Me projektbuxhetin e Qeverisë në detyrë, Ministria e Kulturës për vitin që vjen do të ketë fiks 98 milionë e 47 mijë e 49 euro, përderisa për vitin 2025 i kishte në dispozicion 86 milionë e 399 mijë e 46 euro. Po ajo që “lexohet” te planifikimet është qasja krejt e njëjtë me vitet paraprake, veçmas te trashëgimia kulturore e cila ka edhe zbritje buxheti deri në dy milionë euro për investime kapitale. Te projeksionet, vazhdon restaurimi përderisa nuk ka plane për funksionalizim monumentesh. Projektet kapitale janë “copy-paste” jo vetëm me vitin paraprak
Qeveria e Kosovës ka paraparë që Ministrisë së Kulturës t’i rritet buxheti për vitin që vjen. Ky institucion do t’i ketë 11 milionë e 641 mijë euro më shumë sesa në vitin 2025. Por trashëgimisë kulturore do t’i zbritet buxheti. Përderisa në tërësi për këtë fushë do të jenë mbi 1 milion euro më pak, për investimet kapitale të po kësaj fushe do të jenë në dispozicion mbi 2 milionë euro më pak.
Rritje afro 2 milionë euro është projektuar për fushën e kulturës që tek investimet kapitale vërehet krejt pak, njëjtë siç vërehet një rritje e lehtë te kategoria “përkrahja për kulturën” nëpërmjet të cilës subvencionohet skena e pavarur.
Këto të dhëna pasqyrohen në projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, i cili mbetet i miratuar veç në Qeveri, dhe shqyrtimi i tij për të marrë vulën përfundimtare i mbetet përbërjes së Kuvendit të Kosovës, i cili do të konstituohet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Me projektbuxhetin e Qeverisë në detyrë, Ministria e Kulturës për vitin që vjen do të ketë fiks 98 milionë e 47 mijë e 49 euro, përderisa për vitin 2025 i kishte në dispozicion 86 milionë e 399 mijë e 46 euro. Në shikim të parë bëhet fjalë për një rritje të dukshme të buxhetit. Por institucioni që qeveris me kulturën, trashëgiminë kulturore, sportin e rininë është treguar goxha dorështrënguar në raport me dy fushat e para. Për kulturën ka një rritje që në total kap shifrën prej 1 milion e 734 mijë euro. Për vitin 2025 në dispozicion janë 25 milionë e 370 mijë euro, përderisa për vitin 2026 janë projektuar 27 milionë e 104 mijë euro. Nga kjo rritje investimet kapitale kanë përfituar 1 milion e 100 mijë euro, ku nga 10 milionë e 505 mijë euro, do të jenë 11 milionë e 605 euro. Subvencionet në këtë fushë do të ngelin njëjtë, aq sa ishin – 8 milionë e 560 mijë euro, përderisa te subvencionet e kategorisë “përkrahja për kulturën” – prej nga financohen projektet e skenës së pavarur – janë rritur nga 4 milionë e 300 mijë në 4 milionë e 450 mijë euro. Viteve të fundit, MKRS-ja efektivisht e dyfishon këtë shumë në praktikë pasi shpërndan subvencione duke ridestinuar buxhet nga investimet kapitale. Në kulturë për vitin që vjen ka rritje të investimeve kapitale dhe si numër ku nga 23 projekte janë 25 projekte.
Shtëpia e Kulturës në Kaçanik dhe dokumentimi i shkatërrimit të bibliotekave gjatë luftës janë projekte të reja. Të tjerët krejt janë bartur me “copy-paste”. Renovimi i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Muzeu i Artit Bashkëkohor dhe Teatri i Operës dhe Baletit, janë midis projekteve që barten në planifikimet buxhetore nga viti në vit.
Te trashëgimia kulturore ka ndërruar trendi. Në total kjo fushë planifikohet të ketë 1 milion e 617 mijë euro më pak. Nga 18 milionë e 484 mijë euro sa kishte më 2025, janë 16 milionë e 867 mijë euro që do t’i ketë më 2026. Kurse sa i përket projekteve kapitale, MKRS-ja ka bërë shkurtime edhe më të mëdha.
Nga 15 milionë e 112 mijë euro sa ishin sivjet, për vitin 2026 janë paraparë të jenë 12 milionë e 869 mijë euro. Janë fiks 2 milionë e 243 mijë euro më pak. Kjo reflektohet edhe në numrin e projekteve kapitale që figurojnë në tabelat e projektbuxhetit. Nga 134 projekte më 2025, për vitin që vjen janë paraqitur 123. Shumica e tyre janë të bartura nga viti i kaluar. Disa prej lokaliteteve arkeologjike, restaurimi i Muzeut të Kosovës, renovimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Burgu i Prishtinës, shtëpi e asete të tjera të trashëgimisë kulturore, janë të përfshira në buxhet.
Por përtej uljes së numrit të projekteve dhe buxhetit, në trashëgimi kulturore planifikohet që të vazhdohet avazi i restaurimeve që janë investime që përfundojnë vetëm me rregullim fizik të monumenteve. Të paktën sipas projektligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit që vjen, s’ka asnjë linjë për funksionalizim të monumenteve.
Krejt këtë, Sali Shoshi, i cili udhëheq me fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova” e sheh si një telash jo të vogël. Ai ka thënë se në fund të ditës te trashëgimia kulturore nuk duhet të jetë qëllimi vetëm në restaurim.
“Restaurimi bëhet për njerëzit që janë aty dhe të jetë njëfarë resursi për problemet që i kanë ata. Regjionet përtej Prishtinës kanë probleme me papunësi e migrim. Trashëgimia do të duhej të ishte arsye që njerëzit të jetojnë në ato vende ku janë e ku janë rritur”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, shoqërisë dhe shtetit tash i duhet një vizon krejt tjetër për trashëgimi kulturore. Ka thënë se trashëgimia duhet t’i adresojë sfidat e komunitetit.
“Kjo është një qasje që edhe vendet që janë në zhvillim po punojnë në këtë drejtim. Ka plot raste të suksesshme ku nëpërmjet trashëgimisë kulturore krijohen vende pune, zhvillohen zanatet e mirëmbahen zanatet”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, intervenimet fizike janë të nevojshme sepse ua zgjasin jetën monumenteve. Por sipas tij, kjo nuk mjafton pa anën socio-ekonomike.
“Nëse një ndërtesë ka funksion, gjeneron mjete e mirëmbahet. Nëse veç restaurohet e nuk e ka këtë ndërlidhje, komuniteti mund të mos ketë ndonjë lidhje me atë ndërtesë e mandej pas një periudhe ndërtesa pëson denigrim. Mandej mund të zhvillohet cikli i intervenimit e shkatërrimit, intervenimit...”, ka thënë ai. Në perspektiven e Shoshit, trashëgimia kulturore është faktor i rëndësishëm i zhvillimit lokal dhe nuk është ndonjë zbulim nëse ajo ndërlidhet edhe me sektorë të tjerë.
“Normalisht që është më sfiduese të lidhen këta sektorë si mjedisi, ekonomia, planifikimi hapësinor por kjo do të garantonte investim të qëndrueshëm dhe migrimi do të zbriste hovin. Institucionet e shoqëria duhet t’i adresojnë këto çështje. Kosova i ka krejt parakushtet për ta bërë një strategji të mirë”, ka thënë Shoshi. Përderisa në projektbuxhetin për vitin që vjen nuk shihet kjo mendësi, pritet të shihet se si do të veprojë MKRS-ja në raport me një tjetër qasje ndaj trashëgimisë kulturore.