, janë pyetjet e tjera. Stafi s’ka shkuar përtej sqarimeve të dhëna në thirrjen publike e që janë publikuar në tekstin e kaluar të kësaj serie dypjesëshe. S’është elaboruar as arsyetimi me të cilin synohen këto hulumtime, pos pyetjes ku përmendet se tashmë eksitojnë hulumtime për “Rilindjen”.
“Nga të gjitha temat e hulumtimit, ekziston mundësia të ketë hulumtime të përafërta, mirëpo ju ritheksojmë se jo rastësisht është kërkuar ‘fusha e fokusit’ dhe detaje të tjera brenda aplikacionit, gjë që tregon se çka konkretisht do të hulumtohet. Duke qenë dëshmitarë të një hendeku të thellë që ka krijuar mungesa e hulumtimeve dhe dokumentimeve (profesionale) në fushën e artit dhe kulturës, nuk duhet të përjashtojmë plotësimin ndonjërit nga mozaikët e temave relevante të nisura tashmë. Ky është një mision që ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme”, shkruhet në përgjigje.
Arsyetimi pa bazë ligjore dhe heshtja e Ministrisë
Një mozaik të veprimtarisë së saj e ka dhënë ushtruesja e detyrës së drejtorit të MAB-it, Arlinda Hajrullahu. Përzgjedhja e saj në këtë detyrë ka thënë se nuk beson të ketë qenë vendim i rastësishëm ose befasi pasi është artiste me profesion dhe ka përvojë mbi 17-vjeçare në menaxhim administrate dhe menaxhim artistik, “në micro dhe macro menaxhim”. Ka përmendur se për tri mandate, nga tre ministra të ndryshëm është emëruar anëtare e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, se ka shërbyer si udhëheqëse ekzekutive e Zyrës së Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës mbi 13 vjet e po ashtu se ka kryesuar aktivitete kulturore “mjaft relevante në nivel vendor dhe ndërkombëtar”. Ka renditur disa grupe e komisione ku ka qenë anëtare e kryesuese. Hajrullahu tashmë numëron gati dy vjet në drejtim të institucionit. Krejt kjo bëhet duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë. Ky Ligj në nenin e 35-të përcakton se në rast se një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, caktohet ushtruesi i detyrës. Po aty qartësohet se zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Ky Ligj, në paragrafin e 3-të të këtij neni, krijon mundësi që afati i ushtruesit të detyrës mund të zgjasë më së shumti edhe për gjashtë muaj të tjerë. Por jo më shumë.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni”, shkruhet në paragrafin pasues. Më tej Ligji përcakton edhe vlefshmërinë e vendimeve.
“Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni, është i paligjshëm”, shkruhet në paragrafin e fundit të nenit. Por Hajrullahu ka dhënë një tjetër interpretim, pa saktësuar bazën ligjore.
“Për informacion më konkret, asnjë vendim i caktimit tim në këtë pozitë nuk është përtej afateve ligjore, ndërsa njëkohësisht ju informoj se Ligji për zyrtarët publikë lejon ushtrimin e detyrës me caktim si U.D. deri në dy (2) vjet dhe jo një (1)vit siç e keni cekur ju”, ka thënë ajo. Ka shtuar se bazuar në përvojën e saj shumëvjeçare në administratën publike, siguron se drejtimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor nga ajo më gjatë se një vit, është plotësisht i lejueshëm dhe konform legjislacionit në fuqi.
“Duke qenë se MAB është rast më specifik në krahasim me institucionet tjera vartëse të MKRS-së, ku ende nuk mund të hapet konkursi për pozitën e Drejtorit, meqenëse MAB nuk ka Këshill Drejtues ekzistues dhe ende nuk është formuar Këshilli Kombëtar i Arteve, organet kompetente të MKRS-së janë kujdesur që institucioni të vazhdojë funksionimin e tij të gjertanishëm dhe me qëllim të mbarëvajtjes së punës unë të vazhdoj drejtimin e institucionit si U. D. drejtor, përmes procedurave të rregullta administrative”, ka thënë Hajrullahu.
KOHA ka kërkuar nga shumica e anëtarëve të Këshillit Iniciues që kanë përgatitur Konceptin themelues të Muzeut që të komentojnë mbarëvajtjen e punës për themelimin dhe funksionalizimin e institucionit.
Asnjëri prej tyre s’ka thyer përgjigje. Pyetjet i janë dërguar Yll Rugovës si kryesues dhe anëtarëve Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj e Nita Salihu-Hoxha. Një prej anëtarëve ka takuar ekipin e gazetës dhe ka thënë se nisma për themelimin e Muzeut është e qëlluar kurse për mbarëvajtjen e punëve të mëpasshme s’ka informacion.
KOHA po ashtu ka pyetur Ministrinë e Kulturës se përse nuk është bërë ende emërimi i anëtarëve dhe funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Arteve e përse Muzeu i Artit Bashkëkohor s’ka ende Këshill Artistik.
“Si bëhen punësimet në këtë institucion kur s’ka organogram e as Rregullore për organizim të brendshëm e sistematizim të vendeve të punës? Përse Plani i punës së këtij institucioni hartohet me përfshirje të ministrit dhe sekretarit të MKRS-së? Deri ku ka shkuar procesi i adoptimit të hapësirave për këtë Muze dhe me çfarë kostoje? Përse institucioni vazhdon të jetë me ushtrues detyre për më shumë se një vit pasi vetëm kaq lejohet sipas Ligjit për zyrtarët publikë?”, janë pyetjet tjera. Por Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur për një muaj.