Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Marilyn Monroe – magjia që nuk shuhet kurrë

Ekspozita “Marilyn Monroe: Hollywood Icon”

Ekspozita në Muzeun e Akademisë së Filmit në Los Angeles dëshmon se Marilyn Monroe vazhdon t’i prekë dhe t’i frymëzojë njerëzit edhe në ditët e sotme

Ekspozita “Marilyn Monroe: Hollywood Icon” dëshmon se përse Monroe mbetet një figurë kaq e rëndësishme, edhe një shekull pas lindjes së saj. “Tek ajo gjen glamur, trishtim dhe gjithçka ndërmjet. Gjatë hulumtimeve tona dhe bisedave me fansat, një temë e përbashkët që dëgjuam vazhdimisht ishte se ajo u dha njerëzve shpresë. Edhe pse jeta e saj pati një fund tragjik, ajo mbetet simbol i qëndrueshmërisë dhe i përpjekjes për të qenë vetvetja, pavarësisht të gjitha pengesave”, ka thënë kuratorja Sophia Serrano

Për të shënuar atë që do të kishte qenë 100-vjetori i lindjes së Marilyn Monroe Muzeu i Akademisë së Filmit, në ditën e parë të këtij muaji, ka hapur ekspozitën e titulluar, “Marilyn Monroe: Hollywood Icon”.
Në ditëlindjen e Monroes, muzeu organizoi një ngjarje të veçantë të udhëhequr nga Alec Call dhe Bryan Johns, pronarët e koleksionit “ICON Collection”, të cilët huazuan shumë nga artefaktet e tyre të çmuara për ekspozitën.

“Për herë të parë u njoha me Marilynin kur isha rreth pesë vjeç. Gjeta një numër të revistës ‘Playboy’ në dhomën e prindërve të mi, hyra në dhomën e ndejës, e hapa dhe e pyeta babanë tim: ‘Kush është kjo zonja e bukur?’ Në atë moment, mamaja ime e goditi me bërryl në krah dhe thashë me vete: ‘Kjo grua paska një lloj fuqie’. Më pas, sa më shumë mësova për jetën dhe rrugëtimin e saj, aq më shumë më mahniti. Ajo ishte një kombinim magjik i sensualitetit të pafajshëm dhe i forcës me të cilën kapërceu vështirësitë e jetës së saj”, ka thënë Bryan Johns. Ka thënë se mendon se trashëgimia e saj duhej të vazhdonte të përcillej te brezat e rinj. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Duke mbledhur sendet e saj në një vend, ne u japim njerëzve mundësinë të mësojnë më shumë për të, sepse ata janë kureshtarë. Duan të dinë çfarë mase vishte, si u bë Marilyn Monroe, çfarë sfondi kishte dhe si ishte në jetën e saj personale. Qëllimi ynë me këtë koleksion është ta ruajmë për brezat e ardhshëm dhe t’u japim njerëzve mundësinë ta shijojnë atë”, ka thënë ai. 

Ngjarja tërhoqi numër të madh të publikut e fansave të aktores ikonike, përfshirë edhe personalitete të famshme të Hollywoodit si, Holly Madison, Dita Von Teese, Michael Urie dhe Kate Flannery.

Von Teese ka thënë se Monroe ka qenë një ndikim i madh në karrierën e saj si artiste.

“Jam rritur duke parë filmat e saj dhe ata kanë lënë një gjurmë të jashtëzakonshme tek unë, në dëshirën time për botën e fantazisë dhe të spektaklit. Glamuri i saj i përjetshëm, prania skenike dhe ndjeshmëria që ajo transmetonte ishin magjike, veçanërisht kur kombinoheshin me pafajësinë dhe lojën provokuese të saj. Ky fustan që kam veshur është autentik i viteve ’50, i prodhuar në atë periudhë, gjë që tregon qartë se edhe gratë e asaj kohe frymëzoheshin prej saj. Ajo është një figurë magjike dhe mendoj se nuk do të shohim më kurrë dikë si ajo”, ka thënë ajo. 

Flannery, e njohur më së miri për rolin e Meredith Palmer në serialin “The Office”, ka folur për imazhin dhe trashëgiminë e përjetshme të Monroes.

“Marilyn do të jetë gjithmonë Marilyn. Pjesa e trishtueshme është se ajo vdiq shumë e re, por pjesa e bukur është se do të mbetet gjithmonë e bukur, sepse nuk e kemi parë kurrë të plaket. Kështu, ajo do të jetë me ne përgjithmonë. Ajo përkufizon glamurin. Përveç kësaj, ishte një aktore shumë e talentuar, një këngëtare e mirë dhe jashtëzakonisht qesharake” ka thënë aktorja. “Ajo histori është njëkohësisht e ëmbël dhe e hidhur, por mendoj se pikërisht kjo është arsyeja pse ajo mbetet një ikonë kaq e pastër. Kam përshtypjen se, megjithëse ishte shumë e famshme gjatë jetës së saj, pas vdekjes u bë edhe më e famshme. Është e pabesueshme. Nga viti në vit, njerëzit vazhdojnë të mos ngopen me të”. 

Sophia Serrano, kuratore në Muzeun e Akademisë së Filmit, ka thënë se ekspozita dëshmon se përse Monroe mbetet një figurë kaq e rëndësishme, edhe një shekull pas lindjes së saj.

“Tek ajo gjen glamur, trishtim dhe gjithçka ndërmjet. Gjatë hulumtimeve tona dhe bisedave me fansat, një temë e përbashkët që dëgjuam vazhdimisht ishte se ajo u dha njerëzve shpresë. Edhe pse jeta e saj pati një fund tragjik, ajo mbetet simbol i qëndrueshmërisë dhe i përpjekjes për të qenë vetvetja, pavarësisht të gjitha pengesave. Mendoj se kjo vazhdon të prekë dhe të frymëzojë njerëzit edhe në ditët e sotme”, ka thënë Serrano. 

Ekspozita “Marilyn Monroe: Hollywood Icon” do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2027.