“Marsi i marrë”, romani i ri i Bashkim Hoxhës, bën bashkë pushtetarët dhe “të rrezikshmit”. Në promovimin e organizuar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, romani i ri i Hoxhës është përshkruar si një vepër ekzistencialiste. Në 140 faqe, Hoxha – skenarist, dramaturg e romancier i njohur – kryqëzon fatet e personazheve të tij që gjithnjë i bashkon frika
Midis realitetit dhe imagjinares frika e pushtetit dhe ajo ndaj pushtetit ecin pothuajse paralel. Ngjarja zhvillohet diku në Shqipëri, përderisa fenomeni është thuajse universal. “Marsi i marrë”, romani i ri i Bashkim Hoxhës, bën bashkë pushtetarët dhe “të rrezikshmit”. Në promovimin e organizuar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, romani i ri i Hoxhës është përshkruar si një vepër ekzistencialiste. Në 140 faqe, Hoxha – skenarist, dramaturg e romancier i njohur – kryqëzon fatet e personazheve të tij që gjithnjë i bashkon frika.
Në qytetin e lindjes së kryeministrit do të përurohet shtatorja e një shkrimtari. Pushteti në emër të ruajtjes së qetësisë mbledh të gjithë “të rrezikshmit” e asaj ane në mënyrë që ngjarja ku do të jetë i pranishëm kryeministri të kalojë e qetë dhe pa asnjë problem. Janë gjashtë njerëz që izolohen larg qytetit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Me humor të errët, ironi të mprehtë dhe ndjeshmëri filozofike, romani zbërthen mekanizmat e dhunës, kontrollit dhe vetmisë, duke e kthyer çmendurinë në pasqyrë të shoqërisë bashkëkohore”, është përshkrimi që i bëhet veprës në faqen e fundit. Çmenduria që paraqitet në roman është deri diku kolektive.
Në cilësinë e redaktores së veprës, Lumnie Thaçi-Halili ka thënë se lexuesi që në hyrje do të shohë që romani nuk ndërtohet mbi dëshirën për të promovuar një tezë por kryesisht ka të bëje me nevojën për të zbërthyer një mekanizëm. Sipas saj, vepra ndërtohet mbi funksionimin e një rendi që e ka zhvendosur moralin nga etika te procedura.
“Kjo është edhe një prej shtyllave kryesore të tij, pasi këtu pushtetit nuk demonizohet vetëm analizohet prej mënyrës se si punon, flet dhe si rregullon pasojat e veta përmes gjuhës dhe rutinës”, ka thënë midis të tjerash ajo.
Shkrimtari e studiuesi Prend Buzhala për veprën e botuar në Kosovë nga shtëpia botuese “Ura” ka thënë se fabula e romanit është të izolimi i “të rrezikshmëve” për në vizitë të kryeministrit.
“A janë të lirë sot kryeministrat e shteteve demokratike të ecin lirisht apo duhet të shkojnë me shumë roja. Shkrimtari e ballafaqon realitetin e ashpër”, ka thënë ai.
Megjithëse qysh në fillim të librit vërehet mbishkrimi se çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është rastësore, romani prekë realitetin e sotshëm dhe atë të disa dekadave më parë.
“Për të shkruar këtë roman, jam nisur nga një monolog i vetëm i kryeministrit për vetminë e majës. Kryeministri ynë në dëlirin e vet siç ka çdo pushtetar kur ngelet gjatë në pushet, njëherë u shpreh: ‘Nuk e keni idenë se çfarë do të thotë vetmia e majës, kur të gjithë të tjerët i ke poshtë vetes’”, ka thënë shkrimtari Hoxha. Pak a shumë këtë deklaratë e ka dhënë kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili pozitën e mban qysh prej vitit 2013. Është në mandatin e katërt. Ai këtë deri diku e kishte thënë në kontekstin e marrjes së vendimeve, se kinse kur është në udhëkryq të vendimeve të mëdha, krejt kabineti ka sytë tek ai dhe i duhet që edhe personalisht të vendosë.
“Ishte një moment dëliri që më zbërtheu personazhin e kryeministrit që e blova pastaj në këtë subjekt të këtij romani”, ka thënë autori. Ka kujtuar se kur ishte i ri në kohën e diktaturës, qe një zakon që për ditë festash kombëtare makinat e policisë merrnin budallenjtë e qytetit dhe i izolonin që të mos bëjnë ndonjë veprim në ditët e festës.
“Duke bashkuar të gjitha gjërat m’u duk se mund të ndërtojmë një metaforë interesante për pushtetin e frikës. Frikën më të madhe e ka vetë ai që krijon një pushtet frike. Është një frikë e dyfishtë”, ka thënë ai. ka treguar se është përpjekur që romani të jetë i lexueshëm në veçanti për brezin e ri.
Bashkim Hoxha i lindur më 1954 është autor i njohur i një numri të madh veprash ku midis të tjerash, përfshihen “Dimri i librave”, “Një shaka e vogël me vdekjen”, “Duartrokitësit", “Kronikat e Mjegullës”, “Gruaja e shiut”, “Heronjtë e Viagrës”, “Romancë ditën e krimit” e të tjera. Më 30 qershor 2010 presidenti i asokohshëm i Shqipërisë Bamir Topi, i akordoi titullin “Mjeshtër i madh” në një ceremoni ku u dha edhe premiera e komedisë së tij “Udhëtimi pa vizë i një alieni”. Ai është laureat i çmimit “Aleksandër Moisiu” për dramën “Unë dhe Mefistofeli”, i çmimit “Katarina Josipi” për dramën “Askushi” duke zënë vendin e parë në konkursin e Ministrisë së Kulturës në Kosovë, fitues i Çmimit për romanin më të mirë në Panairin e librit Fier me veprën “Gruaja e shiut”, e po ashtu laureat i shpërblimit për letërsi “Rexhai Surroi” për romanin “Kronikat e mjegullës”.
Në ngjarjen e së mërkurës qe paralajmëruar se do të promovohet edhe vepra e tij tjetër “Shtëpia e verdhë”, por për këtë roman nuk është folur nga të pranishmit. Ndërsa sa i përket “Marsit të marrë”, Hoxha është kujdesur që romani të jetë i gjatë sa një skenar filmi a dramë, duke bërë edhe përshkrim e dialogë episodikë ku ceket saktë ora, dita e data. Ngjarjet zhvillohen në pjesën e fundit të muajit mars, ashtu sikurse është bërë edhe promovimi.