Arbëri

Shtyhet seanca për krime lufte në Gjakovë, shkak përkthimi

Dragan Ristiq

Foto: Driton Paçarada

Shqyrtimi fillestar për të akuzuarin Dragan Ristiq, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë pasi mbrojtja nuk i ka pranuar të gjitha provat e përkthyera në serbisht. 

Prokuroria Speciale e akuzon Dragan Ristiqin për pjesëmarrje në vrasje, keqtrajtim, dëbim dhe shkatërrim e plaçkitje të pronës së popullatës civile shqiptare në rajonin e Gjakovës gjatë luftës.

“Më datë 10 maj 1999, në rr "Bajram Curri" në Gjakovë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar dhe të armatosur, të ndarë në grupe të ndryshme, hynë me dhunë pandehuri, të në shtëpinë Muhamet Dylës ku ishin duke qëndruar Muhamet Dyla, Dukagiin Dyla, bashkëshortjia e tij, një fëmijë, si dhe dy të strehuar – Cenë Hajdaraj dhe Isa Lokaj, ku filimisht i urdhëruan të dëmtuarit që të dilnin në oborr, mirëpo brenda kishte mbetur Muhamet Dyla, pastaj me të dalë në oborrin e shtëpisë, një polic serb i ndalon viktimat Cenë Hajdaraj dhe Isa Lokaj dhe ua kishte kërkuar letërnjoftimet, pastaj njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë 'ah ju qenkeni UÇK' dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre dhe i vret që të dy, kurse një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte Muhamet Dyla dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kanë shtënë me armë në drejtim të këmbëve të dëmtuarve Florije Dyla, Dukagjin Dyla etj. duke i detyruar që të largohen nga shtëpia, ndërsa me datë 13 maj 1999, Florije Dyla bashkë me Sabrije Dylen dhe Humajun Dylën ishin kthyer në shtëpi ku në korridor të shtëpisë e kishin gjetur të vrarë Muhamet Dylën, i cili e kishte pasur fytyrën e gjakosur, një plagë në gjoks, ndërsa në oborr kanë qenë të vrarë edhe Cenë Hajdaraj dhe Isa Lokaj , kufomat e të cilëve janë gjetur pas luftës në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, kurse identifikimi tyre është bërë përmes analizës së ADN-së”, thuhet ndër të tjera në aktakuzën kundër Ristiqit.

Seanca e së hënës u shty me kërkesë të avokates së të pandehurit, Jovana Filipoviq.

Prokurori special, Kastriot Memaj, tha se përkthimi do të jetë i gatshëm brenda dy apo tri ditësh. 

Shqyrtimi fillestar, që është seanca gjyqësore ku lexohet aktakuza dhe ku i pandehuri deklarohet lidhur me fajësinë, është shtyrë për datën 22 korrik.