Kulturë

“Mos e harro Japoninë, Suzanë”

Në të martën e tretë të nëntorit, dr. Leonard Malajt do t’i ndryshonte jeta përgjithnjë. Duke pastruar fytin para se të nisej në punë, dyzet e pesëvjeçari me profesion otorinolaringolog do të stepej kur pështyu këlbazë me fije gjaku.

Megjithëse gjatë vozitjes deri në spitalin ku punonte e qetësonte veten me kompetencën e tij prej mjeku, hije dyshimi ia akullonin zemrën. E pështymja me gjak mund të ishte prej tuberkulozi, kancerit të trakesë dhe bronkeve, kancerit të laringut, granulomatozmës Wegener apo koagulopative të mundshme. Por për pak ditë, dyshimet e kolegëve mjekë qëlluan të ishin të vërteta. Prej rezultatit të biopsisë doli se tumori në plikën e majtë të zërit të dr. Leonardit ishte kancer, shkruan KOHA.

Me përshkrimin vivid të fatkeqësisë së një mjeku prishtinas, rrëfimi merr flatra për të ndërkëmbyer fate paralele të një zigazaku në Prishtinë, Stamboll dhe kullën marrafrymëse të Aizuwakamatsut në Japoni.

Me ngjarje që vargëzohen njëra pas tjetrës, ditarë personalë, ndjesi e ngjarje që kanë si sfond qendror betejën e pamundur me kancerin, romani “Mos e harro Japoninë, Suzanë” i autorit Aziz Mustafa është sprova e parë disi tejpersonale e autorit. Në hapërimin si letrar, ky është romani i tij i parë, por për letrat shqipe është rasti i parë ku letrarizohen histori e fate njerëzore në përballje me kancerin.

I dalë nga shtypi në muajin korrik në kohën kur hija e pandemisë ende agonizon botën me ankthe, autori, që është vetë mjek i specializuar i otorinolaringologjisë, romanin e ka ndjesuar si homazh për kolegët e tij të profesionit në të gjithë botën që luftojnë çdo ditë me sëmundjet.

“Historia personale e njeriut është, në fakt, histori e luftës në mes të sëmundjes dhe shëndetit të tij, ashtu siç është historia e botës histori e një pandemie të përhershme”, shkruan Mustafa.

Sëmundja e papritur e kryepersonazhit, dr. Malaj, vjen si një vetëtimë në qiellin e kthjelltë të normalitetit të jetës së tij. E shoqja e tij është holandezja e bukur, Suzana Von Kreems, me të cilën ka një vajzë të quajtur Flaka.

“Ora 9:45. Ditë e mërkurë. Dr. Leonard Malaj u zgjua nga anestezioni i parë i marrë në jetën e tij. Kishte dhembje të lehtë në fyt. Kishte parë mjaft ëndrra gjatë anestezionit, por asgjë s’i kujtohej. Kishte nevojë të flinte. Vetëm të flinte dhe të harronte”, është përshkrimi thuajse i gjallë me të cilin Mustafa përkap lexuesit që në hapje të romanit.

Sipas recensentëve, romani në faqet e tij përçon ndjenjën që askush prej personazheve nuk është i sigurt.