“Katër vjet në shkollë, mbas katër vjete, kur erdh shtatori ma nuk më kanë lanë me shku”, është vetëm një pjesë rrëfimi nga ai i katër grave që zbardh një kapitull të tërë historie, të heshtur e të pashkruar kurrë deri në fund: mohimi i shkollimit për gratë shqiptare në vitet ’60 e ’80. Titulli i ekspozitës është sikur i determinuar dhe i prerë si konstatim: “Mohuar”. Patriarkati, varfëria dhe shtypja e regjimit të atëhershëm jugosllav i ka nxjerrë jashtë sistemit arsimor para se të arrinin të bëheshin zëra të dëgjuar. Sot dëgjohen së paku me një ekspozitë si kjo
Hapësira e vogël dhe e ngjeshur te “Galeria 17” këto ditë po e mbyll një cikël të tërë katërvjeçar programor. Të martën mbrëma është hapur ekspozita e parë e edicionit të tretë të “Pop-up Art Week”, duke sjellë para publikut një rrëfim që për dekada ka mbetur jashtë kujtesës publike.
“Mohuar” – kuruar nga Aulonë Kadriu me prodhim të Luca Tesei Li Bassi – ka ndriçuar atë pjesë të historisë së Kosovës që nuk është shkruar kurrë plotësisht, atë të vajzave që, ndonëse arsimi fillor ishte bërë i detyrueshëm në fillim të viteve ’60, nuk e kanë parë kurrë bankën e shkollës. Patriarkati, varfëria dhe shtypja e regjimit të atëhershëm jugosllav i kanë nxjerrë jashtë sistemit arsimor para se të arrinin të bëheshin zëra të dëgjuar. E bashkë me to është zbehur edhe kujtesa e padrejtësisë së ushtruar ndaj tyre, e zhvendosur dalëngadalë në margjinat e narrativave dominuese të historisë.
Instalacioni multimedial i Aurela Kadriut dhe Gentiana Pallaskës, i bazuar në hulumtim e i ngritur mbi video rrëfyese, dëshmi të shkruara e të folura dhe një qasje të përzier artistike e hulumtuese ka bërë që Hedije Shala, Sanije Hoti, Shemsije Havolli e Xhezide Bajraktari të kthehen aty ku rrëfimi i tyre e ka vendin. Ato janë sjellë para publikut jo si figura të ngrira të së shkuarës, por si trupa të gjallë që bashkëjetojnë me hapësirën, njësoj si kujtimet që lëvizin vazhdimisht mes heshtjes dhe dëshirës për t’u artikuluar. Në këtë udhëtim ekspozita ka shtruar pyetjen se çka i ndodh kujtesës kur gratë pritet të kujtojnë pa u lënduar, kur rrëfimet e tyre kërkohet të jenë të buta, të matura, të padëmtuara për rendin shoqëror që shpesh ua ka nxirë horizontin.
Pikërisht nga një dëshirë themelore për të dëgjuar, siç ka theksuar Gentiana Pallaska në hapje të këtij edicioni të “Pop-up Art Week” – si dhe të ekspozitës në hapësirën e ngrohtë përballë galerisë – ka marrë jetë i gjithë projekti.
“Ky projekt, ky hulumtim ka lindur prej një dëshire shumë të thjeshtë: veç me dëgju, me dëgju disa rrëfime, pa shtuar asgjë, pa modifikuar, pa e ndikuar hapësirën dhe kemi ardhur në një pikë ku jemi përballë katër rrëfimeve, të cilat e shprehin një pjesë të historisë që nuk ka dalë në pah deri tash”, ka thënë Pallaska.

E ka ndërtuar qasjen vizuale mbi një gjuhë të qetë dhe afër përditshmërisë së grave të përfshira. Qetësi që qëndron si kundërpeshë e dhunës strukturore që ua ka ndërprerë arsimin.
“Qasja vizuale është e qetë, kryesisht tenton të jetojë bashkë me hapësirën ku zhvillohet jeta e përditshme, ku zhvillohet historia e grave, të cilave ua kanë ndërprerë shkollimin shumë herët dhe shtrihet edhe në rrëfimet e tyre ndikimi që e ka pasur ai veprim”, ka shtuar ajo.
E me t’u hapur ekspozita brenda “Galerisë 17”, njerëzit janë përfshirë nga zërat e rrëfimeve të katër grave. Përmes një video-instalacioni, historitë e tyre i janë hapur shoqërisë e ato edhe kanë qenë të pranishme në këtë hapje, duke e bërë narrativen akoma më të afërt.
Në ekspozitë lëvizja mes së shkuarës dhe së tashmes ka ndodhur nëpër shtresimet e vetë hapësirës. Fotografitë dhe lëvizjet në videot monokromatike i janë afruar rutinës së përditshme të grave që flasin për jetën e tyre të mbetur përgjysmë për shkak të një vendimi të marrë prej të tjerëve. Shprehja, qëndrimi dhe prania janë vendosur në qendër, duke krijuar një fushë vizuale ku ato shfaqen ashtu siç kanë dashur të shihen.
Instanca të vogla të jetës së tyre janë orientuar jo drejt dramatizimit, por drejt mirëkuptimit të thellë për atë çfarë u është mohuar, duke sjellë një kritikë të heshtur, por të mprehtë ndaj mënyrës se si historia publike e Kosovës ka mbetur kryesisht patriarkale.
Aurela Kadriu ka kujtuar se nisma nuk është konceptuar asnjëherë si projekt i shkurtër. Ajo ka lindur si përgjigje ndaj një realiteti që vazhdon të jetë pranë shoqërisë kosovare: një gjeneratë e tërë e grave të cilave u është hequr e drejta për arsimim.
“Është një projekt jo i momentit, është projekt më afatgjatë që e kemi nisur si rezultat i faktit që jemi të rrethuar me tregime të grave, të cilave ua kanë ndërprerë shkollimin, pra ekziston një tregim kolektiv i brezave të tërë që kanë qenë në moshën shkollore ndërmjet viteve ’60 dhe ’80, atëherë kur edukimi është bërë dhe i obligueshëm me ligj sipas Kushtetutës së ish-Jugosllavisë në atë kohë, mirëpo vajzat shqiptare të Kosovës i kanë ndalur prej shkolle”, ka thënë ajo. Megjithatë, trajektorja e projektit ka ndryshuar shpejt, duke u larguar nga ideja fillestare për një artikull të vetëm.
“Ka qenë gati si e natyrshme të provojmë t’i shfrytëzojmë ato mjete profesionale tonat që i kemi në dispozicion dhe të bëjmë diçka për ta problematizuar këtë çështje, kështu që fillimisht kemi nisur me një hulumtim që është bazuar në intervista të gjata me gratë dhe plani fillestar ka qenë ta shkruajmë vetëm një artikull, mirëpo rrugës, duke pasur parasysh që Genta është fotografe dhe arkitekte, kështu që e ka edhe syrin e vendosjes së materialit në hapësirë, kështu që ka qenë moment i mirë t’i bëjmë bashkë dijet dhe ekspertizat tona dhe të krijojmë një përvojë fizike të përjetimit të këtyre rrëfimeve”, ka shtuar Kadriu, duke theksuar se hulumtimi do të vazhdojë dhe se format e tij të ardhshme të prezantimit mbeten ende të hapura.
Rrëfimet e qeta të grave vënë në një lloj gjyqi patriarkatin e bashkë me të edhe normat shoqërore të asaj kohe, të asaj gjenerate që konsideronin gabim shkollimin e vajzave.
“...apet thom kaniherë po me pas’ shku nashta... m’ka shku shkolla, kom mësu! Për qata! Me një fletore kom mësu. Me një gjysë lapsi! Me një gjysë gume”, thotë Hedije Shala gjatë rrëfimit të saj, ndjekur nga netët plot dëshirë për dije të Xhezide Bajraktarit.
“Natën u çojsha m’i këqyrë ato libra. Me këqyrë abetaren”, rrëfen ajo.

Sanije Hoti kujton shtatorët që kurrë më s’kanë qenë të njëjtë për të: “Katër vjet në shkollë, mbas katër vjete, kur erdh shtatori, ma nuk më kanë lanë me shku”.
“Motra jeme nuk është leju me hi në odë të vet, në konak të vet me e mësu alfabetin e gjuhës shqipe”, kallëzon Shemsije Havolli.
Zërat e tyre, sa të brishtë aq edhe të fuqishëm, mbushin sallën e galerisë, ndonëse nuk janë në sinkron të plotë me pamjet që publiku i sheh.
Për fondacionin “Shtatëmbëdhjetë” që e menaxhon hapësirën e galerisë, kjo ekspozitë jo vetëm ka rënë në një moment të saktë programor, por ka përkuar edhe me përfundimin e ciklit të tyre katërvjeçar të ekspozitave tematike.
“Mund të them që është një ekspozitë me një temë shumë të rëndësishme dhe shumë interesante, e cila konsideroj se është një temë që është trajtuar shumë pak në përgjithësi në shoqërinë tonë dhe flet për mohimin e së drejtës së shkollimit për gratë dhe vajzat rreth viteve 1960 deri në vitet 1980 dhe mendojmë se i ka shkuar shumë për shtat edhe komplet programit të ‘Pop-up Art Week’ kësaj here kjo temë”, ka vlerësuar Sihana Klisurica, menaxhere e komunikimit në fondacionin “Shtatëmbëdhjetë”, duke shtuar se lidhja e saj me ekspozitën e dytë të “Pop-up Art Week” e bën këtë nisje edhe më të qëndrueshme në nivel konceptual.
Të enjten hapet edhe ekspozita e dytë e këtij edicioni me titull “Kah po nisen dallëndyshet?” nga Redina Qose me tri vepra që shqyrtojnë në mënyrë kritike dimensionet emocionale dhe politike të migrimit në Evropë, teksa e shtuna sjell ekspozitën “Cigarette break” nga Diellza Salicana. Po atë natë do të ketë edhe koncert të zhanrit punk-metal me tri bende: “Pinkmetal”, “Nuclear Doom”, si dhe “Solar Flare”.
“Me këtë program po përmbyllet cikli katërvjeçar i ekspozitave tematike dhe asaj se çka ka përmbajtur programi i ‘Galeria 17’ deri më tani. Po i vjen fundi një cikli katërvjeçar dhe hapësira fizike tani ku jemi e ‘Galerisë 17’ do të mbyllet dhe ‘Galeria 17’ do të vazhdojë me programin e saj të ri, por në një hapësirë tjetër”, ka shtuar Klisurica.
Ekspozita ka bërë të ndihet rëndesa e një historie të gjatë që ka heshtur, por edhe mundësia që ajo të rikthehet në vëmendje me dinjitet. Aty ku rrëfimet e grave janë vendosur në mur të galerisë, është krijuar një hapësirë që zgjeron të kuptuarit e së shkuarës. Një kujtesë që lëviz bashkë me trupin e shikuesit, njësoj si jeta e grave që, pavarësisht ndërprerjes së shkollimit, kanë vazhduar ta formësojnë përditshmërinë e Kosovës.